TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Korrik 2026, 15:57

Pse Enver Hoxha ishte kundër Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave?

Shkruar nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Pse Enver Hoxha ishte kundër Republikës së Kosovës në
Enver Hoxha

Pra, Enver Hoxha për arsye të cilat nuk dihen, në vazhdimësi mbështeti Titon në “vështirësitë e tij për të bindur serbët”! Ia krijoi atij kushtet politike që të ruajë balancën e marrëdhënieve midis republikave të ish-Jugosllavisë, duke sakrifikuar Kosovën.

Një dokument i zbuluar në arkiva nga ana e mjeshtrit të gjurmimeve memoristike, gazetari i njohur Dashnor Kaloçi, u publikua proëesverbali i bisedës së ish udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, dhe ish-të ngarkuarit me Punë të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Lik Seiti. Takimi mban datën 19 shtator 1970. Dokumenti na jep tablonë e marrëdhënieve midis Jugosllavisë e Shqipërisë së kohës e njëkohësisht përqëndrohet te qëndrimet e liderëve politikë shqiptarë të Kosovës në krahasueshmëri me njëri-tjetrin. Në epiqendër është roli dhe figura e Fadil Hoxhës, i cili kishte bërë një bisedë me diplomatin shqiptar dhe ky i fundit kishte kërkuar që atë bisedë t’ia transmetonte Enver Hoxhës. I pranishëm ishte gjithashtu Ramiz Alia.

Ajo që bie në sy ka lidhje me një pkëpamje, sipas së cilës “Kosova nuk duhej të kërkonte Republikën brenda Federatës së Jugosllavisë”. Këtë pikëpamje ia jepte diplomatit tonë në Beograd vetë Fadil Hoxha. Ndërsa ish-udhëheqësi i Shqipërisë komuniste autorizoi Lik Seitin që gojarisht t’ia jepte këtë përgjigje Fadil Hoxhës: “Mendimin tuaj për të mos pranuar krijimin e një Republike të dytë Shqiptare ne e quajmë të drejtë. Ky është qëndrim i drejtë dhe patriotik. Një qëndrim të kundërt Republika Popullore e Shqipërisë do ta luftojë me të gjitha forcat. Ne jemi dakord me mendimin tuaj se në botë ka vetëm një Republikë Popullore të Shqipërisë”!

Eshtë ky një moment përcaktues në kërkim të hipotezës, nëse Enver Hoxha e ka ndihëmuar apo e ka dëmtuar Kosovën edhe pas vitit 948 gjatë qeverisjes së tij?! Derisa lexova dokumentin në fjalë, kisha dilema, nëse Enver Hoxha vetëm në vitet 1941-1948, më saktësisht 1944-1948, ishte në anën e jugosllavëve e të Serbisë dhe kundër Kosovën, apo ky qëndrim shtrihej edhe më vonë në kohë?! Por më shumë anoja nga e vërteta se marrëveshjet e fshehta me Titon kanë ekzistuar gjatë gjithë kohës së mbretërimit të Hoxhës. Këtë fakt e mbështes te marrëveshja me shërbimin sekret të Serbisë e Jugosllavisë për kthimin në Shqipëri të të arratisurve nga vendi ynë. Te keqtrajtimi deri në mizori të patriotëve shqiptarë që arratiseshin nga Jugosllavia (Kosova) dhe rikthimi i tyre i dhunshëm sërishmi në duart e sigurimit serbo-jugosllav. Apo te fakti se qeveria shqiptare e Hoxhës u përpoq të krijonte një koalicion ushtarak pas vitit 1968 për siç thuhej “kundër një agresioni rus”! Edhe marrëdhëniet tregtare me Jugosllavinë ishin nga më të preferuarat e regjimit të kohës.

Megjithatë proëesverbali i kësaj bisede e vitit 1970 e zgjidh përfundimisht dilemën. Enver Hoxha në vazhdimësi ishte kundër Republikës së Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë. Ai madje shprehet se një qëndrim “pro Republikës së Kosovës” do ta luftonte me të gjitha forcat! Pikëpamja e liderit shqiptar të Shqipërisë nuk është evasive. Eshtë shumë e saktë dhe e prerë. Jo Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë se kërkesën e shqiptarëve në protestat e vitit 1968 për “Kosova Republikë” e kishte kundërshtuar jo vetëm Beogradi, por edhe Tirana zyrtare. Tirana zyrtare kësisoj e kishte favorizuar Titon në vendimin e tij për statusin e Kosovës në pajtim me pikëpamjen serbe.

Sigurisht që Fadil Hoxha e testoi Lik Seitin me paraqitjen e mendimit të tij rreth Kosovës. Ai kishte porosi nga Tito ta bënte këtë test. Këtë e pranon vetë Hoxha në bisedë. Enver Hoxha, duke ditur se ishte Tito ai që dëshironte të dinte mendimin e udhëheqjes shqiptare rreth statusit në diskutim të Kosovës e konfirmoi qëndrimin e tij besnik ndaj Titos. E mori këtë mendim përmes të ngarkuarit me Punë të Shqipërisë në Jugosllavi dhe madje pa patur nevojë për shpjegime të mëtejshme vendosi: “Kosova nuk duhet të jetë Republikë në Federatën e Jugosllavisë”! Kaq i mjaftonte liderit jugosllav që të mos kishte vështirësi në marrjen e vendimit, pra që Kosova të ishte një krahinë autonome e Jugosllavisë e formalisht edhe e Serbisë. Ai mori përgjigjen e njejtë si ajo e vitit 1946, kur Titoja i kishte thënë se “Kosova do t’i bashkohej Shqipërisë pas luftës, por se ishin serbët ata që nuk do ta pranonin këtë”! Sërishmi pengesë ishte "mos paranimi nga ana e Serbisë një Republike të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave”!

Pra, Enver Hoxha për arsye të cilat nuk dihen, në vazhdimësi mbështeti Titon në “vështirësitë e tij për të bindur serbët”! Ia krijoi atij kushtet politike që të ruajë balancën e marrëdhënieve midis republikave të ish-Jugosllavisë, duke sakrifikuar Kosovën. Arsyetimi se “në Ballkan nuk mund të ketë dy republika shqiptare” ishte thjesht një justifikim. Në fund të fundit Republika e Kosovës në Jugosllavi nuk kishte statusin e shtetësisë. Kosova nuk do të ishte anëtare e OKB-së dhe e asnjë organizate tjetër ndërkombëtare. Si e tillë ajo nuk e cënonte as e dobësonte Republikën e Shqipërisë. E kundërta është e vërtetë.

Për këtë arsye duhet besuar se interesi i Hoxhës ishte neutralizimi i ndonjë rreziku ushtarak që vinte nga ana e Jugosllavisë. Për këtë arsye Tirana zyrtare sakrifikoi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Hoxha i frikësohej edhe provokimeve ushtarake të vogla, se ato mund të shërbenin si mundësi e shpërthimit të pakënaqësive brenda-shqiptare kundër tij. Gjithëka lidhej kësisoj me pushtetin e tij. Në këtë sens një Republikë e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë i jepte të drejtën asaj të vendoste veton dhe të zhvillonte marrëdhënie të ngushta pa asnjë pengesë me Republikën e Shqipërisë. Kjo marrëdhënie shihej si rrezik për regjimin diktatorial të Enver Hoxhës.

Megjithatë shpesh herë është interpretuar sipas shijeve të historianëve fakti që pas mars-prillit 1981 Enver Hoxha dhe qeveria shqiptare mbështetën kërkesën e shqiptarëve në Kosovë për Republikë. Këtë mbështetje historianët e regjimit të atëhershëm dhe ata që duan të justifikojnë qëndrimet anti-Kosovë të regjimit të sotëm, e interpretojnë si „patriotizëm“ të Enver Hoxhës. Sërishmi kemi të bëjmë me iluzionin e mashtrimit. Në vitin 1981 regjimi komunist në Shqipëri ishte në kulmin e krizës ekonomike, financiare dhe politike. Kina tashmë ishte divorcuar nga marrëdhëniet me Shqipërinë. Vendi ishte në izolim total. Teoria e „mbështetjes në forcat e veta“ nuk po funksiononte. Ndaj dhe regjimi u thirr në strehën e fundit të tij, nacionalizmin. Kjo nisi me festimet e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (qershor 1978) dhe u forcua në vitet në vijim.

Por kishte dhe një arsye tjetër. Duket se në ldershipin e Partisë së Punës pati mosmarrëveshje lidhur me qëndrimin ndaj dhunës serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Sipas Jens Reuter, gjatë vitit 1991 në Kosovë u vranë mbi 1000 shqiptarë, ndonëse mediet e kishin fshehur këtë fakt. Në këto kushte ish-kryeministri Mehmet Shehu donte të radikalizonte veprimet kundër masakrave serbe në Kosovë. Por Enver Hoxha ishte kundër. Për pasojë atij i duhej të mbështeste kërkesën e shqiptarëve për Kosova Republikë, me qëllim balancimin e situatës, derisa e likuidoi rivalin e tij në krye të qeverisë. Ndërkohë Hoxha ishte përgjegjësi kryesorë shqiptar për masakrat serbe të viteve 1944-1946 në Kosovë, kur sipas shifrave u vranë dhe masakruan mbi 50 mijë shqiptarë. Ata u akuzuan për reaksionarë, sepse ishin nacionalistë. Të njëjtën gjë bëri Enver Hoxha në Shqipëri.Shumë prej tyre u bënë viktima të terrorit serb në sy të brigadave dhe divizioneve shqiptare të dërguara atje. Ndërsa Masakra e Tivarit nisi në prezencën e autoriteteve shqiptare dhe përfundoi me dijeninë e tyre.

Të gjitha këto e ndiqnin si hije ish-diktatorin shqiptar. Por jo vetëm kaq. Të gjithë pasardhësit e tij, Nano e deri te Rama, ndoqën të njëjtën vijë politike kompromisesh e nënshtrimi ndaj Beogradit, duke dëmtuar rëndë interesat e kombit shqiptar dhe sidomos të Kosovës martire! Ato që kanë ndodhur në marrëdhëniet e Partisë Komuniste (të Punës e asaj Socialiste) me Jugosllavinë, pra dhe me Serbinë, janë njollat e zeza të turpshme të historisë sonë. Këtë e provon edhe biseda e gjurmuar dhe botuar këto ditë midis Enver Hoxhës dhe Lik Seitajt!

enver hoxha kunder republikes se kosoves

Lini një Përgjigje