TAGS-AT E JAVËS

Forum21 Qershor 2025, 14:11

Akademia politike e PS, një shaka e madhe

Shkruar nga Roland Lami

Akademia politike e PS, një shaka e madhe

Demokracia fillon brenda partive, kur ajo mungon aty, ajo është e rrezikuar në gjithë shoqërinë.

Partia është kryetari, dhe kryetari është partia. Ky është perceptim që reflekton realitetin e centralizimit të pushtetit brenda PS-së. Kjo ka dobësuar rolin e forumeve të partisë dhe ka dekurajuar debatet kritike brenda saj. Çdo zë disident, ose largohet, ose margjinalizohet. 

Në thelb, demokracia e brendshme në PS mbetet një fasadë, e ruajtur për qëllime imazhi publik dhe legjitimiteti elektoral, por që nuk përkthehet në një kulturë të brendshme të demokracisë funksionale. Për më tepër, PS shfaq një hiperaktivizëm sipërfaqësor në media dhe rrjete sociale, ku aktivitetet e partisë janë të mirë-kuruara në formë dhe imazh, por bosh në përmbajtje. Çdo takim, forum apo diskutim duket më shumë si një shfaqje për kamerat sesa një proces real për të dëgjuar dhe reflektuar mbi hallet e anëtarësisë apo qytetarëve. Dhe ky aktivitet është një show në kohë vape dhe një ushqim për lajmet ku rinumrimet e PD kanë krijuar rutinën e tyre ku nuk ka më lajm.

Mirëpo, aspekti i demokratizimit të brendshëm të partisë nuk është një çështje thjesht procedurale, por një rrezik për vetë sistemin demokratik të vendit, pasi mungesa e demokracisë në partitë kryesore politike reflekton në parlament dhe qeverisje dhe në mënyrën se si trajtohen qytetarët dhe institucionet. 

Demokracia fillon brenda partive, kur ajo mungon aty, ajo është e rrezikuar në gjithë shoqërinë. Kjo është arsyeja pse mungesa e demokracisë së brendshme nuk është vetëm një problem i brendshëm partie, por një rrezik për të gjithë sistemin politik dhe shoqërinë. 

Partitë autokratike lindin qeveri autokratike. Heshtja brenda forumeve partiake reflekton nesër në heshtje parlamentare dhe qeveritare. Manifestimi i adhurimit ndaj liderit si botkuptim, pragmatizëm, mbijetesë apo degjenerim karakteri në forumet partiake sigurisht do të shpërfaqet shumëfish në parlament dhe qeverisje nesër. Në krahun tjetër, lidershipi i mikluar nga të tilla tipologji e mësiplrm e nxit dhe e ushqen akoma me shumë këtë frymë si nevoj përmbushje egoje dhe nevojë përjetësie pushteti. Kështu që edhe ky aktivitet i amballazhuar me etiketim perendimor akademia politike, vetëm emrin ka të tillë, përmbajtja është tipike ballkanese. 

Lini një Përgjigje