Nëse Trump dhe Grenell do të lejojnë vizatimin e hartave dhe kufijve të ri, shqiptarët duhet ta kenë alternativën ndaj hartave që i vizatoi dikur treshja Vuçiç-Rama-Thaçi. Duket se strategjia e re e Kurtit e ka këtë kuptim: nëse vizatojmë harta të reja, ato duhet të formojnë kufij të rinj mes shqiptarëve dhe serbëve, shqiptarëve e bullgarëve, boshnjakëve dhe serbëve. Kështu aleancat e reja marrin kuptim...
Trump po vjen, e bashkë me të edhe Richard Grenell, i cili pritet të marrë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e situatave të veçanta, sidomos aty ku kanë dorë rusët, apo edhe serbët në Ballkan. Kjo mund të duket si një lëshim që u bëhet rusëve, që në fillim të bisedimeve eventuale, e në rastin e Ballkanit Perëndimor, lëshim edhe ndaj serbëve.
Por, gjithashtu, ky mund të jetë vetëm një karrem? Dërgo ndërmjetësuesin që e pranojnë ata të cilët duhet t'i marrësh me të mire. Ky mund të jetë një rreshtim strategjik para negociatave, të cilat nuk do ta kenë vetëm Ballkanin Perëndimor në fokus, edhe pse do të bisedohet për të. Këtu do të rivendosen kontaktet në mes Rusisë dhe perëndimit, do të formësohen idetë, parimet. Aq më tepër do të qartësohen interesat e palëve, do të ndërtohen argumentet, mbi të cilat do të ndahen vijat edhe në rajone të tjera.
Por kjo duket si harta e madhe, e në hartën e vogël, Kurti udhëtoi këto ditë në Sarajevë edhe pse arsyeja formale e këtij udhëtimi nuk ekzistonte më. Keni parasysh se konferenca Ballkani Perëndimor/BE u anulua për shkak të një tenderi banal për furnizim edhe pse arsyet mund të jenë (gjeo) politike. Disa mund të ja hedhin fajin z.Dodik, por ai ka alibi shëndetësore. Nejse, Kurti megjithatë shkoi në takimin me Grupin e Intelektualëve të Pavarur "Krug 99", që është një organizatë joqeveritare në Sarajevë, ku diskutoi “mbi raportet rajonale dhe sfidat me të cilat përballet rajoni”.
Përse është i rëndësishëm udhëtimi i Kurtit në Sarajevë, të cilin serbët e morën si provokim politik ndërsa boshnjakët si ndërtim të një ure vëllazërore? Si mund të ndërtohet urë vëllazërore në mes boshnjakëve dhe shqiptarëve në kohën kur tre popujt e BiH, serbët , kroatët dhe boshnjakët, të cilët flasin të njëjtën gjuhë, ku ¼ e popullsisë jeton në martesa të përziera, dhe këta popuj vetëm religjioni i dallon, ndërkohë që shqiptarët dhe boshnjakët vetëm religjioni i bashkon, edhe pse censusi i fundit e vë në dyshim edhe këtë?
Por... lëre fare, vëllazëri mbi ideologjinë, politikën dhe religjionin vështirë se mund të ketë. Por të kthehemi te Kurti. "Kam ndërruar strategjinë por jo edhe qëllimet," tha ai, këto ditë, kur e akuzuan se ka hequr dorë nga qëllimi i bashkimit kombëtar. Disa nga aleancat e reja të Kryeministrit kosovar, mbase mund të qartësojnë pak se çka nënkupton kjo deklaratë, të cilën disa pakujdesshëm e interpretuan vetëm në kontekst të fushatës elektorale. Por, a kishte diçka më tepër?
Duket pak e besueshme se paralelja islame mund të ishte motiv për Kurtin të udhëtojë në Sarajevë, por gjithsesi një koalicion joformal me bullgarët për Maqedoninë dhe me Turqinë për Bosnjën, ka kuptim. Kjo do të riaktualizonte “Koridorin 8” dhe Tansversalen islamike që lidhë Stambollin me Klladushën në Bosnjë.
Fuqizimi i këtyre projekteve, dikur të anatemuara, dhe të rrëzuara nga konjukturat globale, tash nën doktrinën Trump mund të bëhen alternativë rajonale.
Kjo do ta fuqizonte dhe legjitimonte gjithashtu një projekt alternativ për ndryshimin e kufijve në Ballkan përmes një konference ndërkombëtare, ku shtetet multietnike, produkt i konceptit të deritashëm të globalizmit perëndimor, nuk do të mbijetonin.
Kur jemi te Kurti dhe qëllimet/strategjia e tij e re, rreshtimi i partive shqiptare të afërta me Kurtin me aleancën pro-bullgare në Maqedoni përballë BDI dhe partive të tjera të afërta me Edi Ramën globalizmin dhe multietnicitetin, ky udhëtim në Sarajevë merr kuptim më të gjerë. Takimi që shpërfaq një "lidhje shpirtërore" mes boshnjakëve dhe shqiptarëve hap diskutime të arsyeshme të cilat synojnë të kuptohet përse ishte i nevojshëm pikërisht tani dhe si përshtatet kjo në strategjinë e re të Kurtit..
Çfarë deshi pra Kurti në Sarajevë? Çfarë ju desh takimi “vëllazëror” me grupin e intelektualëve “Krug ’99” dhe prej nga vjen ajo atmosferë vëllazërore në mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, intelektualëve të një populli i cili i konsideron armiq bashkëqytetarët e vet që eflasin të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtat tradita dhe të një gjaku? Asgjë përpos përvojës historike me vëllezërit e tyre orthodoks dhe katolik. Nëse i përjashtojmë përvojat historike e vetmja gjë e përbashkët me ta mbetet religjioni. A ka vëllezër nga religjioni?
Kurti në vazhdimësi i ishte kundërvënë projektit Vučić-Rama për Ballkanin e Hapur dhe konceptit të ndryshimit të kufijve të këtyre dy liderëve dhe Thaçit. Tani kur ka ardhur deri te ndërrimi në administratën amerikane dhe rrjedhimisht edhe në BE, ndryshimi i kufijve po bëhet alternativë serioze. Por, Qeveria Kurti deri më tani i është kundërvënë çdo ndryshimi të kufijve sipas konceptit Rama-Thaçi-Vuçiç, por a është kundër çdo ndryshimi të kufijve, në fakt?
Po aq e rëndësishme është pyetja nëse mund të arrihet kjo pa një luftë të re?
A mundet një marrëveshje ndërkombëtare e re të krijojë shtetet komb, të legjitimojë dhe të mbyllë konfliktet e popujve të ndryshëm për territore dhe të hapë kufijtë dhe bashkëpunimin në regjion?
A do t’i “rrëzojnë” Trump dhe Grenell shtetet multietnike në Ballkan, të cilat edhe ashtu me natyrën e tyre gjeneronin vazhdimisht ide separatiste dhe konflikte të brendshme dhe me fqinjët? Kjo do të shihet shpejtë pas 20 janarit 2025.
Gjithsesi kjo nuk varet nga Kurti, por duket se ideja e tij është se gara “me kuaj” po fillon, duket se ai po e shalon atin e tij. Nëse Trump dhe Grenell do të lejojnë vizatimin e hartave dhe kufijve të ri, shqiptarët duhet ta kenë alternativën ndaj hartave që i vizatoi dikur treshja Vuçiç-Rama-Thaçi. Duket se strategjia e re e Kurtit e ka këtë kuptim: nëse vizatojmë harta të reja, ato duhet të formojnë kufij të rinj mes shqiptarëve dhe serbëve, shqiptarëve dhe bullgarëve dhe boshnjakëve dhe serbëve. Kështu aleancat e reja marrin kuptim.../Pamfleti
Lini një Përgjigje