Forum19 Mars 2023, 11:46

Dialog me gazetaren ruse

Shkruar nga Mitro Çela

Dialog me gazetaren ruse

E kupton kinezërinë e Konfucit moj e bukura gazetare?

Rasti e desh, që disa kohë më parë, u njoha me një  gazetare ruse. 

Pa teklif, si pensionist, i bëra pyetjen standart  që e tërbon Ezmerkën:

-Je martuar?...

-Jo- më tha. Në Moskë është lehtë të gjesh partner. Pothuajse e pamundur të gjesh burrë. Kam një shok.

Deputet. Është i bukur si Grigori në romanin e Shollohovit. Ke dëgjuar për këtë personazh?

Unë:- Jo! Në fakt e kisha lexuar “ Donin e Qetë” që në moshën 14 vjeçare, në moshën që shkon për shtat ajo fjala që qarkullonte mes rinisë në epokën e Enverit: “Sa të kemi kyçin e dorës, të na hanë... vajzat e Vlorës!” 

Unë mbaja mend Grigorin dhe të dashurën e tij Aksinjën. Mes tyre pëlqeja Aksinjën, sepse një stinë  vere, kur ende banoja në fshat, shihja ëndërr sikur flija me Aksinjën në mullarët me kashtë!

Gazetarja:- Po të tregoj një histori, me që ra fjala për romanin.

E thirri një ditë Stalini shkrimtarin. I thotë:

-Libër i bukur! Por do të ishte më i vlefshëm për klasën punëtore, po ta bëje Grigorin komunist...

Kaloi një muaj. U kujtua Stalini dhe e thirri  shkrimtarin e famshëm...

-Hë? E pyete?

Shollohovi:- Po. Por Grigori nuk do të bëhet komunist...

Në fillim Stalini ngrysi vetullat...Por pastaj nisi të qeshë me aq forcë, sa u tundën xhamat e zyrës në Kremlin...

Kur erdhi Hrushovi në pushtet, kritika sovjetike nisi një debat me temën:

-Pse nuk e vari Stalini shkrimtarin? ...

Ka 50 vite që nuk po zbulohet shkaku. Ti ke ndonjë ide?

Unë:- Konfuci ka thënë: “Çdo njeri normal është i çmendur 5 minuta në 24 orë. Stalini ka qenë i çmendur 24 orë. Një herë në katër vjet, kur shkurti ka 29 ditë, ka qenë normal për pesë minuta...

E kupton kinezërinë e Konfucit moj e bukura gazetare?

gazetarja ruse