
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se mashtronte qytetarët duke u marrë para për riparimin e automjeteve, por nuk kryente punimet e premtuara.
Sipas hetimeve, në disa raste ai ka tentuar edhe të shesë mjetet që pronarët i kishin lënë në servis.
Operacioni i koduar “Skema”, i zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, çoi në prangosjen e pronarit të një servisi automjetesh në zonën e Astirit, shtetasit Mirjan Hasa, 37 vjeç.
Hetimet nisën pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët pretenduan se kishin paguar për riparimin e automjeteve të tyre, por mjetet nuk ishin rregulluar. Deri tani janë dokumentuar gjashtë raste mashtrimi, ku 37-vjeçari dyshohet se ka përfituar para nga klientët pa përmbushur shërbimet e premtuara.
Sipas Policisë, përveç mashtrimit, ai dyshohet se në disa raste ka tentuar të nxjerrë në shitje automjetet që i ishin besuar për riparim.
Gjatë operacionit u sekuestruan pesë automjete të gjetura në ambientet e servisit, të cilat do t’u rikthehen pronarëve të tyre.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar raste të tjera të mundshme mashtrimi nga ana e 37-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
"Arrestohet pronari i një servisi automjetesh në Astir, për mashtrim. Dokumentohen 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga ky shtetas.
I arrestuari, përveçse nuk ka riparuar automjetet për të cilat është paguar, në disa raste ka tentuar t’i shesë ato.
Sekuestrohen nga ambientet e subjektit, 5 automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim.
Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia;
Lini një Përgjigje