TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Dhjetor 2025, 16:32

Telegram nga përtej Atlantikut për autokratët e Ballkanit!

Shkruar nga Pamfleti
Telegram nga përtej Atlantikut për autokratët e Ballkanit!
Rama-Vuçiç, foto e gjeneruar nga IA

Administrata amerikane po dërgon sinjale të qarta, ndaj liderëve autokratikë të Ballkanit. Pas Aktit për Demokracinë dhe Mirëqenie, SHBA përshëndeti zgjedhjet në Kosovë dhe uroi qeverinë e re, ndryshe nga sa ndodhi me zgjedhjet në Tiranë.

Në Uashington, Ballkani nuk është më prioritet i përditshëm, por as territor i harruar. Ai trajtohet si një dosje që hapet sa herë që ndërthuren interesat e mëdha amerikane: përballja me Rusinë, frenimi i Kinës dhe mbajtja nën kontroll e një rajoni që historikisht ka prodhuar kriza. Pikërisht në këtë logjikë duhen lexuar edhe sinjalet e fundit që vijnë nga SHBA.

Miratimi i Aktit për Demokracinë dhe Mirëqenien në Ballkanin Perëndimor në Kongres nuk është një shpallje lufte ndaj liderëve të rajonit, por as një kartolinë miqësore. Është një kujtesë e ftohtë se sanksionet ekzistuese nuk do të hiqen dhe se dera për masa të reja mbetet e hapur. Mesazhi është i qartë: Uashingtoni nuk ka ndërmend të shpërblejë stabilokracinë, korrupsionin apo manipulimin zgjedhor, edhe nëse ato maskohen si “stabilitet”.

Në këtë kuadër, alarmi amerikan për korrupsionin në Ballkan po bëhet gjithnjë e më i zëshëm, edhe kur nuk shoqërohet me konferenca shtypi. Administrata amerikane dhe Kongresi janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm se korrupsioni nuk është më thjesht problem i brendshëm i vendeve të rajonit, por një portë hyrëse për ndikimin rus dhe kinez. Prandaj, çdo regjim që ndërton pushtetin mbi kapjen e institucioneve, drejtësinë selektive dhe ekonominë klienteliste, duhet ta llogarisë veten si kandidat për presion, jo për lehtësim.

Shqipëria është një shembull domethënës i këtij realiteti të ri, edhe pse kryeministri nuk e pranon dhe sot shkoi deri aty sa të shante amerikanët. Fitorja elektorale e Edi Ramës u shoqërua me retorikë triumfaliste në Tiranë, por jo me urime nga Uashingtoni. Ambasada amerikane zgjodhi heshtjen. Një heshtje që në diplomaci vlen më shumë se një deklaratë kritike. Ajo sugjeron se SHBA nuk janë të bindura nga narrativa e zgjedhjeve “model”, ndërsa shqetësimet për kapjen e shtetit dhe korrupsionin sistemik mbeten të gjalla.

Në kontrast të plotë, sot Ambasada e SHBA në Prishtinë përshëndeti qartë dhe publikisht zgjedhjet në Kosovë, duke deklarur se "mezi pret të punojë me qeverinë e re". Ky dallim nuk është formal. Është politik. Uashingtoni po tregon se ende di të bëjë diferencën mes proceseve që, me gjithë problemet, respektojnë rregullat e lojës demokratike dhe atyre që i përdorin zgjedhjet si mekanizëm legjitimimi për pushtetin e përqendruar.

Edhe Serbia, ndonëse për arsye të tjera, ndodhet nën të njëjtën lupë. Referencat direkte për parregullsitë zgjedhore dhe shtypjen e protestave, si dhe mungesa e çdo sinjali për lehtësim sanksionesh, tregojnë se Beogradi nuk është më në zonën e rehatisë diplomatike. Përkundrazi, mesazhi është se çdo afrim me Moskën dhe Pekinin do të ketë kosto konkrete.

Në tërësi, Ballkani po hyn në një fazë ku SHBA nuk premtojnë shumë, por paralajmërojnë qartë. Nuk do të ketë heqje automatike sanksionesh, nuk do të ketë indulgjencë për korrupsionin dhe nuk do të ketë mbështetje pa kushte për liderë që ngatërrojnë stabilitetin me autoritarizmin. Kush e lexon drejt këtë telegram nga Uashingtoni, do të kuptojë se heshtja amerikane nuk është boshllëk, është paralajmërim.

Dhe ndoshta ky është mesazhi më i fortë për autokratët e Ballkanit: SHBA nuk janë më të interesuara t’ju mbajnë në këmbë, por janë gati t’ju lënë të përballeni vetëm me pasojat. /Pamfleti

shba autokratet telegram

1 Komente

  1. T
    Tony

    Tralala zura nje gale iken shoqet e s'ma pane, i thone kesaj.

    Lini një Përgjigje

    Editorial