Tre kauzat që i dhanë Trumpit fitoren janë: Emigracioni, rritja e çmimeve dhe ndalimi i luftërave...
Në fjalimin e parë pasi u pa që fitorja e tij nuk kthehet mbrapsht, Donald Trump, me fjalë të thjeshta përmendi lëvizjen politike që kishte sjellë një fitore të paprecedentë në historinë e SHBA.
Një lëvizje politike, e cila është në praktikë një koalicion që solli triumfin politik, si në votën popullore, por edhe fitoren në të gjitha shtetet kyçe ku zgjidhej presidenti i SHBA.
Ky koalicion politik e bën Trumpin mjaft të ndryshëm me atë të vitit 2016 apo të vitit 2020. Po të krahasojmë votat e zgjedhjeve të shkuara, Donald Trump ka marrë më pak vota popullore. Në vitin 2020 mori mbi 74 milionë vota, ndërsa sot ka marrë pak më shumë se 71 milionë. Ndërsa Joe Biden, në 2020 mori mbi 81 milionë vota popullore, dhe sot Kamala Harris, është ndalur në kufirin e 66 milionë votave. Pra, i mungojnë më shumë se 14 milionë vota nga 4 vite më parë.
Në krahasim me zgjedhjet e katër viteve më parë, ka pasur një mobilizim më të vogël votuesish, ndryshe nga 2020 kur dolën për të votuar nga të dy palët ndoshta numri më i lartë në historinë amerikane.
Por është fakt se Kamala Harris, ka një krizë të dukshme e të qartë të mungesës së mbështetjes si nga militantët e përhershëm të Partisë Demokratike, ashtu edhe nga elektorati gri apo republikanët e pakënaqur nga Trumpi. Kjo në shtetet kyçe, si pasojë e krizës së thellë në SHBA tek një pjesë e popullsisë, ndodh dhe paqartësia politike që zgjat prej vitesh tashmë.
Donald Trump, duke parë problemin e madh që preku në 2020 kur ishte President, pra kishte më shumë mundësi për të tërhequr vota, kësaj radhe ndërtoi një koalicion të gjerë jo thjesht djathtas por transveral.
Me Trump kësaj radhe ishin dy komponentë shumë të rëndësishëm të shoqërisë amerikanet; Elon Musk e Tillerman i inteligjencës artificiale, që përfaqësojnë një pjesë të fortë të Silicon Valley, pra ajkës teknologjike amerikane, si dhe Robert Kenedy, i cili është një përfaqësues i së majtës liberale anti-establishment.
Kjo lëvizje politike përfaqëson një koalicion perfekt, që si buldozer i dha Donald Trumpit fitoren e të gjitha pushteteve të mundshme. Si Presidencën, ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve e Senatin. Duke pasur parasysh se republikanët kontrollojnë dhe Gjykatën e Lartë, Trump është praktikisht një mbret me pushtet totalisht absolut.
Një lëvizje politike që patjetër do të kthehet në një model për mënyrën, por edhe kauzat që përfaqëson. E tre kauzat që i dhanë Trumpit fitoren janë: Emigracioni, rritja e çmimeve dhe ndalimi i luftërave.
Kauza që kanë bashkuar më së shumti njerëzit e thjeshtë dhe me probleme ekonomike e sociale të mëdha. Të cilët kanë votuar vazhdimisht demokratët por kanë mbetur në të njëjtën gjendje. Një model që krejt natyrshëm po zbatohet prej vitesh nga lëvizjet e djathta e populiste, të cilët synojnë kryesisht elektoratin e varfër, të cilit i kërkohet të ndryshojë drejtim, pasi më së paku nuk humb asgjë.
Por një lëvizje që ka brenda saj jo thjesht personazhe, por target-grupe të rëndësishme të shoqërisë e mbi të gjitha, industrisë së re, e cila ka impakt direkt tek njerëzit.
Siç e dimë, në këto zgjedhje nuk u kursye asgjë, madje as paratë ‘cash’ që u jepeshin zgjedhësve në formë lotarie për të fshehur shitblerjen. Por që në të vërtetë ishte e tillë.
Kishte një vullnet thuajse të hekurt të lëvizjes së Trump për të triumfuar, duke planifikuar me detaje çdo gjë dhe me objektiva të qarta në të gjithë territorin. Ndryshe nga demokratët, që risollën të njëjtën ‘supë të vjetër’, e për më tepër koalicioni i tyre këtë radhë ishte më i dobët nga ai i Joe Biden në 2020. Duke mos harruar për asnjë moment pastaj se Joe Biden ishte një ‘përbindsh’ politik/Pamfleti
Lini një Përgjigje