Forum22 Prill 2024, 21:20

E rruajnë, e rruajnë!

Shkruar nga Dritan Hila
E rruajnë, e rruajnë!
Monika Kryemadhi

Nëse prokurorët do kenë me të vërtetë ca më shumë sedër, i bën që ta rruajnë derisa t’u dali gjak.

Me një gjuhë skandaloze, në asamblenë e partisë së bashkëshortit të saj, zonja Kryemadhi i është drejtuar platesë, por edhe gjithë shqiptarëve se “Nuk e rruaj për SPAK-un”.

Është në vazhdën e një sulmi që i bëhet prej kohësh nga Berisha dhe Meta, SPAK-ut, me një terminologji që prek fundin dhe tregon shkallën e degradimit të opozitës në tërësi. Në sallë ashtu si te rrugica e Berishës u dëgjuan të qeshura dhe brohoritje. Janë ata që do drejtojnë administratën nëse kjo opozitë vjen në pushtet.

Dhe pastaj ne çuditemi pse gjuha e rinisë në jetën e përditshme ka degraduar më keq se ajo e meshkujve lapërdharë dikur; habitemi pse njerëzit nuk kanë respekt për policinë në rrugë apo pse kjo polici nuk është më e rreptë ndaj shkelësve të ligjit. Nuk kanë faj.

Tashmë shumica e shqiptarëve është rritur në kohë dhe ambient ku politika ka degraduar në të gjitha aspektet, përfshi atë edukativ; ku administrata është mbushur me kopje të këtyre politikanëve; ku arsimi është normale që ka degraduar përderisa arkitektët e tij ka qenë kjo klasë politike; ku shteti është sulmuar dhe trajtuar si leckë nga klasa politike.

Por a nuk e rruan vërtet politika nga kjo drejtësi? E rruan që ç’ke me të. Nëse prokurorët do kenë me të vërtetë ca më shumë sedër, i bën që ta rruajnë derisa t’u dali gjak. Ka pasur bota trima që nuk kishin frikë plumbin, por u është futur gjuha brenda para akuzave për korrupsion; ka pasur politikanë që kanë lëvizur miliarda dhe kanë përfunduar me ndihma sociale.

Vetëm tre ditë më parë Giancarlo Galan, ish-ministër i qeverisë Berluskoni dhe guvernator i Venetos, provincës që e ka GDP-në sa Greqia dhe Portugalia të marra së bashku, në një intervistë te “Corriere della Sera” tregonte sesi nga njeriu që kishte vila e komandonte miliarda, që me një të rënë të lapsit qëronte 50 milionë euro nga buxheti dhe i fuste në xhepin e tij, sot jetonte në një shtëpi në mal që ia kishte falur vëllai dhe nuk përfitonte as pension e as ndihmë sociale pasi prokuroria i kishte hyrë llogarive të tij dhe e kishte lënë në diell; sesi institucionet që kishte drejtuar e kishin hedhur në gjyq për prishje imazhi dhe merrnin dëmshpërblime; sesi e kishte lënë edhe gruaja dhe jetonte vetëm me një qen endacak e nuk kishte para as për një drekë në restorant.

Kështu që kur e rruante Berluskoni për drejtësinë dhe i shkoi jeta duke vrapuar që t’i ikte, këta tanët e rruajnë që ç’ke me të, se me rrogat që marrin nuk justifikojnë dot as një nevojtore, lëre pastaj të tjera. Puna është që a do mundet SPAK-u? Dhe kjo fillon që nga vënia përpara drejtësisë për fyerje të shtetit dhe personit zyrtar të atyre që e shajnë nga mëngjesi në darkë nga penxheret dhe hotelet e marra me qira. Pastaj keni për ta parë sesi do nusërojnë dhe ligjërojnë trimat e politikës. /Dritare.net