TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi24 Qershor 2026, 15:34

U paralajmërua se mund të rritej çmimi i biletës, transporti urban përjashtohet nga detyrimi për pagesat me kartë!

Shkruar nga Pamfleti
U paralajmërua se mund të rritej çmimi i biletës,
Foto ilustruese

Sipas ministrisë, përjashtimi lidhet me mënyrën e shitjes së biletave dhe aboneve.

Transporti publik urban brenda qyteteve nuk do të ketë detyrim ligjor për të mundësuar pagesat me kartë bankare. Ministria e Financave ka sqaruar përmes një letre drejtuar kompanive të transportit se operatorët e autobusëve urbanë janë të përjashtuar nga detyrimi për instalimin e terminaleve POS, për shkak se nuk kanë detyrim për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave në kushtet aktuale të operimit.

Sipas ministrisë, përjashtimi lidhet me mënyrën e shitjes së biletave dhe aboneve. Në rastet kur bileta ose aboneja i jepet pasagjerit drejtpërdrejt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person i autorizuar, operatorët nuk kanë detyrim të lëshojnë faturë të fiskalizuar për shërbimin e ofruar.

“Rezulton se operatorët e transportit publik urban brenda qytetit (autobusët), duke qenë të përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar dhe fiskalizuar fatura për furnizimet që kryejnë, nëse bileta ose aboneja u jepet pasagjerëve direkt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person i autorizuar, rrjedhimisht janë të përjashtuar edhe nga detyrimi ligjor për t’u pajisur me terminal ‘POS/POI’ në çdo pikë shitjeje, në rastin konkret në çdo autobus urban individual që operon brenda qytetit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Detyrimi për instalimin e pajisjeve që mundësojnë pagesat me kartë kishte hyrë në fuqi për subjektet që operojnë në sektorin e transportit dhe atë të strukturave akomoduese, me afat zbatimi deri më 30 maj.

Megjithatë, operatorët e transportit urban kundërshtuan zbatimin e këtij detyrimi, duke argumentuar se ai do të sillte kosto shtesë dhe paqartësi mbi mënyrën praktike të funksionimit të pagesave elektronike në autobusë.

Sqarimi i Ministrisë së Financave i jep fund paqartësive për operatorët e transportit publik urban, duke konfirmuar se ata nuk janë të detyruar të instalojnë terminale POS për pagesat me kartë në mjetet e tyre.

transporti publik urban

Lini një Përgjigje