Editorial25 Qershor 2024, 15:41

Qeveria nga Shtana, doktori në Shtanë

Shkruar nga Pamfleti

 Qeveria nga Shtana, doktori në Shtanë

Merri të gjithë këta e do të dalin me sytha, sepse secili sjell dikë nga fshati i tij dhe e bën të madh në Tiranë...

Rrallë njeri do ta kuptojë çfarë po them me emrin ‘Shtanë’. Që është një vendbanim, d.m.th., fshat në rrethinat e Kukësit, kjo nuk ka diskutim. Kjo u provua edhe sot, në një lajm që mu duk i tmerrshëm:

Në Spitalin Onkologjik të Tiranës, që quhet edhe ‘spitali i kancerit’, u kapën disa mjekë dhe të tjerë, që bënin Pazar me jetën e njerëzve të sëmurë me kancer. Këta ua merrnin ilaçet të sëmurëve të regjistruar në spital, u thonin pacientëve se ‘nuk ka’, por edhe i këshillonin ‘shkoni në Iks’’ klinikë private’. Atje klinika private shiste ilaçin që shteti e kishte prurë në spitalin Onkologjik për të trajtuar sëmundjen e rëndë.

Qeveria nga Shtana, doktori në Shtanë

Por, sa e shisnin një flakon të ilaçit kundër kancerit?

Një flakon e shisnin nga 250 deri 1500 euro.

Këta mjekë u vunë nën arrest sot, por pacientët janë vënë para vdekjes. Sa kushton njëra dhe sa kushton tjetra?

Mund të na qëllojë secilit prej nesh të ‘mjekohemi’ nga këta tipa.

Po ç’lidhje ka fshati Shtanë me mjekët dhe me krimin që bëhet në spitalin e Tiranës?

Ky është thelbi i gjësë. Nga shtatë mjekët që dyshohet se kanë kryer krimin, dy prej tyre vijnë nga fshati Shtanë. Aty janë rritur, aty janë shkolluar dhe një ditë kanë marrë rrugën drejt Tiranës e kanë zënë vend në spitalin me special të ‘humanizmit’. Aty shkon njeriu me një dritë të vogël shprese, por edhe këtë dritëz ia fik ky njeriu nga Shtana... E ku? Në mes të Tiranës.

Dy mjekë të akuzuar, të dy me mbiemrin Gashi, kanë lindur e rritur në Shtanë. Ta kërkosh Shtanën në Google, shigjeta të çon drejt liqenit; ndoshta është një fshat që nuk ekziston më. Por edhe kur ekzistoi, ishte i humbur diku thellë. E si mund të prodhojë ky fshat doktorë për të shëruar menjëherë kancerin në Shqipëri?

Edhe mjekët e tjerë që u kapën, të gjithë janë: O nga një fshat i Burrelit, o nga një fshat i Pogradecit, o nga një fshat i Korçës... Asnjëri prej tyre nuk ka lidhje fëmijërie, rritjeje a shkollimi me Tiranën. Domethënë të gjithë janë nga ‘Shtana’. Por ta heqin kancerin menjëherë.

Ky është një tjetër kancer i shoqërisë sonë. Tirana nuk ka më elitë; Tirana nuk ka më as qytetarë, e jomë të themi të ketë fisnikëri.

Mjeku i kancerit vjen nga Shtana. Merre me mend. Kështu u mbush politika këto 30 vjet, të gjithë ‘të mëdhenjtë’ e politikës- nga Shtana.

Një nga presidentët e Republikës dhe kryeministër ishte nga Vicitoli, dmth Shtana e Tropojës. Një president e kryeministër tjetër, nga Qepani, dmth nga Shtana e Skraparit. Një kryetar Kuvendi nga fshati Borje, më larg se Shtana; dhe një kryetar tjetër nga Salaria e Tepelenës... Muli i fundit i ‘qeverisë Shtana’ vjen nga prapa Gjalicës.

Merri të gjithë këta e do të dalin me sytha, sepse secili sjell dikë nga fshati i tij dhe e bën të madh në Tiranë

Shoqëria vdes më shumë nga ky ‘kancer’./Pamfleti

doktori në shtanë qeveria nga shtana