TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Korrik 2026, 16:58

Parisi në gatishmëri të lartë për ndeshjen Francë-Marok, mbi 5 mijë policë dhe dronë sigurie do të monitorojnë kryeqytetin francez

Shkruar nga Pamfleti
Parisi në gatishmëri të lartë për ndeshjen
Policët francezë

Parisi është vënë në gatishmëri të lartë përpara çerekfinales së Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut, një ndeshje që autoritetet franceze e konsiderojnë me rrezik të lartë për rendin publik.

Sipas “Le Parisien”, Prefektura e Policisë ka hartuar një plan të posaçëm sigurie, i cili përfshin përdorimin e dronëve për monitorimin e zonave më të ndjeshme të kryeqytetit. Masat do të hyjnë në fuqi nga ora 21:00, një orë para fillimit të sfidës.

Në kuadër të planit, është ndaluar përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike. Njëkohësisht, zona e Champs-Élysées do të jetë nën mbikëqyrje të 5000 forcave të Policisë, pasi në të kaluarën ka qenë skenë e incidenteve dhe akteve të vandalizmit pas ndeshjeve të rëndësishme. Për të mbrojtur pronat, disa biznese kanë vendosur barriera përpara vitrinave të tyre.

Për të shmangur grumbullimet e mëdha të tifozëve, autoritetet kanë vendosur mbylljen e disa stacioneve të metrosë në zonën e Champs-Élysées, si edhe të ndalesave përgjatë linjave 6, 8, 9, 12 dhe 14.

Masat e forta të sigurisë vijnë edhe si pasojë e përvojës së Kupës së Botës 2022. Pas gjysmëfinales mes Francës dhe Marokut në Katar, festimet në disa qytete franceze u shoqëruan me përplasje dhe trazira. Atëherë, sipas autoriteteve, mbi 260 persona u arrestuan në të gjithë Francën, ndërsa vetëm në Paris u kryen 167 arrestime.

Në Paris jetojnë rreth 300 mijë persona me origjinë marokene, ndërsa komuniteti maroken në të gjithë Francën llogaritet në rreth 2.2 milionë banorë. Për këtë arsye, policia ka shtuar praninë në terren dhe ka vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie, me synimin për të parandaluar çdo incident dhe për të garantuar zhvillimin normal të mbrëmjes sportive.

parisi francë marok

Lini një Përgjigje