Amerika po e shet Ukrainën, Europa s’ka më kohë për të hezituar...
Volodymyr Zelensky është sot në Londër për t’i kërkuar Europës atë që Amerika po ia mohon: dinjitet!
Pas më shumë se 1300 ditësh lufte, me qindra mijëra të vrarë dhe me qytete të shndërruara në rrënoja, Perëndimi po e trajton fatin e Ukrainës si një çështje marketingu diplomatik. Shtetet e Bashkuara, të përfshira në kalkulime të brendshme politike dhe një opinion publik të lodhur nga luftërat, po e shtyjnë Kievin drejt një “paqjeje” që, në thelb, është kapitullim me letra.
Propozimet që burojnë nga bisedimet e Majamit janë të rrezikshme: garanci sigurie për Ukrainën, por jo rikthim territoresh. E thënë më troç: “mbani flamurin, harrojeni tokën.” Ndërkohë, Rusia gëzon, Putini hesht dhe pret që Perëndimi të fundoset në vetëkundërshtimet e tij. Kjo nuk është diplomaci, është një pazar cinik në kurriz të një kombi që po lufton për ekzistencë.
Ndryshe nga Uashingtoni, liderët evropianë, me të gjitha pasiguritë dhe frikërat e tyre, po e mbajnë ende barrën morale dhe financiare të luftës. Londra, Berlini dhe Parisi e dinë se paqja që nënkupton dorëzimin e territoreve është vetëm një qetësi e përkohshme para stuhisë. Ata e dinë se një Ukrainë e copëtuar është hyrja e ardhshme e tankeve ruse në kufijtë e tyre.
Prandaj, vizita e Zelenskyt në Londër është një moment prove, jo për Ukrainën, por për ndërgjegjen evropiane.
Zelensky nuk kërkon më simpati. Ai kërkon që Perëndimi të mbajë fjalën. Dhe nëse Amerika zgjedh të tërhiqet, Europa duhet të zgjohet. Tani. Sepse herën tjetër, nuk do të jetë Ukraina ajo që kërkon ndihmë, por vetë Europa që do të kërkojë shpëtim./Pamfleti
Humbën! Ngule në kokë këtë mendim përpara se të broçkullitësh! E shtynë Ukrainën në luftë për një fitore të lehtë ndaj Rusisë,Viktoria Baxhellland dhe Boris Pjellori .. Ju mundi muzhiku,tani bëjini shurrën bahçes!