
Vendimmarrjet kanë qenë dhe po vazhdojnë të përqendrohen në duart e një njeriu dhe një grupi të ngushtë rreth tij, të gjithë të tjerët pa përjashtim janë aty për të ekzekutuar urdhrat pa asnjë rezistencë dhe për të tundur derën.
Nëse do të përkufizoja në një frazë përmbledhjen e lajmeve që kam lexuar gjatë muajit korrik, duke filluar që nga shkarkimet në grup të drejtorëve të bashkisë, kalimi i lejeve të ndërtimit mbi 6 kate tek Kryeministri, firmosja e kontratave të jashtëligjshme nga frika e Erion Veliajt, e deri te shkarkimi i një oficeri policie nga Kryeministri, fraza do të ishte vetëm një: “Përqendrimi i paprecedent i fuqisë ose pushtetit”.
Ndërsa korrupsioni individual është i pranishëm në të gjitha shoqëritë, korrupsioni sistemik instalohet në shoqëri ku përmbushen dy kushte:
-Ka përqendrim të lartë të pushtetit apo fuqisë tek një njeri apo një grup i vogël individësh, të cilët vendosen në pozita për të adaptuar rregullat sipas interesave të tyre dhe për t'u vendosur mbi ligjin; dhe
-Kur ky përqendrim fuqie në kulturën shoqërore pranohet si një situatë normale dhe e tolerueshme.
Fatkeqësisht, zyrat e shtetit po “popullohen” nga drejtues dhe punonjës të pafuqishëm, të cilët e konsiderojnë normale dhe të pranueshme që pushteti të shpërndahet në mënyrë të pabarabartë dhe, si i tillë, një më i fuqishëm mund të vendosë edhe për çështje që janë tërësisht në diskrecion dhe përgjegjësi të tyre.
Për shembull, Kryetari i Bashkisë së Vlorës pranon që Kryeministri, në sy të mexhelisit, të kërkojë dorëheqjen e gjithë drejtorëve me të cilët ai punon, edhe pse sipas ligjit vlerësimi i punës së tyre është kompetencë vetëm e tij.
Drejtoresha e TOB firmos një kontratë, edhe pse e di që është e jashtëligjshme, sepse këtë e kërkon gruaja e një njeriu të pushtetshëm. E njëjta gjë ndodh në Bashkinë e Fierit.
Dukshëm, vendimmarrjet kanë qenë dhe po vazhdojnë të përqendrohen në duart e një njeriu dhe një grupi të ngushtë rreth tij; të gjithë të tjerët pa përjashtim janë aty për të ekzekutuar urdhrat pa asnjë rezistencë dhe për të tundur derën.
Distanca e krijuar me fuqinë apo pushtetin që çdo zyrtar duhet të ushtrojë sipas pozicionit dhe ligjit fuqizon pushtetin shtetëror të përqendruar në pak duar, duke rritur stimujt e individëve të tjerë për t'u angazhuar në korrupsion proaktiv ose mbrojtës.
Ndërkohë, instalimi i kësaj kulture ekzemplare të bindjes ndaj fuqisë e jo ndaj ligjit është një nga pengesat më të mëdha për ndryshim. Ajo jo vetëm po përforcon sjellje të caktuara të anëtarëve të shoqërisë, por me kalimin e kohës po pranohet si normale në mënyrë të pavetëdijshme.
Pranimi nga kryetarët e bashkive që Kryeministri të ushtrojë kompetencat e tyre deri tek çështjet e stafit (zakon i vjetër i këtij të fundit), apo lëvrimi i kontratave të jashtëligjshme “nga frika”, tregon se shteti ynë “demokratik” është një sistem që ka standardizuar sjelljet e zyrtarëve dhe interpretimin e ligjit duke iu bindur fuqisë së pushtetit dhe duke shpresuar mbrojtjen nga ai.
Vendimmarrjet institucionale janë adaptuar sipas individëve të fuqishëm, në vend që t’u adaptoheshin interesave të shoqërisë.
Duke hequr dorë nga fuqia dhe pushteti që u jep ligji, duke mos guxuar të praktikojnë "jo-në" si përgjigje, Kryetari i Bashkisë, Drejtoresha e TOB, stafi i Bashkisë së Fierit apo Tiranës, Ministri, kanë pranuar njëzëri si normale që veprimet dhe mosveprimet e tyre të udhëhiqen vetëm nga një objektiv: të shmangin me çdo kusht të qenit në anën e gabuar të rishpërndarjes së të mirave që vijnë nga pushteti, duke shpresuar edhe mbrojtje nga ai.
E pra, rritja e fuqisë së pushtetit “demokratik” është e vetmja politikë e suksesshme socialiste e cila ka instaluar përfundimisht korrupsionin sistemik në Shqipëri.
Për ta kuptuar këtë, nuk ka nevojë për Komisione Parlamentare Antikorrupsion e as për njësi antikorrupsion; mjafton të lexosh lajmet e korrikut.
Lini një Përgjigje