TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Korrik 2026, 16:07

Jurgen Klop drejt pankinës së Gjermanisë; zbulohen detajet e kontratës, stafi dhe paga

Shkruar nga Pamfleti
Jurgen Klop drejt pankinës së Gjermanisë; zbulohen detajet e
Jurgen Klop

Sipas të përditshmes gjermane “Die Welt”, Jurgen Klop është shumë pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë. Marrëveshja pritet të jetë e vlefshme deri në përfundim të Kupës së Botës 2030, ndërsa finalizimi i saj mund të ndodhë gjatë një takimi në New York.

Raportohet se presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Nojendorf, dhe presidenti i Ligës Gjermane të Futbollit, Hans-Hokim Vacke, do të udhëtojnë këtë fundjavë drejt Shteteve të Bashkuara për të diskutuar dhe mbyllur detajet e fundit të kontratës me ish-trajnerin e Liverpulit.

Gjithnjë sipas “Die Welt”, Klop pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare, e cila do t’i japë mundësinë të drejtojë Gjermaninë në Kampionatin Evropian 2028 dhe në Kupën e Botës 2030. Ai pritet të përfitojë një pagë disi më të lartë se paraardhësi i tij, Julian Nagelsman, i cili thuhet se përfitonte deri në 7 milionë euro në vit. Megjithatë, media gjermane thekson se aspekti financiar nuk ka qenë vendimtar në negociata.

Një nga çështjet kryesore ka qenë marrëdhënia e Klop me grupin Red Bull, ku ai aktualisht mban postin e Drejtorit Global të Futbollit me një kontratë që zgjat deri në vitin 2029. Sipas raportimeve, nuk do të ketë dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të kësaj kontrate. Klop pritet të vijojë bashkëpunimin me Red Bull në rolin e ambasadorit të markës, një zgjidhje që konsiderohet më e vlefshme për të dyja palët.

Sa i përket stafit teknik, ndihmësi i parë i Klop pritet të jetë Peter “Piet” Kraujec, bashkëpunëtori i tij i kahershëm që nga periudha te Borusia e Dortmundit dhe Liverpulit. Ndërkohë, asistenti i dytë pritet të jetë holandezi Pepijn Lijnders, ish-zëvendësi i Klop te Liverpuli, i cili së fundmi ka qenë pjesë e stafit të Pep Guardiolës te Mançester Siti.

Edhe çështjet që lidhen me sponsorët duket se janë drejt zgjidhjes. Sipas “Die Welt”, Klop nuk ka konflikte me partnerët kryesorë komercialë të Federatës Gjermane të Futbollit, ndërsa kontrata e tij personale me Adidas do të përfundojë pas Kupës së Botës 2026 dhe nuk do të rinovohet.

Nëse marrëveshja finalizohet, angazhimi i parë publik i Klopp si trajner i Gjermanisë pritet të jetë prania në Superkupën e Gjermanisë mes Borusias së Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut, e planifikuar të zhvillohet më 22 gusht.

Takimi në New York pritet të shërbejë jo vetëm për mbylljen e detajeve të projektit sportiv, por edhe për forcimin e marrëdhënieve mes Klop dhe drejtuesve të DFB-së. Sipas “Die Welt”, kjo do të përsëriste një precedent të vitit 2004, kur Federata Gjermane formalizoi në të njëjtin qytet marrëveshjen me Jurgen Klinsman për drejtimin e kombëtares.

Nëse emërimi konfirmohet zyrtarisht, Jurgen Klop do të bëhet trajneri i 13-të në historinë e kombëtares gjermane.

 

jurgen klop kombëtarja e gjermanisë

Lini një Përgjigje