Forum15 Mars 2023, 09:16

Dikush thërret këtu afër: O vjen Amerika këtu, o nuk bëj xhap

Shkruar nga Frrok Çupi

Dikush thërret këtu afër: O vjen Amerika këtu, o nuk

Arsyeja pse thërrasin pa pushim ‘kundër Amerikës’, dhe shpesh ‘pro Amerikës’, është kjo: “Të na thotë një ‘Hi!’ Amerika, veç edhe një herë të na flasë një fjalë Amerika…, atëherë kaq”. Kaq, sa vetëm një krehër u duhet këtyre nga Amerika.

Ngjarja e fundit që lidhet me këtë psikozë është sjellja ‘foshnjore’ e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndaj dy PD-ve, që  tashmë dihet. Ndërsa ngjarja e përafërt si kjo, siç më tregonin gazetarë europianë, ndodhi 4 dekada më parë, në një vend të largët e pa shpresë lirie: “Çfarë prisja e çfarë më gjeti!’, thërriste dikush i panjohur në hije të banesës, afër mesnatës në Teheran kur u ngjit në pushtet Ayatollah Khomeini.

Kanë kaluar 44 vjet e prapë Teherani jeton në frikë. Në inversin e vet, ngjarja përsëritet herë pas here këtu në Tiranë (jo Teheran). Këtu, edhe kur dikujt nuk i prodhuan qershitë, ka ndodhur që t’i ketë bërë një letër ambasadës së Amerikës. Por kjo nuk është gjë, është veç një ‘bukuri’ njerëzore. Gjëja është kur institutet e shtetit bëjnë si njerëzit që marrin peng njerëz, pastaj vënë kusht: ‘O të vijë këtu vetë mbreti, o nuk e lëshoj pengun’. Në rastin dhe vendin tonë thuhet: ‘O të vijë Amerika, o …’.


Mes institucioneve që vënë kushtin: ‘O Amerikën, o bëra si di unë!’, janë të tre llojet:

Ata që fshehin mëkate,

Ata që ndodhen në derën e mëkatit,

Dhe, mëkati vetë.

Ç’mëkate po fsheh KQZ?

Po fsheh një dëshirë të zjarrtë, që mund ta dërgojë deri në sëmundje të rëndë. Dëshira e zjarrtë u shpreh botërisht nga vetë kryetari, Celibashi: ‘E dua Sali Berishën në krye të PD’, tha ai. A i doli nga shpirti, apo është i shantazhuar për mëkatin që ia mban Berisha në xhep, kjo është veç punë e tij. KQZ, bash për këto arsye, nuk mori vendim as që të përjashtojë Berishën siç vendosi Gjykata, as të pranojë PD-në zyrtare; puna mbeti varur! Që këtu ka ndjenjë të fortë, padyshim; o ndjenjë dashurie, o ndjenjë frikë nga mëkati.  Por që kryetari i KQZ të jetë kaq i shantazhueshëm ose edhe aq emocional për dashurinë politike, atëherë në të dy rastet KQZ vihet në rolin e kamikazit me bombë në dorë. Mund të shkatërrojë gjithë procesin e zgjedhjeve! Kanë mbetur as javë, as ditë, por vetëm disa orë kur ‘o do të bëhet, o do të plasë bomba!’. Është pikërisht ai momenti kur Celibashi po thërret: ‘Sillni Amerikën këtu, ndryshe e prisha demokracinë!’. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vetë Celibashi, janë ‘një dashuri e Amerikës’, sa kohë që aleati ynë tenton të organizojë zgjedhje të mira në vendin tonë. KQZ ka kapur pikën e dobët të Amerikës dhe thërret: ‘Eja këtu, zgjidhe!’… Një sjellje e padenjë në kushtet e jo Teheranit, por në kushte lirie.

Çfarë po ndodh në portën e Mëkatit?

Ajo ndodhet diku në Perëndim të Tiranës, atje ku ka qenë Burgu i Tiranës që në kohën e pushtimeve. Struktura e re Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) e ka kuptim të dyfishtë ngarkesën si ‘portë e Mëkatit’. E para pse aty do të dorëzohen të gjithë mëkatarët e mëdhenj kundër popullit dhe ligjit, siç po priten Meta, Berisha me bijtë, ministra e drejtorë, etj. E dyta, pse aty po tentohet të kryhet mëkati i madh i dredhisë së prokurorëve e gjykatësve që të mos i dënojnë mëkatarët e mëdhenj. Qysh se u ngrit Struktura, prej tre vjetësh, kemi parë dhjetëra manovra djallëzore për të mos hetuar dhe gjykuar ‘peshqit e mëdhenj’. Njëmijë herë kanë lëshuar thirrjen ndaj Amerikës dhe Amerika u është gjendur te porta, sa herë ka vënë re se ‘rrëshqitën’. SPAK është vetë krijesë e SHBA, këta e dinë. Vetëm nëse Amerika u rri mbi kokë, pa ndryshe ata kurrë nuk do ta ndëshkojnë krimin.

Mëkati vetë

Mëkati vetë është rrugës, ai që po i ngul thikën Amerikës dhe po loton ‘me dashuri’, njëkohësisht.

Pse e luftojnë aq shumë Amerikën, që nga Berisha, Meta dhe militantët e tyre? Sigurisht, pse nuk e duan, se nuk duan Perëndimin as si orientim, as si demokraci, as si qytetërim. Sigurisht pse Amerika i ndaloi që t’i nxijnë jetën popullit shqiptar më shumë se bënë 30 vjet. Sigurisht pse për Amerikën dhe rajonin këta janë një rrezik për stabilitet, etj. Por ka edhe një arsye pse shkelin çdo kufi njerëzor kur shpifin, sajojnë, fyejnë kundër të dërguarve të Amerikës. Ata janë të dërguar këtu edhe që t’u mësojnë se ku bie ‘porta e Mëkatit SPAK’. Arsyeja pse thërrasin pa pushim ‘kundër Amerikës’, dhe shpesh ‘pro Amerikës’, është kjo: “Të na thotë një ‘Hi!’ Amerika, veç edhe një herë të na flasë një fjalë Amerika…, atëherë kaq”. Kaq, sa vetëm një krehër u duhet këtyre nga Amerika.

frrok Çupi