
Graci na tregoi se tragjedi të tilla mund të jenë shumë pranë nesh. Në 20 vitet e fundit ato kanë ndodhur në Finlandë, Gjermani, Suedi, Serbi, Republikën Çeke. Por vetëm mjediset shkollore dhe ngacmimi, videlojërat e dhunshme, neglizhenca prindërore nuk mund të shpjegojnë shkakun kryesor të akteve të tilla ekstreme.
Ideja që një i ri 21-vjeçar armatoset, hyn në një shkollë dhe hap zjarr pa dallim ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, dhe më pas kryen vetëvrasje, është diçka që i shpëton çdo lloj arsyeje të shëndoshë. E megjithatë, reagimi ynë i parë dhe më spontan është kërkimi i shkaqeve, motivimeve, parandjenjave.
Pra kërkimi për rrënjët e një tragjedie na mashtron, duke menduar se mund ta kuptojmë atë që ndoshta edhe mund ta zgjidhim. Megjithatë në vend të kësaj, rrënja është e padepërtueshme. Rruga e vetme që mund të ndjekim, është ndoshta të analizojmë ngjarje të ngjashme.
Dhe kjo jo sepse ka elementë të pandryshueshëm në ngjarje të tilla apo disa “rregulla” (në fakt çdo tragjedi është unike në llojin e saj), por sepse analogjitë mund të nxjerrin në pah tema që përndryshe do të mbeteshin shumë pak të dukshme në sytë e publikut.
Precedenti më i famshëm dhe tragjik i ngjarjes së rëndë të Gracit, është masakra në shkollën e mesme Columbine në SHBA në vitin 1999. Historia e Dylan Klebold dhe Eric Harris, dy autorëve të masakrës, u tregua në dokumentarin e Michael Moore, Bowling for Columbine.
Ajo frymëzoi edhe filma si “Elephant” me regji të Gus Van Sant, dhe më e rëndësishmja librin me kujtime të Sue Klebold, nënës së Dylan, “Im bir: Pas masakrës së Columbine”.
Klebold e tregon historinë e saj me një ndershmëri të pamëshirshme. Dhe nëse siç e përsërit vazhdimisht, historia e djalit të saj nuk mund të përgjithësohet, ajo ofron gjithsesi një motiv për të reflektuar. E para ka të bëjë me një analogji: duket se autori i masakrës së Gracit ishte viktimë e ngacmimit, ashtu si Dylan Klebold dhe Eric Harris.
Dhe kjo gjë nxjerr në dritë një fenomen që është i njohur prej kohësh, por që nuk është identifikuar kurrë plotësisht: cikli viktimë-autor. Në ngjarjet e ngacmimit, abuzuesit janë shpesh individë që dikur të ngacmuar vetë nga të tjerët.
Një studim i kryer në Australi në vitin 2023, zbuloi se rreth çereku i viktimave të ngacmimit, kultivojnë sjellje agresive që ndjekin atë model. Nuk është “hakmarrje” siç përmendet shpesh, por imitim i një modeli. Është njëlloj si të besosh se dikush mund të pranohet në shoqëri, vetëm nëse shkakton atë që ka duruar dikur.
Ky ngacmim është një simptomë prestigji: e njëjta gjë që kanë ndjerë viktimat, në një mënyrë të çuditshme, por asnjëherë të vënë në dyshim vërtet tek torturuesit e tyre. Është një dhimbje e padëgjuar, vetëmbrojtje, një mbrojtje paradoksale nga abuzimi.
Është lehtësim nga emocionet e zemërimit dhe zhgënjimit, të cilat grumbullohen për shkak të ngacmimit të shkaktuar nga dikush më i fortë. Ngacmimi krijon një cikël të përhershëm dhune.
Sue Klebold, shkruan ndër të tjera në libër, se bashkë me fjalimet plot urrejtje apo letrat që përsërisnin të njëjtën pyetje të përjetshme drejtuar prindit të një krimineli (“Si nuk e kuptuat vallë”), ajo mori gjithashtu mesazhe të panumërta solidariteti përgjatë viteve.
Shumë njerëz i shkruan, duke i thënë se e kuptonin shumë mirë gjestin e Dylan dhe Erik. “Nuk jam i befasuar nga ajo që ndodhi. Përkundrazi, jam i befasuar që nuk ndodhi në shkollën time, dhe që nuk ndodh çdo ditë në çdo shkollë në Amerikë!”- i shkroi një djalë i ri, pasi i rrëfeu përvojat e tij të ngacmimit në shkollën e mesme.
Shumë fëmijë iu drejtuan drejtpërdrejt Dylan-it në burg, duke derdhur në letrat e tyre dhimbjen dhe urrejtjen e tyre për mjedisin në shkollat e tyre. Përveç mitomanëve, njerëz të qetë dhe racionalë, e pranuan se ata vetë kishin dëshiruar shpesh të ishin autorë të gjesteve ekstreme të rebelimit kundër ngacmimit.
Adoleshentët që i shkruanin Sue Klebold nuk identifikoheshin me viktimat, por me xhelatët. Kjo do të thotë që ngacmimi është një plagë kaq ekstreme dhe aq e dhimbshme, saqë i nxit viktimat e saj të justifikojnë krimet më të tmerrshme. Jo për hakmarrje, por për manifestimin e një dhimbjeje të padurueshme.
Aspekti i dytë, ka të bëjë me kontekstin shoqëror të masakrës. Këtu nuk ka analogji, por një mospërputhje: Graci ndodhet në zemër të Evropës së vjetër, Columbine në Kolorado të Shteteve të Bashkuara. Dhe masakrat nëpër shkolla, na duken gjithmonë thellësisht amerikane në natyrë dhe stil.
Kjo është një nga pasojat e mitit amerikan për armët, si një instrument i lirisë dhe e legjislacionit që e mbështet mbajtjen e tyre. Kjo është tema në zemër të dokumentarit Bowling for Columbine, dhe sigurisht që nuk duhet nënvlerësuar.
Gjithsesi, Graci na tregon se tragjedi të tilla mund të jenë gjithashtu shumë pranë nesh. Ato na përkasin neve, nuk janë të huaja. Në 20 vitet e fundit ato kanë ndodhur në Finlandë, Gjermani, Suedi, Serbi, Republikën Çeke.
Ia vlen të citojmë sërish Sue Klebold: “Mjediset shkollore dhe ngacmimi, videolojërat e dhunshme, neglizhenca prindërore, para-militarizimi i kulturës popullore amerikane, janë që të gjitha pjesë të enigmës. Por as të marra individualisht dhe as së bashku, ato nuk përbëjnë “shkakun” e vërtetë të urrejtjes dhe dhunës që shpërtheu në shkollën e mesme Columbine”. Pra kjo dhunë duhet kërkuar tek një shkak më i errët dhe më kompleks, të rrënjosur tek “shoqëritë tona të luhatshme” siç shprehej sociologu i njohur Zygmunt Bauman. Në dokumentarin ”Bowling for Columbine”, ka një skenë e paharrueshme ku Michael Moore interviston Marilyn Manson, këngëtarin e famshëm të rrymës rock-metal, i cili u fajësua për masakrën që ndodhi për shkak të përmbajtjes së dhunshme të këngëve të tij.
“Nëse do të kishe mundësi të flisje me të rinjtë e shkollës Columbine, çfarë do të thoshe atyre?” – e pyet Moore. “Asgjë. Thjesht do të dëgjoja atë që kanë për të thënë. Sot askush nuk po e bën këtë...”- u përgjigj Manson./Pamfleti nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje