TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Shtator 2025, 10:48

11 Shtatori: Fillimi apo fundi i terrorizmit?

Shkruar nga Gjergj Zefi

11 Shtatori: Fillimi apo fundi i terrorizmit?

24 vjet pas sulmit që tronditi botën, Perëndimi vazhdon të jetojë me mitin se terrorizmi u mund. Në të vërtetë, ai vetëm është transformuar dhe legalizuar...

11 Shtatori i vitit 2001 u konsiderua si “dita që ndryshoi botën”. Në fakt, ishte dita që tregoi sa pak e njihnim planetin ku jetonim.

Ndërsa ekranet shpërndanin në kohë reale rrëzimin e Kullave Binjake, qytetërimi perëndimor përjetonte jo vetëm një sulm fizik, por një krizë të thellë konceptuale, atë të sigurisë së rreme dhe arrogancës së padijes.

Brenda pak orësh, një organizatë e panjohur për publikun e gjerë, Al-Kaida, u bë emri më i frikshëm në planet. Osama bin Laden u kthye në djallin e ri të botës, dhe fjala “terrorizëm” u bë justifikimi për çdo vendim të mëvonshëm ushtarak, diplomatik, ligjor apo ideologjik.

Por çfarë ndodhi realisht pas asaj dite?

SHBA nisi dy luftëra: një në Afganistan, që zgjati 20 vjet dhe përfundoi me kthimin e talebanëve në pushtet, dhe një tjetër në Irak, të bazuar mbi gënjeshtra për armë bërthamore, që solli lindjen e ISIS-it. Pra, në vend që të shuhej terrorizmi, u ushqye. U shtuan grupet, u përhap doktrina e dhunës, dhe mbi të gjitha, u kthye në një mjet të përdorshëm për shumë shtete dhe aktorë që kërkonin të ndryshonin botën përmes frikës.

Terrorizmi nuk është më ai i vitit 2001. Ai nuk ngjitet më në avionë, nuk jeton në shpella dhe nuk vesh rroba të bardha.

Sot, terrorizmi ka zyra, financime, diplomatë, madje edhe përfaqësim në institucione ndërkombëtare. Disa shtete e përdorin si strategji të jashtme, disa e prodhojnë si biznes, dhe disa të tjerë si alibi për shtypjen e çdo forme kundërshtimi të brendshëm.

Nëse më 11 Shtator terrori vinte nga jashtë sistemit, sot ai është bërë pjesë e sistemit. Nga lufta kibernetike te destabilizimi ekonomik, nga manipulimi i zgjedhjeve te gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale; jemi përballë një forme shumë më të sofistikuar, më të qetë dhe më të pranueshme të terrorit. Jo më me bombë në dorë, por me laptop në zyrë. Jo më me thirrje fetare, por me ligj ndërkombëtar.

Perëndimi i vitit 2025 nuk është më ai i 2001-shit. Sot është më i pasigurt, më i përçarë dhe më i lodhur. Dhe pikërisht kjo gjendje është terreni ideal për çdo formë terrorizmi modern, që nuk ka më nevojë të godasë kullat, sepse e ka fituar luftën në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Në një botë ku cinizmi ka zëvendësuar idealin dhe relativizmi ka zëvendësuar të vërtetën, terrori është bërë thjesht një mënyrë tjetër për të qeverisur.

A ishte 11 Shtatori fundi i terrorizmit?

Jo! Ishte fillimi i një epoke të re, ku terrori nuk luftohet më në fronte, por në narrativë. Dhe në këtë luftë të re, armiku është më i qetë, më inteligjent dhe, më e keqja, shpesh më i pranueshëm./Pamfleti

11 shtatori fillimi apo fundi i terrorit

Lini një Përgjigje