TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Nëntor 2025, 11:13

21 Janari, anatomia e një krimi shtetëror

Shkruar nga Ilir Çumani

21 Janari, anatomia e një krimi shtetëror

SPAK gjendet mes dy zjarreve: presionit të opinionit publik që kërkon të vërtetën dhe presionit politik që kërkon kontrollin e narrativës.

Hetimi i SPAK nuk mund të jetë selektiv. Katër qytetarë u vranë në bulevard dhe pas 14 vitesh vendi ka nevojë për një të vërtetë të plotë, jo për narrativë politike.

SPAK ka rihapur dosjen e 21 janarit, por besimi publik do të rikthehet vetëm nëse thirren të gjithë aktorët e asaj dite, nga zinxhiri komandues i Gardës te drejtuesit politikë të kohës. Çdo shmangie apo kufizim e kthen drejtësinë në instrument politik dhe e lë tragjedinë si plagë të hapur. Shqipëria ka nevojë për një hetim të ndershëm, të plotë dhe transparent, që të vendosë përgjegjësinë reale për vrasjen e katër qytetarëve.

Ngjarjet e 21 janarit 2011 mbeten një nga ato plagë të rënda që as shoqëria, as shteti, as politika nuk kanë arritur t’i mbyllin kurrë me dinjitet.

Ato orë të tensionuara e kthyen bulevardin e Tiranës në skenë tragjedie, ku katër qytetarë të pafajshëm humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ndërsa institucionet që duhej të mbronin jetën u zhdukën pas mjegullës së urdhrave të paqartë dhe vendimeve me çmim të lartë njerëzor.

Që prej asaj dite, në vend të sqarimit, është prodhuar një re e madhe tymi politik që ka mbuluar thelbin e ngjarjes, duke e lënë të vërtetën të endet si fantazmë mes sallave të gjyqeve dhe kujtesës së njerëzve.

Rihapja e çështjes nga SPAK është ndoshta lëvizja e vetme institucionale që mund ta çojë vendin drejt një përgjigjeje shteruese.

Por një hetim me këtë ngarkesë historike nuk mund të reduktohet në dëgjimin e një pale të vetme politike ose në thirrjen e një figure të izoluar të asaj kohe. Nëse synohet realisht një proces serioz, ai duhet të jetë gjithëpërfshirës, objektiv dhe i pandikuar, me synim të qartë për të ndriçuar çdo skutë të errët të këtij krimi të rëndë shtetëror.

Çdo tendencë selektive do ta kthente përpjekjen për drejtësi në një akt tjetër politik, duke fundosur besimin e publikut. Hetimi duhet të përfshijë çdo individ që ka pasur rol atë ditë, nga zinxhiri komandues i Gardës, te strukturat policore dhe drejtuesit politikë të të dy palëve.

Në tri dekada pluralizëm kemi mësuar një të vërtetë të hidhur: drejtësia e cunguar është formë e padrejtësisë. Prandaj shumë zëra kërkojnë që prokuroria të thërrasë të gjithë ata që duhet të flasin, jo vetëm personat sot nën akuzë, por edhe ata që atëherë mbanin përgjegjësi dhe sot paraqiten si spektatorë të largët.

Në një ngjarje ku katër qytetarë janë vrarë me armë zjarri, çdo heshtje është pengesë reale për zbardhjen e së vërtetës. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar nga hetimi, as nga pyetjet, as nga përgjegjësia morale, as nga ajo ligjore.

Ky është rregulli minimal i drejtësisë që Shqipëria ka kërkuar prej vitesh dhe që sot nuk mund ta shmangë.

Është e pabesueshme se si, për 14 vite me radhë, institucion pas institucioni ka shmangur qartësimin e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, pikërisht aty ku fshihet misteri kryesor: kush dha urdhrin dhe kush mori përsipër përgjegjësinë për përdorimin e armëve?

Pse nuk u përdorën mjetet e shkallëzuara të neutralizimit të turmës? Pse protokollet standarde nuk funksionuan? Pse disa prova u zhdukën ose u modifikuan? Pse dëshmitë e autorëve të dyshuar nuk u plotësuan me deklarimet e atyre që duhej të garantonin zbatimin e rregullave?

Këto nuk janë pyetje retorike, por boshllëqe shqetësuese në zemër të një tragjedie shtetërore. Drejtësia i ka borxh shoqërisë një përgjigje të plotë, të besueshme dhe të shteruar.

Politika, nga të gjitha krahët, ka përdorur 21 janarin si armë dhe si mburojë. Secila palë ka ndërtuar narrativën e vet dhe e ka ngrirë atë si e vetmja e mundshme. Tragjedia është shndërruar në objekt propagande, ndërsa ngjarja reale është tretur në retorika elektorale.

Sot, kur SPAK ka hapur një mundësi të re hetimi, rreziku më i madh është ta kthejë këtë proces në pjesë të një loje të re politike. Pikërisht për këtë arsye, thirrja e të gjithë aktorëve të kohës është domosdoshmëri e procesit, jo luks procedural.

Çdo shmangie emrash, çdo kursim, çdo selektim i njëanshëm e minon besimin publik. Pa besim, drejtësia shndërrohet në formular të zbrazët.

SPAK gjendet mes dy zjarreve: presionit të opinionit publik që kërkon të vërtetën dhe presionit politik që kërkon kontrollin e narrativës.

Prokuroria speciale duhet të tregojë se i shërben vetëm ligjit, jo hakmarrjes politike dhe jo ekuilibrave të momentit.

Ngjarja e 21 janarit është një test kombëtar që mat pjekurinë e institucioneve. Qytetarët nuk kërkojnë spektakël, nuk kërkojnë arrestime të bujshme, por kërkojnë të dinë çfarë ka ndodhur: kush mori vendimin, pse u shtinë armët, pse nuk u mbrojtën jetët dhe pse shteti heshti. Familjet e viktimave kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi, jo hakmarrje.

Shqipëria ka nevojë për një hetim të thellë dhe të plotë, ku askush nuk fshihet pas funksioneve të sotme dhe askush nuk gëzon imunitet moral. Nëse kjo çështje mbyllet një ditë, ajo duhet të mbyllet vetëm mbi bazën e së vërtetës së plotë.

Në fund, kjo nuk është thjesht çështje juridike, por çështje identiteti kombëtar: ç’vend duam të jemi? Një vend që hesht përballë vrasjes së qytetarëve të vet, apo një vend që ka guxim të përballet me gabimet dhe fajet e vetes?

Drejtësia duhet të thërrasë të gjithë, të dëgjojë të gjithë, të hetojë të gjithë dhe të sqarojë të gjithë. Përndryshe, 21 janari do të mbetet një plagë e hapur dhe shteti peng i vetvetes.

E vërteta nuk ndahet në dysh: ose thuhet e gjitha, ose nuk thuhet fare. Ky vend nuk përballon më një heshtje tjetër. Tani është momenti që drejtësia të flasë qartë dhe e vërteta të dalë para të gjithëve.

1 Komente

  1. A
    A. B.

    O identitet kombëtar. Pa dyshim ai që vrau 4 vetë, qofshin militantë të rilindjes duhet dënuar për vrasje, qoftë Berish me precedent rrahjen masive në 96. Por po aq duhet dënuar Rama që nisi mish për top ata që u vranë me shpresë të madhe se dikush do vritej dhe që nuk i doli aspak keq. Ka në fizikë një ligj që quhet shkak pasojë. Pasoja nuk lind shkakun, por shkaku pasojën.

    Lini një Përgjigje