
E keqja më e rëndë për këto "paketa" elektorale është vrasja e kulturës së vetëpagimit të detyrimeve të taksave dhe tatimeve....
Shumë ndjesë, por profesionalisht ndjej detyrim moral dhe profesional për të lehtësuar kuptimin e qartë të dokumentit fiskal për fshirjen e borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite për biznesin.
Kjo paketë godet rëndë moralin e pagimit të taksave.
Asnjë qindarkë nga detyrimet e papaguara, pavarësisht nga kohëzgjatja, nuk duhet falur nga asnjë parti politike.
Kjo amnisti elektorale penalizon, vret financiarisht dhe shpirtërisht taksapaguesit e rregullt.
Ata konkurrohen nga informaliteti dhe korrupsioni i bizneseve informale të mospaguesve të taksave.
Legjislacioni aktual e detyron administratën tatimore dhe doganore të mbledhë detyrimet e prapambetura deri edhe nëpërmjet procedurave të falimentimit të kompanive që nuk paguajnë taksat dhe tatimet.
Nuk mund të bëhen politika bamirëse thjesht për vota elektorale, pasi bamirësia e qeveritarëve bëhet në kurriz të taksapaguesve të rregullt.
Qeveria me ligj mund të thjeshtojë procedurat e administrimit që të jenë thellësisht profesionale, me reduktim të ndjeshëm të procedurave dhe kostove për biznesin,
por edhe uljen e kostove buxhetore për administratën e mbledhjes së të ardhurave buxhetore.
Mund të lehtësohen procedurat e mbledhjes së të ardhurave sipas parimeve të Adam Smith, që theksonte se mbledhja e të ardhurave buxhetore duhet bërë atëherë kur biznesi e ka më të lehtë pagimin e tyre.
Mund të lehtësohen ristrukturimet e detyrimeve të papaguara për kohë më të gjata dhe të vendosen tavane për normat e interesit të borxhit.
Mund të falen interesat e interesave për shumat e paguara.
Mund të përdoren forma të ndryshme të arsyeshme për ristrukturimin e borxheve të prapambetura sipas parimeve dhe procedurave të Klubit të Parisit.
Qeveria ka krijuar vetëm pak muaj më parë një agjenci unike për të mbledhur detyrimet e prapambetura të çdo agjencie dhe kompanie publike.
Ndërsa me këtë paketë fiskale elektorale e zero investimin e bërë për atë agjenci dhe atë skemë.
Po për ata që s'kanë paguar dritat dhe ujin, gjoba të ndryshme, çfarë do të bëhet?
E keqja më e rëndë për këto "paketa" elektorale është vrasja e kulturës së vetëpagimit të detyrimeve të taksave dhe tatimeve.
Pasi taksapaguesit e rregullt janë aq të zgjuar sa të kuptojnë që fitoret elektorale do të jenë të vështira, prandaj maxhoranca dhe opozita do të mundohen t'ju influencojnë votën e tyre me paketa fiskale më të mëdha dhe të përsëritshme në çdo dy vjet, që është cikli i zgjedhjeve lokale dhe parlamentare.
Lini një Përgjigje