Editorial29 Nëntor 2023, 10:08

Po ku të le Argita!

Shkruar nga Pamfleti
Po ku të le Argita!
Gjergj Zefi dhe Argita Berisha /

‘Pamfleti’, edhe pas procesit ndaj berishëve, ka vijuar më fort duke sjellë fakte e akuza të rënda ndaj pushtetit dhe duke e liruar paksa dorën ndaj kësaj familje, me logjikën se kush është drejt greminës nuk është fisnike t’i japësh të shtyrën…

Nuk kaloi shumë nga vendimi i gjyqtares Olldashi për ta nxjerrë Jamarbër Malltezin nga burgu, e familja Berisha nuk vonoi të tregojë kthetrat.

Kjo jo vetëm në televizione, ku të dërguarit e klanit janë dubluar e trefishuar për të ndaluar sa më shumë jehonën e procesit kundër Sali Berishës.

Familja, edhe pse në gjendjen më të vështirë të ndodhur ndonjëherë, kërkon të tregojë se ka fuqi ndaj kujdo që i thotë apo i shkruan të pabërat e pambarimta të kësaj sage që vijojnë të kenë pushtet e pasuri marramendëse.

Argita Berisha pra, bashkëshortja e Jamarbrit të 17 kullave që i ka firmosur babai i saj Saliu, ka nisur sulmet ndaj ‘Pamfleti’-t. Duke e paditur siç dijnë gjithmonë të pushtetshmit, me mënyra proceduriale e civile, por jo duke u përballur realisht me argumentet e faktet që publikojmë.

Thënë të drejtën, ndryshe nga shumica e mediave në vend, Pamfleti, edhe pas procesit ndaj Sali Berishës e berishëve, ka vijuar më fort duke sjellë fakte e akuza të rënda ndaj pushtetit, dhe duke e liruar paksa dorën ndaj kësaj familje, me logjikën se kush është drejt greminës nuk është fisnike t’i japësh të shtyrën.

Po ku të le Argita! ‘Pamfleti’, nuk se ndikohet nga vajza e doktorit e të paguarit e saj për të vijuar misionin e tij të përditshëm për të denoncuar sa mundet të keqen e këtij vendi. Megjithatë, pyetja shtrohet: ku e gjen kohën e nervat Argita me familjen e saj që të merret me median, kur siç thotë Saliu, luftën e ka me Edi Ramën?

‘Pamfleti’-t i duhet çdo moment të ditës, përveç gjetjes e publikimit të malit të fakteve e dokumenteve që vijnë lumë në redaksi, të merret me sulmet, kërcënimet, shantazhet, deri edhe tek goditjet fizike e psikologjike të horrave të pushtetit. Që është një kohë dhe energji e madhe, po nejse jemi mësuar.

Nëse Argita me babain e saj do t’i bashkohet bashibozukëve të Edi Ramës, që mesa duket në shumë raste janë ortakë, bujrum.

‘Pamfleti’ e ka fituar betejën e tij që e kishte lejtmotiv që nga fillimi i punës: të çojë para drejtësisë njerëzit që i kanë bërë ‘naftën’ këtij vendi. Kur shkojnë para drejtësisë, nuk para jemi marrë, pasi në këtë rast radhën e kanë avokatët, e telashet vetëm shtohen. Ne vijojmë punën e përditshme për të çuar sa më shumë dinosaurë e peshkaqenë në derën e drejtësisë.

Të gjitha këto afera për të cilët akuzohet babai i Argitës e burri i saj, Pamfleti i ka shkruar që në ditët e para, pavarësisht se janë të tjerë që rrahin gjoksin në emisione televizive.

Megjithatë, janë njerëzit, lexuesit e pafund tanët që na japin kreditet e mbështetjet e vazhdueshme pas çdo shkrimi, e ku na thonë që të vijojmë pa ndaluar.

Lexuesit na inkurajojnë se nuk duhet të ndalojmë, edhe kur mendojmë të mëshirojmë sadopak ata që i kanë nxirë jetën këtij vendi e na duken sot si fatkeqë. Deri ditën e fundit, do të vazhdojnë të mbeten të zinj, se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. Madje nuk vonojnë t’i shkelin syrin Edi Ramës, duke u bërë bashkë në sulmin ndaj nesh. Ne në fakt s’kemi pasur asnjë minutë dilemë se ju jeni bashkë. E do t’ju luftojmë njësoj e ditë për ditë! /Pamfleti

gjergj zefi ardita berisha pamfleti gjyqi

Editorial