Forum13 Mars 2023, 20:33

Çfarë fshihet pas mungesës së vendimit, për të refuzuar Berishën si kryetar i PD?

Shkruar nga Mero Baze

Çfarë fshihet pas mungesës së vendimit, për të

Pra, sot zyrtarisht Sali Berisha nuk është refuzuar si kryetar i PD nga komisioneri i zgjedhjeve, ndërsa palës tjetër që ka fituar në gjykatë zyrtarisht, nuk i është njohur nga KQZ e drejta për të përfaqësuar PD.

Vendimi i sotëm i CAS që riktheu në KQZ ankimin e Berishës dhe Alibeaj, zbuloi një skandal i cili ju fsheh opinionit publik. Vendimi i CAS zbuloi se komisioneri Ilirjan Celibashi nuk kishte marrë vendim që Berishës nuk i takon të regjistrohet në zgjedhje, dhe po ashtu nuk kishte marrë vendim që grupit të Alibeajt i takon përfaqësimi zyrtar i PD.

Ligjërisht CAS nuk ka gjetur asnjë vendim të komisionerit që të refuzojë kërkesën e Berishës për t’u regjistruar në emër të PD në zgjedhje. Po ashtu dhe për grupin tjetër.

Përkundër kësaj, në opinion publik, Celibashi ka cituar një vendim të ndërmjetëm, që lë të kuptohet se ai ka marrë vendim që Berisha të mos regjistrohet në emër të PD. Në fakt, nuk paska marrë.

Duke mos marr vendim as për Berishën dhe as për Alibeaj, në të vërtetë komisoneri i zgjedhjeve ka shpërdoruar detyrën dhe rrezikon ta fusë procesin e regjistrimit të PD në zgjedhje, në një spirale të rrezikshme të djegies së afateve, duke nxitur debate politike mes tyre.

Përveçse nuk ka marrë vendim, komisioneri ka mbajtur një qëndrim politik dispropocional në raport me dy palët. Për Berishën, për të cilën Gjykata shprehet qartazi që i rrëzohet vendimi i Zhukrit dhe nuk i takon PD, nuk merr vendim, por bën komente politike publike, duke thënë se personalisht mendon se i takon atij të jetë kryetar i partisë.

Për palën tjetër, për të cilën Gjykata shprehet qartazi që i takon drejtimi zyrtar i partisë, kërkon gjilpërën në kashtë, kërkon autorizime, ç’regjistrime, regjistrime, kërkon të nxjerrë ne skenë Lulzim Bashën që të kënaqet Berisha, që ai nuk ka ikur, pastaj të nxisë debate brenda tyre, a thua se paguhet për këtë çështje.

Për të vetmen punë që paguhet, që duhet të marrë vendime, ato nuk i merr, por i lë në rrjedhje të lirë duke ua kaluar të tjerëve përgjegjësinë e vendimeve.

Pra, sot zyrtarisht Sali Berisha nuk është refuzuar si kryetar i PD nga komisioneri i zgjedhjeve, ndërsa palës tjetër që ka fituar në gjykatë zyrtarisht, nuk i është njohur nga KQZ e drejta për të përfaqësuar PD.

Mjafton kaq për të kuptuar çdo të thotë të sillesh si komisioner i “Foltores” në KQZ.

kqz pd 14 maji