Forum25 Maj 2024, 10:20

A flasin bandat për politikë në përgjime?

Shkruar nga Lutfi Dervishi

A flasin bandat për politikë në përgjime?

Një vit para zgjedhjeve SPAK mund të jepte një kontribut konkret duke hetuar përfshirjen në fushatë të “biznesmenëve, Investitorëve strategjikë, alias vrasësve me pagesë.

Në dosjen Metamorfoza 2 ku shfaqen figura të njohura të botës se krimit dhe politikës flitet për marrje peng, nxjerrje në pritë, vrasje dhe biznes.

Po çfarë   mungon në 240 faqet e akuzës?

Mungojnë dialogjet për zgjedhjet dhe komunikimet me politikanët.

Nëse themi se bandat janë përfshirë në zgjedhje me nxitje, bekim dhe mbështetje politike nuk kemi thënë asgjë të re.

Po pse janë veçuar rrëfimet dhe kontributet politike të 50 të akuzuarve në politikë?

Cila është arsyeja që hetimi është ndarë në lotë?

Një vit para zgjedhjeve SPAK mund të jepte një kontribut konkret duke hetuar përfshirjen në fushatë të “biznesmenëve, Investitorëve strategjikë, alias vrasësve me pagesë.

Ky hetim do të jepte shpresë se krimi zgjedhor më 2025 do të ulte pak kokën.

Është më shumë se naivitet të mendosh se në bisedat e tyre nuk është folur për politike, për zgjedhje,  për votime dhe për emërime.

Njerëz që diktojnë drejtore policie dhe kryetare bashkie afërmendsh që janë investuar në fushata.

Disa prej të akuzuarve janë të njëjtët personazhet të përfshirë në krimin zgjedhor në Durrës dhe Dibër. Prokurorët e SPAK  treguan mungesë kurajo  duke bërë ping pong me Prokurorinë e Dibrës (dosja 188) derisa arritën t’ia ngecin asaj hetimin që u katandis si kokoshi një thelë.

Ashtu si në dosjen e incineratorëve që u nda në tre lotë edhe te Metamorfoza janë të njëjtët njerëz që vrasin, bëjnë biznes dhe kontribuojnë për vota në zgjedhje. Krim, biznes, politike - ky është trekëndëshi i Bermudës ku nuk janë zhytur vetëm 50 të akuzuarit.

Politika për krimin është si oksigjeni. Sa më shpejt të priten tubat e furnizimit aq më mirë për të gjithë.

Varianti që ata nuk kanë folur në “Sky” për politike ka pak gjasa të jetë i vërtetë se përndryshe na del që bandat i paskemi patur të depolitizuara. Emrat aty nuk te lënë asnjë pikëpyetje.

 Pyetja është pse janë veçuar rrëfimet për “politikën”?