Forum23 Maj 2024, 19:42

Një fitore e vogël e viktimave të gjenocidit serbomadh

Shkruar nga Enver Robelli

Një fitore e vogël e viktimave të gjenocidit serbomadh

Rezoluta është një fitore e vogël e viktimave të gjenocidit serbomadh. Reagimet që do të pasojnë në Serbi, në entitetin serb në Bosnjë dhe në qarqet proserbe në Mal të Zi do të tregojnë sa e rëndësishme ka qenë miratimi i kësaj Rezolute – dhe sa larg është shoqëria serbe nga përballja me të kaluarën e saj të errët.

Çfarë na tregojnë minutat e propagandës serbomadhe në New York dhe një Rezolutë e OKB-së që nderon viktimat e gjenocidit në Srebrenicë? Më shumë se kundërshtarët e Rezolutës meritojnë vëmendje ata që abstenuan apo s’votuan fare, mes tyre edhe disa shtete myslimane për të cilat më të rëndësishme janë bizneset me regjimin serb se sa solidariteti me viktimat myslimane në Srebrenicë.

1. Gjakftohtësia me të cilën presidenti serb përhapi një sërë gënjeshtrash kur e mori fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ishte neveritëse. Ai tha: “Jemi mbrojtur përherë. Jemi popull krenar”. Ky është revizionizëm i historisë në mënyrën më të ulët. Dhe mohim i gjenocidit në Srebrenicë para syve të opinionit botëror. Brenda një dekade Serbia ka ndezur katër luftëra - nga Sllovenia në Kroaci e Bosnjë deri në Kosovë. Më 23 maj 2024, mbi 30 vite pas këtyre luftërave, presidenti serb me propagandë të qullët luftoi kundër Rezolutës që synon të pengojë përsëritjen e krimeve masive si ai në Srebrenicë.

2. Presidenti serb, me ton patetik dhe huliganesk, përmendi edhe numrin e madhe të viktimave serbe në Luftën e Parë Botërore. Roli i Serbisë në provokimin e Luftës së Parë Botërore nuk është i parëndësishëm. Shërbimi sekret serb dhe qarqet ruse përkrahën e armatosën anarkistët serbë në Bosnjë-Hercegovinë; njëri prej tyre, Gavrillo Princip, vrau arqidukën austrohungarez Franz Ferdinand më 28 qershor 1914. Para atentatit Gavrilo Princip ishte përpjekur të vijë në Kosovë për të ndihmuar pushtimin serb të Kosovës. E kthyen në kufi komandantët serbë për shkak se ishte shëndetligë. Presidenti serb gënjeu edhe kur potencoi rolin e Serbisë në betejën kundër nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Në Beograd ishte në pushtet qeveria e Millan Nediqit, i cili ishte marionetë e Adolf Hitlerit. Edhe Josip Broz Tito e provoi rezistencën kundërnaziste në Serbi (në Republikën e Uzhicës) dhe iku në Bosnjë, sepse shumë serbë simpatizonin me çetnikët e Drazha Mihajloviqit.

3. Përfaqësuesi i Emirateve të Bashkuara Arabe nuk tregoi aq respekt për vëllezërit myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë. Ai tha se vendi i tij do të abstenojë, pra nuk do ta mbështesë Rezolutën, ndonëse tha se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Duket se investimet e shumta të Emirateve të Bashkuara Arabe në Serbi dhe raporti miqësor i krerëve të këtij shteti me presidentin serb janë më të rëndësishme se solidariteti me viktimat e gjenocidit, me tetë mijë myslimanë të vrarë bestialisht nga forcat serbe, të cilat në vitet 90-të janë përkrahur aktivisht nga presidenti i tanishëm serb. Kundër Rezolutës qenë Kina, Rusia, Bjellorusia - dhe Hungaria, i vetmi shtet anëtar i BE-së. Bie në sy se nga vendet e BE-së abstenuan Greqia dhe Sllovakia, dy shtete që nuk e njohin Kosovën; Sllovakia ka një qeveri mjaft mirëkuptuese ndaj Rusisë. Abstenimi i Greqisë duket befasues. Gjatë gjenocidit në Srebrenicë një grup mercenarësh grekë iu bashkuan forcave serbe. Mbi rolin e tyre ka shkruar gazetari grek Takis Mihas në librin “Aleanca e pashenjtë: Greqia dhe Serbia e Millosheviqit”.

Azerbajxhani, një shtet me shumicë myslimane, por i afërt me Serbinë, nuk mori pjesë fare në votim. Njëjtë vepruan edhe Izraeli, Timori Lindor, Somalia, Maroku, Kirgistani, Turkmenistani dhe disa shtete të tjera. Kuba e Venezuela, dy shtete me qeveri antiamerikane, ishte e pritshme që do të votojnë kundër Rezolutës. Së paku Egjipti, një shtet i rëndësishëm i botës myslimane, votoi në favor të Rezolutës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë njoftoi se me krenari e ka përkrahur miratimin e Rezolutës. Dy shtete të rëndësishme të jugut global si India dhe Brazili abstenuan, ndërsa Afrika e Jugut votoi për Rezolutën. Shqipëria votoi për Rezolutën, por parlamenti i Shqipërisë ende nuk ka miratuar një Rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, siç kanë bërë shumë shtete.

Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Rumania po ashtu mbështetën Rezolutën, teksti i së cilës është mjaft neutral. Me asnjë fjalë nuk përmenden kryerësit e gjenocidit (forcat e serbëve të Bosnjës), nuk përmendet as Serbia si shtet që me logjistikë, personel e propagandë e ka mbështetur gjenocidin. Rezoluta është një fitore e vogël e viktimave të gjenocidit serbomadh. Reagimet që do të pasojnë në Serbi, në entitetin serb në Bosnjë dhe në qarqet proserbe në Mal të Zi do të tregojnë sa e rëndësishme ka qenë miratimi i kësaj Rezolute – dhe sa larg është shoqëria serbe nga përballja me të kaluarën e saj të errët.