Forum24 Shtator 2023, 13:20

Berisha, ‘ministër propagande’ në qeverinë Rama?!

Shkruar nga Aranit Muraçi
Berisha, ‘ministër propagande’ në qeverinë Rama?!
Edi Rama dhe Sali Berisha

Berisha pas këtij statusi duhet të ndryshojë këshilltarin, apo duhet të pranojë që nën qeverisjen e Ramës Shqipëria po bëhet një vend interesant për profesionistët dhe ekspertët e lindur jashtë vendit?!

E diel! Ditë pushimi për shumicën e qytetarëve.

Por nuk është e tillë për ish-kryeministrin e vendit, i cili si për çudi, sot, në mungesë të pasardhësit të tij (ndodhet në Nju Jork) ka zgjedhur t’i transmetojë publikut pak propagandë mbi disa nga arritjet e qeverisë.

“Punë ka por nuk ka profesionistë”, ishte një ndër thirrjet e famshme e të përsëritura të kryeministrit Edi Rama pak kohë para se Shqipërisë t’i largoheshin edhe punëtorët.

Por pavarësisht eksodit masiv të të rinjve gjatë viteve të fundit, ekspertë, intelektualë dhe profesionistë, në këndvështrimin e sotëm të Berishës, po rikthehen duke parë mundësi më të mëdha që po krijohen në Shqipëri.

“Një takim me disa intelektual dhe ekspertë të Departamentit Brain Gain, që janë të vendosur të kthehen dhe të punojnë për Shqipërinë” thotë Berisha në një status publikuar në profilin e tij Facebook, edhe pse ritheksojmë; sot e diel, ditë pushimi.

Berisha pas këtij statusi duhet të ndryshojë këshilltarin, apo duhet të pranojë që nën qeverisjen e Ramës Shqipëria po bëhet një vend interesant për profesionistët dhe ekspertët e lindur jashtë vendit?!

A mund të jetë Berisha pjesë e qeverisjes?

Shumë janë ata të cilët kanë dyshime. Më shumë akoma janë të bindur!
Pse? Çfarë kuptimi ka Brain Gain?

“Numri në rritje i profesionistëve të trajnuar mirë, të lindur jashtë dhe që shkojnë në një vend tjetër për të jetuar dhe punuar, ku ofrohen mundësi më të mëdha”.

Kryeministri Rama ka 10 vite që kërkon por duket se nuk po haste dot në profesionistë kaq të kualifikuar, disa prej të cilëve Berisha i zbuloi sot e krahas zbulimit thotë se po vijnë të punojnë në Shqipëri.

Po ikin vërtet punëtorët, por po vijnë profesionistët!
Po ku ka si ty o Shqipëria ime!

rama berisha