
Qëndrimi i Brukselit, i artikuluar qartë përmes Progres-raportit zyrtar, shërben si një rikthim me këmbë në tokë.
Në skenën aktuale të politikës shqiptare, raporti me Bashkimin Europian vazhdon të jetë një pasqyrë ku secila palë përpiqet të gjejë fytyrën që i leverdis më shumë.
Por, nganjëherë, pasqyra tregon një të vërtetë që nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës së askujt. Rasti i deklaratës së komisioneres Marta Kos, e cila në praninë e kryeministrit Edi Rama cilësoi zgjedhjet e 11 Majit “të lira dhe të ndershme”, dhe nga ana tjetër distancimi i menjëhershëm i Komisionit Europian nga kjo deklaratë, është shembulli më i qartë i këtij kontrasti që bie në sy të të gjithëve.
Ky episod nuk është thjesht incident diplomatik, por një simptomë klasike e një sëmundjeje më të thellë politike në vend që ende vazhdon, ku realiteti i fakteve shpesh përplaset me realitetin e propagandës.
Qëndrimi i Brukselit, i artikuluar qartë përmes Progres-raportit zyrtar, shërben si një rikthim me këmbë në tokë.
Ai është dokumenti që mat standardet dhe jo konferencat për shtyp, as deklaratat e shpejta që tingëllojnë mirë në tituj, ngase ato shkërmoqen sapo përballen me kontrollin e verifikimit.
Këtu lind pyetja thelbësore:
Çfarë do të thotë kur institucioni që përfaqëson zërin e Europës distancohet nga zëri i një prej përfaqësuesve të tij…!?
Kjo tregon se Europa nuk është e gatshme të miratojë narrativat që nuk përputhen me realitetin. BE nuk shërben si instrument i menaxhimit dhe kurimit të imazhit politik vendas.
Mbi të gjitha, integrimi nuk është një proces që zhvillohet sipas ritmit të deklaratave, por sipas ritmit dhe rezultateve reale të reformave, që janë të matshme dhe të verifikueshme.
Në Shqipëri, zgjedhjet prej vitesh mbeten një çështje e shumëdebatueshme dhe nyje e pazgjidhur e demokracisë. Raportet ndërkombëtare, vëzhgimet e OSBE/ODIHR, gjetjet teknike dhe kritikat e përsëritura flasin për të njëjtat probleme që riciklohen pa fund: keqpërdorimi i burimeve publike, presioni administrativ, mekanizma jo plotësisht transparentë të numërimit dhe mungesë garancish të forta për ndarjen e qartë mes shtetit dhe partisë në pushtet.
Këto nuk janë komente politike të opozitës, por gjetje të institucioneve ndërkombëtare që matin standardet sipas kritereve të demokracive të konsoliduara.
Pikërisht për këtë arsye distancimi i Komisionit Europian vjen si një mesazh i qartë: “Nuk ndryshon vlerësimi ynë vetëm sepse dikush në Tiranë kërkon të ndryshojë narrativën.”
Progres-raporti dokumenti në të cilin Brukseli ngulit vulën e vërtetë të vlerësimit nuk është dekor politik për t’u ekspozuar sipas rastësisë. Ai është hartë e rrugës drejt Europës, ku çdo devijim, çdo gabim dhe çdo dështim regjistrohet me saktësi.
Paradoksi më i madh është ky: ndërsa zyrtarë të ndryshëm mund të japin deklarata të shpejta për konsum politik, Bashkimi Evropian, ndryshe nga politika shqiptare, ka memorie institucionale, standarde dhe procedura që nuk lëkunden sipas atmosferës të një salle konferencash.
Dhe kjo është arsyeja pse përgjigjja zyrtare e Komisionit nuk lë hapësirë për interpretime: qëndrimi është ai i shkruar, i faktuar dhe i publikuar në Raportin e Zgjerimit.
Ky episod duhet të shërbejë si kujtesë për politikën shqiptare se integrimi nuk është çështje e perceptimit të menaxhimit.
Asesi nuk mundet të fitohen kredenciale politike me konferenca, por vetëm me institucione që funksionojnë, dhe kjo nuk arrihet me retorikë, por me standarde.
Nuk ndërtohet as me përpjekje për të imponuar versionin e dëshiruar të realitetit, por me vullnet për të ndryshuar vetë realitetin.
Në fund të ditës, Europa flet me dokumente, ndërsa Shqipëria duhet të përgjigjet me reforma dhe jo me duartrokitje në salla konferencash.
Zgjedhjet e 11 Majit, si shumë zgjedhje të tjera më parë, kanë lënë pas më shumë pyetje sesa përgjigje.
Dhe Brukseli, si gjithmonë, shpreh qartë atë që politika shqiptare shpesh përpiqet ta lyejë me ngjyra: demokracia matet vetëm me standarde dhe jo me deklarata.
Nëse Shqipëria dëshiron vërtet rrugën drejt BE-së, atëherë duhet të pranojë një të vërtetë thelbësore: integrimi nuk është për të bindur Brukselin, por për të bindur veten se jemi gati të ndërtojmë një demokraci ku standardi nuk lëkundet sipas interesit të radhës.
Edi Rama e genjeu me nje shishe vere dhe nje cope torte Kosin, atje ne Bruksel, kur Shqiperia apo paloqeveria "beri hatane" duke hapur te gjitha kapitujt.??!!!!!
Me Berishē e Ramē nuk ka demokraci..! "Hajdutēt me kollaro" tē ballafaqohen me krimin..!