Ekonomi22 Janar 2024, 19:24

6 miliardë eurot e Brukselit për Ballkanin Perëndimor; çfarë përfiton Shqipëria nga plani i BE?

Shkruar nga Pamfleti
6 miliardë eurot e Brukselit për Ballkanin Perëndimor;
Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen

Plani i rritjes prej 6 miliardë eurosh i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor konsiderohet si një mjet i fuqishëm që do të mund të dyfishojë madhësinë e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me përthithjen e këtyre fondeve, në formën asistencës asistencës financiare për të ndihmuar reformat, ku 2 miliardë euro do të jenë grante dhe 4 miliardë euro kredi nga 2024 deri në 2027,  Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të mund të integrohen paraprakisht në tregun  e përbashkët evropian, duke lehtësuar jetën e individëve dhe bizneseve rezidentë në secilin shtet.

Por çfarë do të përfitojnë konkretisht qytetarët?  Me integrimin në tregun e brendshëm evropian, vlerësohet se vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët shqiptarë që jetojnë në shtetet Evropiane, siç janë dërgesat e parave për familjet e tyre dhe për sipërmarrjet e tyre të vogla në Shqipëri, parashikohet që ata të mund të kursejnë mbi 20 milion euro në vit.  Nga ana tjetër, janë miliona euro që bizneset e rajonit dhe shpenzojnë ndërkohë që janë jashtë konkurrencës me kompanitë evropiane, të cilat për të njëjtat gjëra nuk ka nevojë të bëjnë shpenzime të tyre sepse shfrytëzojnë mekanizmat që janë brenda tregut të Bashkimit Evropian.

Plani i ri parashikon fillimisht integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët, proces i cili do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e këtij tregu dhe paralelisht hapje e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje. Hapja e tregut rajonal parashikohet të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Ballkanit Perëndimor me 10 për qind. Reformat janë një tjetër hallkë e rëndësishme e planit, çka nënkupton sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal. Dhe në fund do të aplikohet shpërndaja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat, prej 6 miliardë eurosh.

Në kuadër të integrimit të rajonit, ka qenë edhe Procesi i Berlinit, një iniciativë e nisur në vitin 2015 që synoi rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.  Në vijim të saj, për të forcuar bashkëpunimin në rajon u ndërmor iniciativa tjetër “Open Balkan”, ku pjesë e saj u bënë vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut./ SCAN

6 miliardë euro be shqipËria