TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Shkurt 2025, 19:04

A ka të ardhme globalizimi?

Shkruar nga Joseph S. Nye

 A ka të ardhme globalizimi?

Për sa kohë që kemi teknologjitë, globalizimi do të vazhdojë të ekzistojë, por ai mund të mos jetë i dobishëm si deri më sot.

Kur shpërthyen zjarret në Los Anxhelos në fillim të muajit të kaluar, teoricieni famëkeq amerikan i konspiracionit Alex Jones shkroi në platformën X (ish-Twitter) se ato ishin “pjesë e një komploti më të madh globalist, për të zhvilluar një luftë ekonomike dhe për të deindustrializuar Shtetet e Bashkuara”.

Ndërsa shkaku që dha Jones për zjarret ishte absurd, ai kishte të drejtë kur tha se ato kishin të bënin me globalizimin. Viti i kaluar ishte më i nxehti në Tokë që nga fillimi i regjistrimeve. Me shumë gjasa, më i nxehti në të paktën 125.000 vitet e fundit, duke e lënë pas rekordin e vendosur në vitin 2023.

Për herë të parë, temperaturat mesatare globale e tejkaluan objektivin e marrëveshjes së klimës së Parisit prej 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Shkencëtarët fajësojnë kryesisht ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Globalizimi i referohet në parim ndërvarësisë në distanca ndërkontinentale. Tregtia midis vendeve evropiane, pasqyron ndërvarësinë rajonale, ndërsa tregtia evropiane me SHBA-në ose Kinën pasqyron globalizimin.

Duke e kërcënuar Kinën me tarifa, presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet që të zvogëlojë aspektin ekonomik të ndërvarësisë sonë globale, të cilën ai e fajëson për humbjen e industrive vendase dhe të vendeve të punës. Tani ekonomistët po debatojnë se sa nga kjo humbje është shkaktuar nga tregtia globale.

Disa studime, kanë zbuluar se miliona vende pune, kanë humbur për shkak të konkurrencës së huaj. Por ky nuk është i vetmi shkak. Shumë ekonomistë argumentojnë se faktori më i rëndësishëm ishte automatizimi.

Një ndryshim i tillë, mund të rrisë produktivitetin e përgjithshëm, por në të njëjtën kohë shkakton dëme ekonomike, dhe në raste të tilla udhëheqësit populistë e kanë më të lehtë të fajësojnë të huajt sesa makinat. Po ashtu, ata fajësojnë emigrantët, të cilët mund të jenë të dobishëm për ekonominë në terma afatgjatë, por në një periudhë afatshkurtër mund të etiketohen më lehtë si shkaku i ndryshimeve shkatërruese.

Migrimi i njerëzve jashtë Afrikës, është padyshim shembulli i parë i globalizimit, dhe SHBA-ja dhe shumë vende të tjera, janë produkt i të njëjtit fenomen bazë. Por ndërsa këto vende po ndërtoheshin, emigrantët e mëparshëm ankoheshin shpesh për barrën ekonomike dhe papajtueshmërinë kulturore të të ardhurve.

Ky model vazhdon të ndiqet edhe sot. Kur emigracioni (ose mbulimi mediatik i tij) rritet shpejt, duhet të priten reagime politike. Gati në të gjitha demokracitë vitet e fundit, emigracioni është bërë çështja kryesore për populistët që synojnë të sfidojnë qeveritë në pushtet.

Ai ishte një faktor kyç në zgjedhjen e Trumpit në vitin 2016, dhe sërish vitin e kaluar. Mediat sociale dhe inteligjenca artificiale, mund të jenë burime më të rëndësishme të përçarjes dhe ankthit, por ato janë objektiva më pak të prekshëm (dhe kësisoj më pak tërheqës).

Për këtë arsye në thuajse të gjitha demokracitë, disa njerëz bëjnë përgjegjës për rritjen e populizmit përhapjen në rritje dhe shpejtësinë e globalizimit. Edhe pse vetë populistët fajësojnë tregtinë dhe emigrantët për shumicën e problemeve të vendeve të tyre.

Tregtia dhe migrimi u përshpejtuan vërtet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, pasi ndryshimet politike dhe teknologjia e përmirësuar e komunikimit, sollën një hapje më të madhe ekonomike dhe e ulën koston e flukseve ndërkufitare të kapitalit, mallrave dhe njerëzve.

Tani, me rritjen e ndikimit të populistëve, tarifat dhe kontrollet kufitare mund t’i kufizojnë këto flukse. Por a mund të zhbëhet globalizimi ekonomik? Kjo ka ndodhur edhe më parë. Shekulli XIX u karakterizua nga një rritje e shpejtë si në tregti ashtu edhe në migrim, por u ndal me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

Tregtia si pjesë e PBB-së botërore, nuk u rikthye në nivelet e saj të vitit 1914 deri në vitin 1970. A mund të ndodhë sërish tani, kur disa politikanë amerikanë po mbrojnë një shkëputje të plotë ekonomike nga Kina?

Ndërsa shqetësimet mbi sigurinë, mund të reduktojnë tregtinë dypalëshe, kostoja e madhe e braktisjes së një marrëdhënieje me vlerë më shumë se gjysmë trilion dollarë në vit, e bën të mos ketë shumë gjasa një shkëputje e plotë.

Por “nuk ka gjasa”, nuk është e njëjtë me “e pamundur”. Për shembull, një luftë mbi Tajvanin, mund të ndalë tregtinë SHBA-Kinë. Në çdo rast, përpjekja për të kuptuar të ardhmen e globalizimit kërkon që ne të shohim përtej ekonomisë.

Ka shumë lloje të tjera ndërvarësish globale, ushtarake, ekologjike, sociale, shëndetësore, e kështu me radhë. Ndërsa lufta është gjithnjë shkatërruese për ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në të, ia vlen të kujtojmë se pandemia e Covid-19 vrau më shumë amerikanë sesa kanë vdekur në të gjitha luftërat e Amerikës.

Po ashtu, shkencëtarët parashikojnë se ndryshimi i klimës do të ketë kosto të mëdha, sepse shkrirja globale e akujve, do të sjellë fundosjen nën ujë të shumë qyteteve bregdetare deri në fund të këtij shekulli. Por edhe tani, po shihet se ndryshimet klimatike po e rrisin shpeshtësinë dhe intensitetin e uraganeve dhe zjarreve.

Ironia është se ne mund të jemi në procesin e kufizimit të një lloj globalizimi që ka përfitime, teksa nuk përballemi me llojet e globalizmit që kanë vetëm kosto. Ndër lëvizjet e para të administratës së dytë Trump, ishte tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja e Parisit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Atëherë, cila do të jetë e ardhmja e globalizimit? Ndërvarësia në distanca të gjata, do të mbetet ende për sa kohë që njerëzit lëvizin kudo, dhe janë të pajisur me teknologji komunikimi dhe transporti.

Tek e fundit, globalizimi ekonomik ndodh prej shekujsh. Origjina e tij shtihet deri rrugët e lashta tregtare, si Rruga e Mëndafshit (të cilën Kina e ka miratuar si slogan për programin e saj infrastrukturor “Brezi dhe Rruga” që po përfshin gati gjithë globin).

Gjatë shekullit XV, risitë në transportin oqeanik sollën Epokën e Eksplorimeve, e cila u pasua nga epoka e kolonizimit evropian, që i dha formë kufijtë të sotëm kombëtarë. Ndërsa gjatë shekujve XIX-XX, anijet me avull dhe telegrafët e përshpejtuan procesin, teksa industrializimi transformoi ekonomitë agrare.

Tani revolucioni i informacionit, po i transformon ekonomitë tona të orientuara nga shërbimet. Përdorimi i gjerë i internetit, nisi në fillim të këtij shekulli, dhe tani miliarda njerëz në mbarë botën mbajnë një kompjuter në xhepat e tyre, që një gjysmë shekulli më parë zinte një ndërtesë të madhe.

Ndërsa përparon Inteligjenca Artificiale, shtrirja, shpejtësia dhe vëllimi i komunikimit global do të rriten në mënyrë eksponenciale. Luftërat botërore e kanë përmbysur globalizimin ekonomik, politikat proteksioniste mund ta ngadalësojnë atë, dhe institucionet ndërkombëtare nuk e kanë mbajtur dot ritmin me shumë nga ndryshimet që po ndodhin tani.

Për sa kohë që kemi teknologjitë, globalizimi do të vazhdojë të ekzistojë, por ai mund të mos jetë i dobishëm si deri më sot.

Shënim: Joseph S. Nye, profesor në Universitetin e Harvardit, dhe ish-ndihmës sekretar i mbrojtjes i SHBA-së.

globalizmi

Lini një Përgjigje