Turp të rrëzohesh nga ura që e ke ngritur vet, kishte mësuar Pashiç pasardhësit e tij serb...
Në rregull, Edi nuk është mbret dhe ky nuk është titull i një përralle.
As Zogu nuk ishte, por e bënë. E sollën me mercenarë dhe shuan revolucionin demokratik. Ku dinin shqiptarët asokohe çfarë është demokracia. Edhe pse Rama i I-rë nuk do të tingëllonte aq keq. Edhe Edi po mendon se kosovarët ja kanë bërë vetes. Po ta dëgjonin Edin... ehuuu!
Nejse, dikush që lexon prej shumë vitesh reflektimet e mia publike, mund të ma kujtojë se kam përdorur më parë këtë titull. Epo unë nuk i ndërroj dot titujt sikur Edi kollaret. Nganjëherë vetëm ky titull mund ta shprehë krejt bukurinë dhe shëmtinë e pushtetit.
“Presidenti është lakuriq, ishte titulli i një shkrimi të vitit 2016, që i adresohej politikës së Presidentit të Kosovës. Asokohe, nga telefonatat e përgjuar që patën rrjedhë në media, doli se loja e tij e preferuar kishte qenë “të luaj k...” me amerikanët. Me një fjalë, veglat e politikës patën dalë sheshit. Por, e kaluara ka ikur, e amerikanët ende e mbështesin Kosovën.
Edi nuk e bën këtë, larg qoftë. Nuk e bën me amerikanët. E bën me Kosovën. Retorika e tij ndaj Kosovës dhe sidomos Kryeministrit të saj, e shpalosur si asnjëherë më parë, pa kujdesin e zakonshëm, bëri që rroba e tij politike të nxirrte shtatin lakuriq të politikës së tij “kosovare”. Për të ilustruar këtë, disa influencues në rrjetet sociale e postuan një foto të Kryeministrit shqiptar, ku ai në kostumin e Adamit, kapardisej nëpër plazh. Eh, Edi i dikurshëm liberal, plotësisht transparent. Nuk ka çfarë të fshehë më Edi. I shpalli dashuri ( politike e kombëtare) Kurtit, por ky nuk po ja kthen. As ndeshjen e kombëtares nuk e panë bashkë. E si të mos ... shpaloset, Edi?
Edin së fundmi e krahasuan me ish kryeministrin serb të luftës, Nikolla Pashiç. Disave u mbeti hatri, por ... Edi nuk e shfaq zemërimin me gazetarin gjerman. Duket se nuk ka publicitet të keq për të. Së fundmi rrallë përmendej në përmasa ndërkombëtare.
Përndryshe, Nikolla Pashiç, njihej si një politikan me humor të veçantë. Thuhet se me një rast, derisa po udhëtonte me veturën zyrtare, me një shpejtësi të madhe për atë kohë, i paska thënë shoferit të tij që të ngadalësojë para një ure që po dukej para tyre. “Por, zoti kryeministër , ju e keni ndërtuar atë urë”, ja paska kthyer me servilizëm, shoferi i tij.
“Pikërisht për këtë edhe po ju them të ngadalësoni”, ja kishte përsëritur urdhrin, Pashiç, pa e prishur fare terezinë.
Përse nuk ndalon Edi? Përse nuk u thotë të tjerëve të jenë të kujdesshëm në marrëdhëniet me Serbinë? Turp të rrëzohesh nga ura që e ke ngritur vet, kishte mësuar Pashiç pasardhësit e tij serb. Në rastin më të keq të zë ura jote. Po urat e kryeministrit shqiptar, do ta mbajnë Edin me gjithë eskortën e tij? Eskorta e Edit është shumë më e gjatë dhe gjerë sesa ajo institucionale. Ai ka ngritur shumë ura, gjithsesi politike e interesash, se inxhinier ndërtimesh nuk është Edi, por a do të mbajnë?
Ura dhe rreth rrotullime politike në fakt, duket se ka ndërtuar Edi. Në rreth rrotullim e ka orientuar opozitën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe politikën shqiptare në rajon, ndërsa miqtë rajonal, joshqiptarë, i kalon mbi ura. Një urë përmbi Kosovën gjithsesi do të sillte dobi për politikën e tij të hapur në të gjitha anët, për të anashkaluar problemet me kufijtë, targat etj. Një urë mbi kokën e Albinit. Pasi hapësirën ajrore në Kosovë e kontrollon KFOR-i, kjo mund të jetë arsyeja përse Edi do që KFOR-it të ja besojë rolin e policisë. Por KFORI-i nuk do.
Pastaj, urë mund të quhet edhe një tunel nën Kosovë, nga ata që propozon Elon Musk, ku do të qarkullohej gjithçka që ka nevojë të qarkullohet pa kaluar nëpër doganat e Kosovës .
Por kjo ideja e Hyperloop-t, me 700 milje në orë, mund të duket keq në Ballkan. Nëntoka është aq e fortë sa që pa shqetësim ecë mbi tokë.
Por, për dallim prej Pashiçit dinak, si duket kryeministri shqiptar bën të kundërtën. Përpos nëse sinqeriteti dhe transparenca e tij janë strategji... dinake.
Është dinak Edi? A është transparenca mënyra më e mirë për të fshehur opinionin? Ditëve të fundit shau Kurtin, respektoi Kancelarin Gjerman dhe përqafoi presidentin Makron.
U zbardh në politikë Edi. Mjekërbardhë si babadimri, çka do na sjell për vit të ri? Do të gjejmë vizat nën bredh, ne kosovarët? Të keqen Edi, na thua gjë një llaf për këtë temë?/Pamfleti
Lini një Përgjigje