Forum28 Shtator 2023, 18:39

Edi Rama: një hap para - dy mbrapa

Shkruar nga Sadri Ramabaja
Edi Rama: një hap para - dy mbrapa
Edi Rama

Thirrja e Ramës që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës dhe ajo për ngritjen e nivelit të dialogut në format të një konference ndërkombëtare, janë jo vetëm dy hapa mbrapa, por një lloj thike pas shpine ndaj Kosovës...

Në prag të marrëveshjes së Brukselit ishte krijuar përshtypja se pala kosovare, pra kryeministri Kurti, nuk do të jetë kooperues dhe rrjedhimisht marrëveshja nuk do të nënshkruhej. Përgjegjësia për këtë gjithsesi do të binte e tëra mbi Kosovën.

Altoparlantët e Vuçiçit në Prishtinë e Tiranë prandaj u rreshtuan në bllok dhe shpërthyen gjithandej në debatet televizive tërë mllefin ndaj Albin Kurtit. Ai pothuajse ishte Jezusi i kryqëzuar për përgjegjësinë që kishte madje edhe për të pabërën!

Këtë ndjesi duket se e kishte edhe pala serbe. Ndërkaq ndërmjetësuesit që tashmë ishin unifikuar me palën serbe dhe po paralajmwronin masat që do të marrë BE ndaj palës që do ta refuzonte marrëveshjen.

Kryeministri dhe ekipi i tij tashmë e kishin të qartë se Kosova nuk përfiton asgjë vetëm duke u lënë në dorë fatin e Kosovës ndërkombëtarëve, respektivisht duke qenë vazhdimisht pro ndërkombëtarëve, por njëkohësisht ata ishin të bindur se ne nuk do të mund të ishim palë e fituar as edhe nëse rreshtoheshim kundër tyre. Prandaj pala kosovare i kishte parashtruar vetes objektivin real - me durim duhej të punonte që të merrte edhe legjitimitetin nga ndërkombëtarët.

Këtë legjitimitet, duke qenë zbatuese e rreptë e ligjit dhe kushtetutshmërisë, fillimisht po e merrte në rrafshin e sigurisë. Qeveria hap pas hapi po shtrinte sovranitetin në veri, duke shenjuar prezencën e mekanizmave të sigurisë edhe aty ku nuk kishte kurrë baza policore dhe logjistikë të saj para se ajo ta merrte pushtetin.

Këtë hap do ta pasonte me prezencën politike.

Pikërisht ky legjitimitet, tashmë i pranuar ndërkombëtarisht, u bë objekt i agresionit serb më 24 shtator, pa kursyer edhe ndërmarrjet ushtarake me karakter të pastër të terrorit shtetëror.

Më 26 shtator presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se dëshirojnë që Forca e Misionit të NATO-s (KFOR) të merret me të gjitha problemet e sigurisë në veri të Kosovës.

Kjo kërkesë e tij që veriun e Kosovës ta shndërroi në një lloj protektorati të KFOR-it pa kaluar as 24 orë, tumiret nga kryeministri i Shqipërisë politike, Edi Rama!

Në një konferencë për media të mbajtur pak para ca çastesh, Rama u shpreh shqeto, duke u thirrë në alibinë e vullnetit politik të tij për parandalimin e konfliktit, KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës!

Ai nuk hezitoj që ta pranojë publikisht se, këtë kërkesë ia paska parashtruar më herët forumit më të lart politiko-ushtarak të NATO-s në Bruksel.

"Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, jo s’kemi trupa apo ndonjë arsye tjetër, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it, shumë më të madhe në trupa dhe me shumë vështirësi”, tha Rama.

Nuk është e rastit pse ndërkohë bëhen publike këto deklarata në unison dhe pse kemi kështu përputhje dhe sinkron kërkesash të dyshes Rama-Vuçiç!

Në konferencë Rama askund asnjë fjalë nuk tha për thirrjen e ligjshme të kryeministrit të Kosovës bërë në fjalimin e tij sot në Parlament që ju adresua ndërkombëtarëve dhe përgjithësisht aleatëve tanë që për agresionin e ushtruar nga Serbia më 24 shtator, ajo do të duhej që të sanksionohet ndërkombëtarisht!  Heshtje dhe anashkalim i plotë!

Dje derisa  lajmërohej nga Italia, ku ishte në vizitë zyrtare, Edi Rama duke i parashtruar qartë mospajtimin e qeverisë shqiptare me qëndrimin e butë të Brukselit në raport me sjelljet e Serbisë pas sulmit terrorist, por edhe me qëndrimin zyrtar serb ndaj kriminelëve, ai bëri hapin e parë për reflektim të mundshëm. Sot, në konferencën me media, lidhur me rrjedhën e zhvillimeve të pritshme në Kosovë, ai bëri dy hapa mbrapa.

Thirrja e tij që KFOR-i ta marrë nën kontroll veriun e Kosovës dhe ajo për ngritjen e nivelit të dialogut në format të një konference ndërkombëtare, janë jo vetëm dy hapa mbrapa në raport me qëndrimin e tij të djeshëm, por një lloj thike pas shpine për Republikën e Kosovës.

rama ramabaja kosova