Ekonomi22 Maj 2024, 12:39

Kërcënimi i mbylljes së transaksioneve në dollarë kolapson ekonominë shqiptare

Shkruar nga Pamfleti

Kërcënimi i mbylljes së transaksioneve në dollarë

Raiffeisen Bank zotëron rreth 15% të portofolit financiar në tregun shqiptar, rënia e së cilës ndikon në një masë të konsiderueshme në ekonominë tone…

Janet Yellen, Sekretarja e Thesarit në SHBA, ka kërcënuar bankat gjermane, austriake kryesisht, por edhe të tjera në Europë, se SHBA do të mbyllë transaksionet në dollarë.

Sekretarja Amerikane e ka justifikuar paralajmërimin e saj në dyshimin se vijon tregtia financiare ndërmjet Rusisë edhe Europës, edhe pse Moskës i janë vënë sanksione.

Por në thelb ky vendim nëse merret, më shumë se dëmton Europën, shkatërron ata vende që transaksionet më të mëdha financiare i kanë në monedhën amerikane.

Shqipëria është vendi më i prekur në rajonin tonë, pasi edhe pse është tashmë një pjesë jo e vogël e eurozonës, shumicën dërmuese të lëvizjeve në bilanc i ka në dollarë.

E kjo mund të sjellë një bllokim total të të gjithë sistemit bankar në vend, i cili në monedhën amerikane ka jo vetëm depozitat e llogaritë, por edhe rezervat.

Shqipëria nuk është as Mali i Zi dhe as Kosova, e cila që prej vitit 2000 kanë hyrë në zonën e monedhës evropiane, në fillim me markën e më pas me euron. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në sistemin e pagesave me dollarë, madje edhe në periudhën e komunizmit. Një sistem pagesash që ka krijuar qëndrueshmëri, dhe secila bankë që ka hyrë këtu e ka parë si një aset ekonomik të një rëndësie të veçantë.

Jo më kot Presidenti Amerikan Bill Clinton inicioi hapjen e së parës bankë amerikane në rajon, siç ishte Banka Amerikano Shqiptare. Një trust ekonomik që rezultoi efikas dhe i aftë të rrisë kapacitetet e saja jo vetëm në të ardhura, por çfarë është më e rëndësishmja në investime dhe burime njerëzore.

Shqipëria është vend i dollarit ‘par exellance’ në Europë, edhe pse i vogël, e ndaj ka përfituar në fonde investimesh që kanë mbërritur edhe nga Azia, apo Afrika.

Çdo shoqëri investitore e kanë parë Shqipërinë si portë dollari të tregtisë monetare, jo vetëm në rajon.

Ndaj do të duhej që këtë paralajmërim qeveria dhe Banka e Shqipërisë ta marrë seriozisht e të bëjë hapat e duhura për ta shmangur.

Mund të ketë propozime apo rrugë të ndryshme, por më adekuatja duket ajo e mbajtjes së Shqipërisë në zonën amerikane të dollarit, që jo vetëm vendi ynë do të ketë përfitime, por edhe vetë ‘dollar zona’ do të mbajë një urë komunikimi në sistemin e komplikuar financiar të Europës në rast të një bllokimi.

Por këtë duhet ta bëjë menjëherë Banka e Shqipërisë edhe qeveria. Sepse në një situatë kaosi, vërtetë se mund të ketë një çorientim të transfertave apo rritjeve të euros në portofolin bankar, por në plan afatgjatë, mund të thahen të ardhurat në dollarë, ç’ka mund ta kolapsojë ekonominë në një kohë të shkurtër, aq sa të rrezikojë edhe pagesat, duke nisur nga rrogat e pensionet./Pamfleti

ekonomia shqiptare kërcënimi raiffeisen bank