Forum29 Mars 2023, 20:03

Berisha i rri konservatorizmit ashtu siç mund t’i rrijë shala gomarit

Shkruar nga Gjergj Hani

Berisha i rri konservatorizmit ashtu siç mund t’i rrijë shala

E vërteta vonon por s’harron thotë një fjalë e urtë. Kjo është pak, por është e sigurt. Pasi e vërteta qëndron mbi e përtej së mirës e së keqes si atribut i Zotit. Ashtu si konservatorizmi qëndron mbi e përtej së majtës e së djathtës si atribut i së vërtetës.

Krizat e mëdha, të provokuara nga një forcë e tretë, apo të lindura si nevojë e brendshme e një shoqërie, janë të vetmet shkallë evolutive që kemi në dispozicion në rrugën e pashmangshme drejt vetëdijes.

Parë kjo, në një plan perspektive, nuk është diçka për tu evituar si e keqe, por si një mundësi e artë, ndonëse e dhimbshme.

Nëse në rrafshin fizik të ekzistencës, krizat shkaktohen nga elementë patogjenë, në planin social këto kriza lindin si pasojë e pikëpyetjeve identitare që lindin në momente të caktuara të një shoqërie, që për një arsye apo për një tjetër, një pjesë e saj pyet veten se çfarë është, e çfarë do të jetë.

Ndonëse mund të duket si një shpjegim shumë i thjeshtuar, problemet e përgjigjet që I kemi brenda vetes I projektojmë në mënyrë të pavullnetshme në ambientin që na rrethon.

Duke qënë krijesa empirike, mësojmë kryesisht nga relacioni i drejtpërdrejtë me ambientin që kemi trashëguar nga lindja (familja), nga trashëgimia gjenetike, e se fundmi nga aftësia unike që kemi për te arsyetuar në mënyrë abstrakte.

Në përgjithësi, të tre këta komponentë që na bëjnë të jemi ata që jemi, janë në konflikt mes tyre në raport të drejtë me shkallën e vetëdijes që individi në fjalë ka arritur të zotërojë.

Thënë këto, lemë pas krahëve këtë parantezë, e të përpiqemi të kuptojmë se çfarë po ndodh!

Që me lindjen e saj, ajo njerëzore, ka funksionuar si një shoqëri piramidale ku një pakicë e caktuar kërkon të kontrollojë shumicën për të përfituar prej saj një standard material jetese, duke qene kjo rruga më e thjeshte dhe e pa mundimshme për të pasur ato të mira materiale dhe vetëkënaqësinë e egos, si shtysa kryesore e asaj që njeriu konsideron si vete realizim.

Për një periudhë të gjatë historike, një gjë e tillë u arrit përmes trashëgimisë së drejtpërdrejtë të gjakut në familjet mbretërore që identifikonin qenien e tyre në majë të piramidës me vullnetin e Zotit.

Në një moment të caktuar të historisë, që kulmon me atë të revolucionit francez, një pjesë e caktuar e shoqërisë nuk ishte më e gatshme dhe e bindur ti nënshtrohesh vullnetit të kastës fisnikërore dhe u vete identifikua me një qasje e këndvështrim të ri mbi pushtetin, piramidën e pushtetit dhe mënyrat për ta arritur atë.

Kjo shtresë e re e shoqërisë, duke mos qenë pjesë e kastës aristokrate, nuk mund të synonte marrjen e pushtetit përmes intrigave të pallatit, apo aleancash mes një grupimi te caktuar fisnikësh, ashtu siç kishte ndodhur në mijëra vite, ndaj u duhej të përfshinin aktivisht në këtë përmbysje pjesën më të madhe të shoqërisë, përmes iluzionit se; këtej e tutje do te ishin faktor aktiv në jetën publike, e jo më krah pune e forcë e verbër në shërbim të linjave të gjakut në pushtet.

Ky stad i ri vetëdije e një pjese të caktuar të shoqërisë, bëri të mundur lindjen e ideologjisë përmes arsyetimesh abstrakte mbi lirinë, barazinë e vëllazërinë mes njerëzish.

Kjo nuk ishte tjetër veç një ndarje e përgjakshme mes realitetit empirik e mendimit abstrakt. Dhe kjo, pasi në natyrë nuk ekziston asgjë që ti ngjajë sadopak konceptit mbi lirinë, barazinë, apo vëllazërimin.

Nuk ka asgjë të lirë në natyrë. Të gjitha qeniet e gjalla janë të kushtëzuara nga kodi i tyre gjenetik që është thjesht dhe ekskluzivisht në funksion të mbijetesës së species. Mendimi abstrakt mund të krijojë iluzionin se një shqiponjë po fluturon e lire ne qiell, por në të vërtetë ajo nuk po fluturon thjesht nga “kënaqësia” për të fluturuar por për një sërë domosdoshmërish që e detyrojnë të fluturojë, siç janë mbrojtja e territorit ku siguron ushqimin, uria që e detyron të gjuajë, apo puna që i duhet të bëjë për të ndërtuar folenë ku do të përjetësojë specien e saj.

Po ashtu nuk gjejmë askund barazinë në natyrë, pasi ajo thjesht nuk ekziston. Në të gjithë botën shtazore apo bimore mbretëron një hierarki e pa diskutueshme që bën të mundur të ashtuquajturin ekuilibër natyror pa të cilin kjo botë nuk do të ekzistonte. Ekuilibër të cilin mendimi abstrakt mundohet ta transformoje në konceptin e barazisë.

Në natyrë gjithashtu nuk gjejmë as vëllazërinë. Gjejmë bashkëpunimin, ndihmën reciproke brenda llojit në botën e kafshëve, por e gjitha kjo në funksion të mbijetesës.

Pra, ideologjia e mbështetur mbi koncepte abstrakte mbi të mirën dhe të keqen, të cilat nuk kishin asnjë bazë empirike premtoi mbretërinë e qiellit mbi tokë duke hipnotizuar turmat në funksion të qëllimeve të saj që ishin përmbysja e rendit të vjetër e zëvendësimi i tij me një botë, pa pika referimi nga e shkuara, e shkëmbimi i traditave zakonore me koncepte abstrakte joshëse për mendjet e varfra, por të pa mundura për tu aplikuar në praktikë.

E tek e fundit, klasa e re sunduese, as që e mori mundimin të bënte një gjë të tillë, pasi synimi i tyre ishte thjesht pushteti në vetvete. Ideologjitë ishin e janë thjesht flauti magjik me anë të së cilit aplikuan distopinë e përgjakshme sociale në emër të lirisë, barazisë e vëllazërisë që nuk ekzistonin. Por dihet që rruga për në ferr, është gjithmonë e shtruar nga më të mirat qëllime, siç ka thënë demagogu më i madh i kësaj distopie kriminale, Karl Marx.

Natyrisht që natyra, ku bën pjesë edhe ajo njerëzore, ka ligjet e saj nga të cilat nuk bën përjashtim as njeriu. Për çdo veprim ka një kundërveprim që përpiqet të kthejë ekuilibrat e prishur. Si pasojë e këtij kundërveprimi, ndaj ideologjisë së dyzuar mes së majtës e së djathtës, që u mundua të pushtonte çdo hapësirë influence, lindi konservatorizmi.

Nëse do të marrim si të mirëqenë versionin zyrtar të përkufizimit identitar të së djathtës, do të shohim se nuk është tjetër veçse imazhi spekuluar i së majtës, qoftë në retorikën demagogjike, qoftë në mënyrat e format e marrjes e ruajtjes së pushtetit. Eksperienca e fashizmit e nazizmit, e ka treguar qartazi këtë. Simbioza mes fashizmit e komunizmit duket qartazi në propagandën intensive, në shtrembërimin e fakteve historike, në përdorimin e dhunës që gjeneron frikë, e mbi të gjitha, në mohimin e realitetit duke ja përshtatur atë koncepteve abstrakte që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën.

Përballë e mbi këtë dualitet simbiotik qëndron konservatorizmi. Doktrina konservatore bazohet mbi të drejtën natyrore, integritetin territorial në të cilin jeton një etni e caktuar, trashëgimin, ruajtjen dhe përcjelljen e traditave, duke përfshirë kështu në doktrinën e saj, kujtimin e atyre që ishin, përkujdesjen ndaj atyre që janë, e obligimin ndaj atyre që do të vijnë më pas.

Konservatorizmi nuk ka të bëjë me demagogjinë ideologjike të së majtës e së djathtës. Ajo është një filozofi e thjeshtë jete, e atyre që kërkojnë të vërtetën në paqe me veten, botën e Zotin. Doktrina qeverisëse konservatore bazohet mbi shtetin e së drejtës që eviton ndërhyrjet në të drejtat e njeriut, duke mbrojtur gjithmonë ekuilibrat që bëjnë të mundur harmoninë.

Parë në këtë këndvështrim e nën dritën e asaj çka qenë e c ‘është, çka bërë e ç’po bën, e gjej të pa mundur ndër kalljen e fenomenit Berisha në kuadër të doktrinës konservatore, ku gjithë qenia e tij, e shkuara dhe e tashmja, I rri konservatorizmit siç mund ti rrijë shala gomarit.

E shoh të kotë të merrem me renditjen e fakteve. Të tjerë e kanë bërë përpara meje, e ato janë në dritën e diellit. E nën atë diell nuk ka vend për berishizmin si pjellë e drejt për drejtë e dualitetit antagonist, që aq plagë I ka shkaktuar kësaj shoqërie.

E vërteta vonon por s’harron thotë një fjalë e urtë. Kjo është pak, por është e sigurt. Pasi e vërteta qëndron mbi e përtej së mirës e së keqes si atribut i Zotit. Ashtu si konservatorizmi qëndron mbi e përtej së majtës e së djathtës si atribut i së vërtetës.

berisha pd