Forum24 Shkurt 2024, 17:20

Elitave në Moskë po u soset durimi; një grusht shteti mund të ndodhë nga momenti në moment

Shkruar nga Pamfleti

 

Elitave në Moskë po u soset durimi; një grusht shteti mund
Sergey Guriev /

I vetmi skenar optimist është largimi i Vladimir Putinit në çfarëdo mënyre dhe një tranzicion demokratik...

Një nga ekonomistët më të shquar të Rusisë, Sergey Guriev, ka qenë dikur njeriu kyç i Dmitri Medvedev (2008-2012). Ai shkruante fjalime për presidentin e kohës, dhe ka qenë anëtar në shumë borde të kompanive shtetërore. Ai u largua nga Rusia në vitin 2013, për shkak të frikës nga burgosja apo eleminimi, pasi ishte bashkautor i një raporti kritik ndaj trajtimit të Mikhail Khodorkovsky, një ish-biznesmen i naftës i burgosur për shkak të çështjes Yukos.

Sot është profesor i ekonomisë dhe në Universitetin Shkenca Po në Paris, dhe sapo është emëruar Dekan i Shkollës së Biznesit në Londër. Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, Guriev ka qenë një nga mendjet kryesore prapa sanksioneve perëndimore ndaj vendit të tij përmes punës së tij në grupin ndërkombëtar të ekspertëve Universitetit Stanford “Making Putin Pay” (Të detyrojmë Putinin të paguajë).

Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Perëndimi ka vendosur shumë sanksione. Por duket se Rusia është treguar më rezistente sesa mendohej ndaj tyre. Madje FMN-ja parashikon se ekonomia e saj do të rritet me 2.6 për qind këtë vit, e nxitur nga shpenzimet e shumta shtetërore, një dukuri që disa e kanë quajtur “kejnsianizëm ushtarak”. Si po ecën realisht ekonomia ruse?

Është çështje përkufizimi. Në rast se e lidhim rritjen ekonomike me rritjen e PBB-së, s’ka dyshim se ekonomia ruse po rritet. Megjithatë, PBB-ja nuk është e njëjta masë e ecurisë ekonomike në kohë lufte siç është në kohë paqeje. Kur ti shpenzon një pjesë të konsiderueshme të PBB-së për prodhimin e tankeve, predhave dhe rekrutimin e ushtarëve që plagosen apo vriten në Ukrainë, kjo do të thotë se nga pikëpamja e sektorit civil, kjo është e barabartë me shtypjen e parave dhe injektimin e tyre në ekonomi.

Ne e llogarisim këtë si pjesë të PBB-së, sepse gjërat prodhohen dhe njerëzit punësohen si ushtarë, por kjo s’ka të bëjë me ecurinë ekonomike brenda Rusisë. Kur flasim për shpenzimet ushtarake, mos harroni se ato ishin 3 për qind e PBB-së, dhe këtë vit janë 6 për qind e PBB-së. Ky hendek mjafton për të shpjeguar çfarëdo rritjeje që po ndodh në ekonominë ruse.

Ju jeni pjesë e grupit që harton sanksionet që vendosen ndaj Rusisë. Sa efektive kanë qenë ato deri tani dhe çfarë shpresoni të arrini ende?

Grupi është shumë gjithëpërfshirës, ​me përfshirjen e ekonomistëve, politologëve dhe ish-zyrtarëve nga SHBA-ja, Evropa dhe vende të tjera. Unë kam qenë bashkëpunëtor në hartimin e 5 dokumenteve që i kanë paraprirë sanksioneve ndaj Moskës. Ne duam të sigurohemi që kjo luftë të jetë sa më shumë e kushtueshme për Rusinë dhe që Putin të ketë më pak burime për të vrarë ukrainasit dhe për të shkatërruar qytetet e Ukrainës.

Deri në çfarë mase besoni se sanksionet janë efektive? Javën e kaluar u zbulua se filialet e bankave gjermane të listuara në listën e zezë nga “Task Forca e Veprimit Financiar”, kishin 151 për qind më shumë gjasa të jepnin hua për vendet e sanksionuara...

Ne duhet të krahasojmë atë që po ndodh tani në prani të sanksioneve dhe atë do të kishte ndodhur në mungesë të tyre. Pra, imagjinoni sikur të gjitha bankat evropiane - përfshirë ato gjermane - të vendosura në Evropë të vazhdojnë të japin hua për Rusinë. Sikur Putin të ketë qasje të pakufizuar në teknologjinë franceze dhe gjermane.

Dhe sikur ai të ketë mundësi të rekrutojë ushtarë në të gjithë botën. Që të vazhdonte të shiste naftë dhe gaz në Evropë me një çmim tregu. A do ta kishte më të vështirë ushtria ukrainase? Përgjigja është “Po”. Është e vërtetë që Putin ka mësuar se si t’i anashkalojë disa nga sanksionet.

Por edhe Perëndimi po bën më shumë në këtë aspekt. Sot ai e ka gjithnjë e më të vështirë për të vepruar përmes Turqisë, madje edhe përmes Kinës. Bankat kineze, turke dhe ato të Azisë Qendrore janë gjithnjë e më vigjilente në lidhje me pagesat ndaj homologëve rusë.

Tani nëse Putini mund t’i anashkalojë sanksionet, kjo ndodh nëpërmjet vendeve të treta, të katërta dhe të pesta që e detyrojnë atë të paguajë kostot shtesë të ndërmjetësimit. Dhe sa më shumë para që u jep ndërmjetësve, aq më pak futen në xhepat e tij, dhe kjo është diçka e mirë për Perëndimin. Sigurisht, duhen bërë më shumë përpjekje për forcimin dhe zbatimin e sanksioneve.

Në vitin 2018, Christine Lagarde, në atë kohë drejtuese e FMN-së, e lavdëroi presidenten aktuale të Bankës Qëndrore Ruse, Elvira Nabiullina, për masat e marra për shmangien e kolapsit të menjëhershëm të ekonomisë. Sa e rëndësishme ka qenë ajo në funksionimin e makinerisë së luftës të Putinit? Dhe çfarë mendoni mbi spekulimet mbi shëndetin e saj, pasi dyshohet se ajo iu nënshtrua një operacioni në janar?

Nuk kam asnjë informacion mbi shëndetin e saj. Nabiullina nuk ka treguar mbështetje për luftën. Dhe as nuk është shprehur kundër luftës. Por që në vitin 2018, ajo përdorte mënyrën e saj të veshjes për të sinjalizuar politikat monetare të bankës qendrore. Në konferencat e saj për shtyp, ajo përdorte karficat për të sinjalizuar nëse banka qendrore do të ishte më e ashpër apo më liberale në politikat që do të ndiqte.

Kur nisi lufta, ajo filloi të vishej me të zeza, megjithëse e kuptoj se kohët e fundit kjo gjë ka ndryshuar. Pra unë mendoj se ajo dëshiron t’i sinjalizojë botës se është e pakënaqur me situatën aktuale. Nga ana tjetër, ajo vazhdon të punojë, siç edhe ju e thatë më të drejtë, ajo është një instrument vërtetë i rëndësishëm në financimin e makinerisë së Putinit.

Dhe kjo është diçka për të cilën mendoj se historia nuk do ta gjykojë pozitivisht. Dhe ndërsa ajo mund të thotë se po lufton inflacionin për të mbrojtur pjesët më të cenueshme të shoqërisë ruse, çdo miliardë, 10 miliardë ose 100 miliardë dollarë që kursehen për buxhetin e Putinit janë një miliardë, 10 miliardë ose 100 miliardë të tjera që Putini mund të përdorë për të blerë dronët iranianë, predhat e artilerisë nga Koreja e Veriut, duke rekrutuar ushtarë dhe vrarë ukrainas.

Cili do të ishte skenari më i mirë por edhe realist që mund të shpresohet për Rusinë?

Vladimir Putin ka treguar se nuk ka fare respekt për të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar. Nuk mendoj se nëse Putin mbetet në pushtet, mund të kemi ndonjë skenar optimist për Rusinë.

I vetmi skenar optimist është largimi i tij në çfarëdo mënyre dhe një tranzicion demokratik.

Ndoshta jo menjëherë, por brenda disa muajsh apo vitesh, do të ketë diçka të ngjashme me Perestroikën. Unë nuk mendoj se Rusia do të të bëhet një Kore e Veriut apo Siri. Ka njerëz që do të përpiqen ta bëjnë këtë, por unë besoj se Rusia është shumë e larmishme, shumë e madhe dhe shumë e arsimuar, dhe sinqerisht shumë e pasur për të toleruar një regjim stalinist.

Dhe unë mendoj se do të ketë një vullnet të madh të njerëzve për ta zëvendësuar Putinin në krye të vendit, madje edhe nga rrethi i tij më i afërt. Këta njerëz duan që ta ndalin luftën. Ata duan që të lidhen sërish me Perëndimin.

Ata do të përpiqen të negociojnë diçka, dhe kjo do të çojë në një rritje të lirive politike dhe hapjes në Rusi, e cila nga ana tjetër duhet të çojë në një përmirësim të menjëhershëm dhe shpresojmë në një përmirësim thelbësor në marrëdhëniet me Ukrainën dhe Evropën gjatë dekadës së ardhshme.

A besoni se elitat ruse do të rebelohen së shpejti kundër Kremlinit?

Ne kemi parë shumë biznesmenë të zhvendosen në Dubai. Pra elitat e biznesit janë sigurisht të pakënaqura, por ato janë gjithashtu të vetëdijshëm se rebelimi kundër Vladimir Putinit është fizikisht i rrezikshëm. Vitet e fundit kemi parë shumë “vetëvrasje”. Njerëzit janë tejet të vetëdijshëm për rreziqet që lidhen me kundërshtimin e Vladimir Putin.

Shumë pak prej tyre folën hapur kundër luftës si për shembull Oleg Tinkov dhe Arkady Volozh. Megjithatë kemi edhe njerëzit që nuk po flasin në favor të luftës, dhe kjo përfshin elitat e biznesit, drejtuesit e agjencive civile dhe ministrive. Ata janë të gjithë shumë të pakënaqur.

Pasi janë shkatërruar projektet e tyre më të rëndësishme.

Dhe në këtë kuptim, ne mund të mos shohim një rebelim si ai i Prigozhin vitin e kaluar. Por sapo Vladimir Putin të bjerë, do të ketë kohë për ndryshim. Por ndoshta në momentin që po flasim po përgatitet edhe një grusht shteti. Grushtet e shtetit që janë të suksesshme nuk mund të përgatiten hapur./ Përshtati Pamfleti nga “The Conversation”

elitat moska grusht shteti vladimir putin

Forum