TAGS-AT E JAVËS

Editorial15 Maj 2023, 12:52

Poshtërimi: Sali Berisha përfundoi si Vojislav Shesheli!

Shkruar nga Pamfleti

 

Poshtërimi: Sali Berisha përfundoi si Vojislav Shesheli!
Sali Berisha

Ndaj duhet nisur menjëherë kapitulli post-Berisha, përpara se ndonjë Vuçiç i yni të zëvendësojë Vojislav Sheshelin shqiptar...

Natyrisht është ende herët, pasi me kalimin e orëve të tjera analiza sjellin rezultatet e votimeve më 14 maj. Por një gjë është shumë e qartë: Sali Berisha u refuzua në Shkodër dhe Tropojë, të cilat mendonte t’i kthente në kështjella të rezistencës së tij kundër Amerikës.

Kur një natë më parë kontestoi Kamzën, Sali Berisha e kuptoi se i ishte dridhur toka nën këmbë, por ende nuk e besonte se njerëzit e tij e kishin hedhur në humnerë.

Në Kamëz, kur të dalin shifrat e plota, do të dalë se nuk ka fituar Rakip Suli e PS, por nuk kanë shkuar të votojnë mbështetësit e Berishës.

Rakip Suli mori rreth 25 mijë vota, aq sa PS kishte marrë edhe më 25 prill 2021 në atë bashki. Por në atë kohë, si në çdo zgjedhje, rreth 32 mijë votues bënë diferencën për të marrë një deputet më shumë. Aq ka qenë dikur edhe diferenca e Xhelal Mziut.

Pra në Kamëz, një zonë që ka votuar sa herë Sali Berisha i ka thirrur ta ndihmojnë, njerëzit që dilnin gjithmonë pro tij e kanë braktisur demonstrativisht. Sepse e kanë ndjerë veten të përdorur për një kauzë që nuk u takon më atyre, por vetëm Saliut.

Në 2017, Berisha, u kërkoi njerëzve të tij në Kamëz që të votonin për Ilir Metën, ngaqë Lulzim Basha në atë kohë bëri paktin me Edi Ramën. Doktorit nuk i prishte punë pakti me Ramën, se atë ai e ka bërë disa herë, por marrëveshja që Basha bëri me Amerikanët për të vijuar me Reformën në Drejtësi.

Ndërsa në Kamëz, njerëzit që kishin votuar Berishën nuk dolën të votojnë Rakip Sulin e socialistët.

Në Shkodër, njerëzit që nuk e kishin votuar asnjëherë Sali berishën por as socialistët, pasi nuk i kanë parë kurrë si mundësi serioze, kanë dalë në masë për të votuar Benet Becin.

Fitorja e Shkodrës është e rëndësishme pasi ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe, çka ka sjellë në kuti të gjithë atë pjesë të elektoratit qytetar që nuk e ka honepsur asnjë ditë Sali Berishën.

Në fund është Tropoja, e cila i dha një shkelm politik të rëndë, megjithëse kandidati i Berishës për kryebashkiak Besnik Dushaj është një person që ka simpati në territor, e duan ngaqë është komunikues dhe serioz për punët që ka kryer. Ata thjesht i thanë Berishës: largoi nga jeta jonë!
Sepse në krye të të gjitha argumenteve është lufta që doktori ka hapur si sfidë me SHBA-në. Thjeshtë njerëzit e tij vendosën të zgjedhin mes Perëndimit dhe Berishës, atë të parin. E kjo është një zgjedhje politike.

Për të marrë një model që e kemi pranë dhe e njohim, është ai i Vojislav Sheshelit. i cili ashtu si Berisha ka qenë shumë popullor në vend, por që përfundoi në një pakicë butaforike, pikërisht kur nisi luftën ndaj Perëndimit. Sot Sheshel, i cili ashtu si Berisha është me gradën doktor, e njësoj si doktori ynë ka bërë shumë njerëz me karrierë politike e shtetërore, erdhi një ditë që i mbaroi koha, por donte të rrinte me zor.

Ka dy vjet që kur u shpall Non Grata prej SHBA, kur duhet të ndodhte kjo që ja bënë sot. T’i thonin ik se e ke mbyllur kapitullin tënd. E sot, duhet t’ia dimë për nder Edi Ramës. i cili realisht nuk se pati rol të madh, thjesht se ishte i vetmi që e artikuloi domosdoshmërinë e largimit të doktorit.

Gjithsesi ka ende qarqe pranë Berishës, që duan ta mbajnë me zor, duke e konsideruar atë si opozitën e vetme rezistuese. Këta janë zëra që përveçse nuk kanë argument, nga sot edhe zyrtarisht nuk kanë më relevancë. Ndaj duhet nisur menjëherë kapitulli post-Berisha, përpara se ndonjë Vuçiç i yni të zëvendësojë Vojislaw Sheshelin shqiptar. / Pamfleti

sali berisha vojislav shesheli poshtërimi i sali berishës

Lini një Përgjigje

Editorial