TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota2023-05-26 21:06:00

Vuçiç nxjerr në shesh militantët dhe mban fjalimin e “lamtumirës”: Kjo është fjala e fundit si kryetar i SNS, gati për dialog me opozitën

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç nxjerr në shesh militantët dhe mban fjalimin e

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka mbledhur sot në një tubim mbështetësit e tij, në atë që mediat pranë e tij e quajnë tubimi më i madh në histori. Duke qenë se në dy protesta ka pasur qindra mijëra persona në shesh, Vuçiç tentoi të tregojë forcën. Por duket se në krahun e tij nuk ishte as natyra, kjo sepse para se të fliste presidenti, nisi një shi i rrëmbyeshëm dhe bëri që shumë njerëz të ikin.

Ndonëse kishte paralajmëruar se do e dërgojë vendin në zgjedhje, Vuçiç jo vetëm që nuk e artikuloi një gjë të tillë, por i shtriu opozitës dorën e dialogut.

“I ftoj në bisedë dhe dialog edhe ata politikanë, për të cilët mendoj më të keqen. Nga nesër dera ime është e hapur për secilin prej tyre, për të zgjidhur problemet në institucionet e sistemit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se problemet nuk zgjidhen në autostradë, duke aluduar në dy protestat e mëparshme qytetare, ku dhjetëra mijëra demonstrues bllokuan autostradën në urën Gazela në Beograd. Sipas tij, atyre politikanëve nuk u interesonin fëmijët, por si ta largojnë atë nga pushteti.

“Ju ftoj të bisedojmë, por nuk do të ketë qeveri tranzitore. Qeveria do të zgjidhet në zgjedhje", tha Vuçiç.

Presidenti deklaroi tha se pas masakrës në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd dhe në fshatrat përreth Mlladenovcit, Qeveria e Serbisë ka zbatuar një sërë masash për uljen e dhunës.

Vuçiç tha se po fliste për herë të fundit si kryetar i SNS-së.

“Për njëmbëdhjetë vjet, i shërbeva me besim dhe besnikëri shtetit dhe popullit tim. Unë kam qenë kryetar i Partisë Përparimtare Serbe për njëmbëdhjetë vjet. Nesër, dikush tjetër do të marrë në dorë Partinë Progresive Serbe time, tuajën, tonën”, tha Vuçiç.

Ai tha se nga e shtuna partinë e marrin “disa njerëz të mrekullueshëm” dhe se nga 28 qershori nisin formimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin.

Të tubuarve para Kuvendit Popullor, u është drejtuar edhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijarto. Ai tha se Hungaria dhe Serbia janë të ekspozuar ndaj sulmeve, sepse liderët e tyre “dëshirojnë paqe në Ukrainë, luftojnë për vlerat familjare dhe nuk duan t’u shërbejnë interesave të huaja”.

“Ata do të na sulmojnë, sepse nuk mund të pranojnë që ne hungarezët dhe serbët ndjekim interesat tona kombëtare dhe të jemi të suksesshëm”, tha Szijarto.

Presidenti i Republikës Sërpska, që është njëra nga entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik tha nga skena se ka ardhur për të mbështetur Serbinë dhe në fund të fjalës së tij tha: “Rroftë Serbia, rroftë Rusia, rroftë Republika Sërpska”.

SNS-ja e quajti tubimin “Serbia e shpresës”, ndërsa thirrjen për të marrë pjesë në të e bëri presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të tij.

 

vucic

Lini një Përgjigje