TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi16 Tetor 2025, 10:12

Skandal/ Tatimet në “të zezë”: Nuk paguajnë sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre

Shkruar nga Pamfleti

Skandal/ Tatimet në “të zezë”: Nuk paguajnë

Prej katër vitesh, Drejtoria e Tatimeve nuk paguan sigurimet shoqërore e shëndetësore për stafin e saj; fondet zhduken, ndërsa qeveria kërcënon bizneset për evazion...

Nëse një subjekt privat vonon pagesën e sigurimeve shoqërore apo shëndetësore edhe për një punonjës të vetëm, Tatimet vendosin gjoba, bllokojnë llogaritë bankare dhe aktivitetin, madje në disa raste kërkojnë edhe konfiskim pasurie. Por institucioni që kontrollon dhe ndëshkon të tjerët për evazion, prej vitesh e ushtron vetë këtë praktikë.

Burime brenda Ministrisë së Financave kanë konfirmuar për “Pamfletin” se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe degët rajonale nuk kanë paguar sigurimet shoqërore e shëndetësore të punonjësve të tyre që prej tre deri në katër vjetësh.

Sipas ligjit, detyrimet financiare për sigurimet e punonjësve të institucioneve publike kalojnë përmes Thesarit të Shtetit, bashkë me listëpagesat mujore. Por drejtuesit e Tatimeve kanë dërguar në bankë vetëm pagat, ndërsa fondet e sigurimeve, të parashikuara në buxhetin vjetor, nuk janë transferuar.

Në praktikë, kjo do të thotë se punonjësit e shërbimit tatimor, institucion që financohet 100% nga buxheti i shtetit, punojnë “në të zezë”, edhe pse besojnë se janë të siguruar. Ndërkohë, drejtuesit kanë paguar rregullisht sigurimet e tyre personale, duke i përjashtuar vartësit.

Në strukturën aktuale të Tatimeve, deri në fund të vitit 2022 figuronin 1450 punonjës, ndërsa gjatë 2023-2025 janë shtuar edhe 298 të tjerë, përfshirë 40 në administratën qendrore, 30 në Drejtorinë Rajonale Tiranë, 33 në Fier, 22 në Elbasan dhe 50 në degët e Vlorës e Sarandës. Asnjë prej tyre nuk ka të regjistruara pagesat e sigurimeve në dosjet personale pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore.

Burime të brendshme sqarojnë se Tatimet u kanë mbajtur punonjësve kontributet nga paga, por nuk i kanë derdhur në arkën e sigurimeve shoqërore, duke krijuar një skemë të pastër mashtrimi financiar me pasoja të rënda ligjore.

Ironia është se ndërsa vetë institucioni nuk zbaton ligjin, Edi Rama flet publikisht për “evazionin fiskal” si shkak të pensioneve të ulëta, duke kërcënuar me mbyllje bizneset që nuk shlyejnë detyrimet për punonjësit.

Në realitet, Tatimet, që duhet të jenë modeli i ligjshmërisë, janë shndërruar në shembullin më të qartë të hipokrizisë shtetërore, ku abuzimi me taksat dhe sigurimet e punonjësve mbulohet me heshtje institucionale dhe me propagandën e Bablokut për “drejtësi fiskale”./Pamfleti

tatimet sigurime shoqërore

2 Komente

  1. T
    Tatimi

    Nuk e di sa i vertete eshte ky lajm.Cdo punonjesi i duhen 30 sekonda te vertetoje nese i jane paguar sigurimet apo jo

    1. g
      gj

      Po eshte e vertete, verifikohet kollaj. Ju te pamfletit shikoni se tatimet po marrin pa fund bisneset ne telefon me dhjetra here per detyrimet koherente. Nuk shikojne te punojne por jane bere call center duke marre bisneset pa fund. Boll hall ka bisnesi qe nuk ka leke te paguaje por dhjetra telefonata qe i bejne presion per pagesat e tatimit. Nderkohe qe ligji e ka te percaktuar, nese paguan me vonese ke gjoba dhe kamatvonesa.

    Lini një Përgjigje