Ekonomi 4 Prill 2023, 14:31

Aferat me rrugët/ Pas kontratave 59 milionë euro të tre akseve, shpallen dhe ato të mbikëqyrjes

Shkruar nga Pamfleti

Aferat me rrugët/ Pas kontratave 59 milionë euro të tre akseve,

Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi javën e kaluar disa procedura të rëndësishme prokurimi për investime në vepra të ndryshme infrastrukturore me një vlerë prej rreth 52 milionë eurosh.

Këtë të javë ARRSH çeli edhe tre procedura të tjera të lidhura me mbikëqyrjen e tre prej këtyre kontratave që janë në fazë tenderimi.

E para është kontrata që ka në objekt “Supervizion punimesh Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafe- Thane (Faza II)” me një fond limit 20.6 milionë lekë, e dyta, “Supervizion punimesh Sistemim asfaltim rruga Ura e Cerenecit – Peshkopi (Peshkopi – Maqellarë), Loti 3” me fond limit 11.3 milionë lekë dhe e treta “Supervizion punimesh Plotësimi i punimeve të mbetura në aksin Porto Romano – Durrës Loti 3” me fond limit 5.7milionë lekë.

Lidhur me tenderin për plotësimin e aksit Porto Romano – Durrës Loti 3 dokumentet parashikojnë përfundimin e punimeve në këtë lot si dhe disa rrugëve dytësore, i cili ka ardhur në bazë të rishikimit të projektit të lotit 3 nga mbikëqyrësi i punimeve.

Për zgjerimin e Elbasan-Qafë Thanë nga ana e Investitorit (ARRSH) kërkohet që të realizohet një ndërhyrje në përmirësimin e kushteve të lëvizjes në segmentin ekzistues rrugor nga dalja e qytetit të Elbasanit deri në Qafë Thanë. Gjatësia totale e projektit është 50.12 km.

Kurse për Sistemim asfaltim rruga Ura e Çerenecit – Peshkopi përmirësimi parashikon nisjen e ndërhyrjes nga kilometri zero në fshatin Herbel në drejtim të Peshkopisë dhe përfundon në kilometrin 8.52, ku bashkohet me unazën e qytetit Peshkopi.

Gjurma e rrugës do të ndjekë pjesërisht gjurmën e rrugës ekzistuese dhe në shumë vende të tjera do të ketë gjurmë tërësisht të re, duke eliminuar një pjesë të madhe të kthesave ekzistuese të rrezikshme për sigurinë e qarkullimit të mjeteve.

Për plotësimin e punimeve të mbetura në aksin Porto Romano – Durrës Loti 3” fondi limit është 499 milionë, zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafe – Thane (Faza II) 2.5 miliardë lekë dhe “Sistemim asfaltim rruga Ura e Çerenecit – Peshkopi (Peshkopi – Maqellarë), Loti 3”, 1.24 miliardë lekë. /Monitor

rruget tender arrsh