TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Prill 2026, 13:50

Dështimet tragjikomike të Donald Trumpit në Iran, Hungari dhe Vatikan

Shkruar nga Christian Rocca

 Dështimet tragjikomike të Donald Trumpit në Iran, Hungari dhe

Shtëpia e Bardhë nuk di më si të dalë nga kaosi i vetëshkaktuar prej budallallëkut të Donald Trump në Ngushticën e Hormuzit, ndërkohë që humbi“kalin e tij të Trojës” (në bashkëpronësi me Vladimir Putin) brenda Bashkimit Evropian dhe po hap një front përplasjeje me Vatikanin dhe Papa Leonin...

Kemi përjetuar një fundjavë nga ato që mbeten gjatë në kujtesë. Pavarësisht përpjekjeve, Trump dhe Putin e humbën Hungarinë. Rrjedhimisht u ndihmua Bashkimi Evropian, duke larguar në mënyrë demokratike një faktor destabilizues të brendshëm.

Në planin ushtarak, përmbledhja e shkurtër është kjo: Trump vendosi të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, ndërkohë që kërkon nga iranianët ta rihapin atë për të rikthyer normalitetin në ekonominë globale.

Do të ishte për të qeshur, po të mos ishte për të qarë, por vlen të tregohet edhe versioni më i gjatë dhe më i ndërlikuar i asaj që ndodhi, qoftë edhe për të kuptuar saktësisht deliriumin në të cilin po jetojmë.

Donald Trump njoftoi se pas dështimit të negociatave me Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit - një ngushticë që ishte e hapur përpara se të përshkallëzohej konflikti i nxitur prej tij - Marina Amerikane do të ndërhynte për ta mbyllur atë, ndonëse ajo ishte tashmë e bllokuar nga vetë iranianët.

Përjashtim bëjnë vetëm anijet naftëmbajtëse iraniane, të cilat Trump ia ka lejuar kalimin drejt Kinës dhe Indisë, duke zbutur në mënyrë paradoksale sanksionet mbi shitjen e naftës pikërisht në momentin kur po i bombardonte për t’i penguar në programin e tyre bërthamor - program për të cilin, në qershor 2025, po ky Trump deklaroi se e kishte asgjësuar përfundimisht.

Lufta mbaroi, armiku iku, është mundur dhe dërrmuar por vetëm në dukje. Në realitet, ai është ende aty, më i ashpër dhe po aq luftarak sa më parë, i pajisur me një armë shumë më të rrezikshme se bomba atomike: aftësinë për të përmbysur ekonominë globale thjesht duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit.

Këtë iranianët nuk kishin guxuar ta bënin kurrë në gati 50 vjet të Republikës Islamike, por u shtynë drejt këtij veprimi nga paaftësia e Trumpit. Dhe megjithëse tani presidenti amerikan kërkon që ata ta rihapin, pasi krijoi këtë rrëmujë dhe duke parë pasojat e saj, ai ka vendosur ta mbyllë vetë nga jashtë.

Nëse kjo ju duket si vazhdimi i filmit “Inception” të Christopher Nolan, gaboheni. Nivelet e ndërlidhjes së “mendimit magjik” trumpian janë më komplekse se kutitë kineze të Nolanit. Mbi të gjitha, ky nuk është film, por realiteti që ka përfunduar në duart e një lideri të paqëndrueshëm, narcisist dhe tejet problematik.

Duket se anijet ushtarake amerikane, që nga ky mëngjes dhe deri në një njoftim të ri përmes Truth Social, do të ndalojnë me forcë naftëmbajtëset që kanë paguar taksën e kalimit te iranianët.

Kjo përfshin edhe anijet kineze, duke nxitur skenarë seriozë të një përplasjeje globale, vetëm pak ditë pasi po ky Trump kishte propozuar një lloj ortakërie me iranianët për të vendosur së bashku taksa mbi anijet e vendeve të tjera që kalojnë në Hormuz.

Është e vështirë të ndiqet gjithë ky zinxhir kontradiktash, por këtu duhet të shtojmë edhe deklaratat e pasakta që tregojnë një shkëputje shqetësuese nga realiteti historik dhe politik.

Një “rezultat i shkëlqyer” për Trumpin, bashkë me atë të zgjedhjeve të së dielës në Hungari, që i dhanë fund mbretërimit joliberal dhe nacionalist - ose më saktë trumputinist - të Viktor Orbán.

Përtej papërshtatshmërisë së Trumpit dhe bashkëpunëtorëve të tij, mund të bëhen edhe analiza të tjera. E para ka të bëjë me mbështetësit e tij evropianë. Ata që shpjegonin se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, do të sillte përfitime të mëdha ekonomike, se tarifat do të përbënin një mundësi, pa përmendur botën paqësore që supozohej të ndërtohej falë “paqebërësit” Donald J. Trump.

Sidomos te vendet që mbështeteshin te ideja e një “ure transatlantike”. Janë të njëjtët që bënin fushatë për Orbánin, për sovranistët polakë dhe për aleatët e Putinit në Evropën Lindore - që të gjithë të zëvendësuar tashmë nga shumica pro-evropiane. Trump dhe J.D.Vance kanë marrë goditje në disa fronte, dhe tani duket se nuk dinë

si të dalin prej tyre: nga dinamika e brendshme politike në SHBA, te krizat ndërkombëtare dhe deri te zhvillimet në Evropë.

Dhe së fundmi vijmë tek përplasja simbolike me Vatikanin. Ftesa e Vance drejtuar Papës për të marrë pjesë në 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së u refuzua prerë. Në vend të kësaj, Papa ka zgjedhur të vizitojë Lampeduzën, ishull simbol i emigracionit.

Operacioni “Iran” dështoi. Hormuzi mbetet i mbyllur hermetikisht, një Khamenei vazhdon të qëndrojë në pushtet, rezervat raketore iraniane janë ende të mëdha dhe kapaciteti i tij bërthamor mbetet i paprekur.

Aq sa tani synimi i Trump duket të jetë të marrë atë që iranianët kishin qenë të gatshëm të jepnin me marrëveshjen e Obamës - marrëveshje që vetë Trump e hodhi poshtë. Miku i tij Orbán, kali i betejës për të dhe për Putinin në përpjekjen për të shpërbërë Evropën nga brenda, u rrëzua me një diferencë votash aq të thellë sa bëhet e pamundur të fabrikohet ndonjë narrativë për manipulime.

Në fakt, ai në Budapest mbetet i vetmi “ndryshim regjimi” i arritur pa dashje nga Amerika trumpiane. Postimi surreal i natës i Trump kundër Papa Leonit, “fajtor” pse nuk është pjesë e lëvizjes MAGA, hap një front përplasjeje me 1 miliard e gjysmë katolikë - një betejë që Shtëpia e Bardhë vështirë se mund ta fitojë.

Trump do të vazhdojë betejën e tij kundër Papës, do ta lërë Orbánin në harresë dhe do të shpallë fitoren në Iran (edhe pse kjo do të jetë hera e pestë që deklaron një sukses ushtarak absolut, vetëm për t’u përgënjeshtruar nga faktet).

Do ta bëjë këtë duke e lënë Ngushticën në duart e Ajatollahëve, duke u shkëputur nga një problem i madh në të cilin e tërhoqën Benjamin Netanyahu dhe Mohammed Bin Salman.

Këta të fundit nuk mund t’i besojnë ende fatit, që patën mundësinë të mbështeteshin te papërgjegjshmëria e një lideri si Trump në Shtëpinë e Bardhë për të larë hesapet me një armik ekzistencial dhe në rastin e sauditëve, edhe historik.

Tani mbetet të shihet nëse “MAGA e Kremlinit”, Donald Trump, pas performancave të tij në Hormuz, Islamabad, Budapest dhe Vatikan, do të dërgojë besnikun e tij Vance edhe në Moskë për të mbështetur mentorin e tij Vladimir Putin.

Dhe më pas, ndoshta edhe në Paris te Marine Le Pen, në Londër te Nigel Farage, dhe pse jo edhe në Romë te Giorgia Meloni./Pamfleti nga “Linkiesta”

dështimet tragjikomike të donald trump irani hungaria vatikani

2 Komente

  1. P
    Pozitiv

    Ne fund te fundit, rezultat pozitiv....

    1. T
      Tony

      Izraelitet i kane kullufitur me Banka, me senatore e prandaj rrine urte.

      Lini një Përgjigje