TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Maj 2025, 10:45

“Polici vullnetar” ose deklarata e kapitullimit

Shkruar nga Pamfleti

 

“Polici vullnetar” ose deklarata e kapitullimit
Edi Rama /

Kur shteti nuk ka më kontroll mbi territorin, ai thërret popullin në ndihmë. Policia është dorëzuar, tashmë krimi mbizotëron, dhe qeveria ofron një jelek si zgjidhje...

Kur shteti nuk mban dot rendin, shpik fantazma. Dhe tani fantazma më e re e qeverisë Rama quhet: “Polici vullnetar”.

Jo, nuk është shaka. Është vendim zyrtar i Këshillit të Ministrave. E thënë ndryshe: Policia e Shtetit ka kapitulluar. Nuk ka më as njerëz, as besim, as kontroll mbi territorin. Tani, qeveria i lutet popullit që të mbrojë vetveten.

Kushdo që ka 5 orë të lira në ditë dhe dëshirë për të veshur një jelek me logon e policisë, mund të bëhet “ruajtës i rendit”. Pa akademi, pa trajnim, pa përgjegjësi. Mjafton një fletë vullneti dhe një fytyrë e gatshme për të mbushur boshllëkun e uniformës.

Pra, kriminelët armatosen me pagesë, qytetarët mbrohen me pasion. Kërcënimet janë me kallash, mbrojtja me vullnet. Dhe ligjin? E zbaton ai që ka qejf të duket si polic, por nuk është. Më tragjike se kaq, vështirë të bëhet.

Ky është versioni shqiptar i “Vetëmbrojtjes së organizuar”, jo nga ushtria, por nga dëshira e mirë. Një çmenduri që mund ta justifikojë vetëm një shtet që është dorëzuar përballë bandave, dhe që kërkon të mbulojë dështimin me masa folklorike.

Ky vendim është një akt formal i kapitullimit të qeverisë përballë krimit të organizuar, që ka marrë kontrollin e territorit, të votës dhe të frikës. Dhe Rama, në vend që të forcojë shtetin, shpall mobilizimin e qytetarëve kundër bandave që ai vetë ka toleruar.

Kur polici bëhet vullnetar, rendi bëhet iluzion. Dhe kur shpresa është gjithçka që ofron shteti, atëherë jemi në rënie të lirë.

Kjo nuk është forcë shtetërore; është dëshpërim institucional./Pamfleti

polici vullnetar deklarata e manipulimit

Lini një Përgjigje