TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Shkurt 2025, 13:08

Çfarë ndodh kur vetëm të mëdhenjtë vendosin për fatin e të tjerëve?

Shkruar nga Matt Fitzpatrick

 Çfarë ndodh kur vetëm të mëdhenjtë vendosin

Ukraina nuk është e ftuar në bisedimet e saj të paqes. Historia është plot me shembuj të tillë, dhe pasojat janë katastrofike...

Ukraina nuk u ftua në një takim të rëndësishëm në Arabinë Sauditë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë, për të vendosur se si mund të vendoset paqja në këtë vend. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina nuk do të “pranojë kurrë” asnjë vendim pa pjesëmarrjen e saj direkte në bisedime.

Vendimi për të negociuar sovranitetin e ukrainasve pa praninë e tyre - si dhe përpjekja haptazi zhvatëse e presidentit të SHBA Donald Trump për të kërkuar gjysmën e pasurisë minerare të Ukrainës, si çmim për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA - tregon shumë mbi mënyrën se si Trump e sheh Ukrainën dhe Evropën.

Mjerisht, kjo nuk është hera e parë që fuqitë e mëdha bashkëpunojnë për të negociuar kufij apo sfera të reja ndikimi, pa kontributin e njerëzve që jetojnë atje. Një politikë e tillë, përfundon rrallë mirë për ata që preken direkt, siç tregojnë edhe këta 7 shembuj historikë.

1. Përplasja për Afrikën

Në dimrin e viteve 1884-1885, udhëheqësi gjerman Otto von Bismarck i ftoi fuqitë e Evropës për një konferencë në Berlin, për të zyrtarizuar ndarjen e të gjithë kontinentit afrikan midis tyre. Asnjë afrikan nuk ishte i pranishëm në konferencën, e cila do të hynte në histori si “Përplasja për Afrikën”.

Ndër të tjera, konferenca çoi në krijimin e Shtetit të Lirë të Kongos nën kontrollin e Belgjikë, ku ndodhën akte brutale që i morën jetën miliona kongolezëve. Ndërkohë Gjermania themeloi koloninë e Afrikës Jugperëndimore Gjermane (Namibia e sotme), ku ndodhi gjenocidi i parë i shekullit XX-të ndaj popujve të kolonizuar.

2. Marrëveshja Trepalëshe

Por në atë mënyrë nuk u nda vetëm Afrika. Në vitin 1899, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara mbajtën një konferencë, dhe i detyruan samoanët të pranonin ndarjen e ishujve të tyre midis dy fuqive. Kjo pavarësisht se ata shprehën dëshirën për vetëqeverisje apo të ishin pjesë e konfederatës së shteteve të Paqësorit.

Si “kompensim” për humbjen në Samoa, Britania mori Tongën. Samoa gjermane ra nën sundimin e Zelandës së Re pas Luftës së Parë Botërore, dhe mbeti një territor i saj deri në vitin 1962. Samoa Amerikane (përveç disa ishujve të tjerë të Paqësorit) mbeten edhe sot e kësaj dite territore amerikane.

3. Marrëveshja Sykes-Picot

Ndërsa po vazhdon Lufta e Parë Botërore, përfaqësuesit britanikë dhe ata francezë u ulën për të rënë dakord se si do ta ndanin Perandorinë Osmane pasi të mbaronte lufta. Duke qenë fuqi armike, osmanët nuk u ftuan në bisedime. Së bashku, Mark Sykes i Anglisë dhe François Georges-Picot i Francës, rishikuan kufijtë e Lindjes së Mesme në përputhje me interesat e kombeve të tyre.

Marrëveshja Sykes-Picot, binte ndesh me angazhimet e marra në një seri letrash të njohura si korrespondenca Hussein-McMahon. Në to, Britania premtonte të mbështeste pavarësinë e arabëve nga sundimi turk.

Marrëveshja Sykes-Picot, binte ndesh edhe me premtimet e bëra nga Britania në Deklaratën e Balfour për të mbështetur izraelitët që donin të ndërtonin një atdhe të ri në Palestinën osmane. Marrëveshja u bë burimi i dekadave të tëra konflikte dhe keqqeverisje koloniale në Lindjen e Mesme, pasojat e të cilave vazhdojnë të ndjehen ende sot.

Çfarë ndodh kur vetëm të mëdhenjtë vendosin

4. Marrëveshja e Mynihut

Në shtator 1938, kryeministri britanik Neville Chamberlain dhe ai francez Édouard Daladier u takuan me diktatorin fashist të Italisë, Benito Musolini dhe gjermanin Adolf Hitler për të nënshkruar atë që u bë e njohur si Marrëveshja e Mynihut.

Udhëheqësit u përpoqën të parandalonin përhapjen e luftës në të gjithë Evropën,

teksa nazistët e Hitlerit kishin nxitur kryengritje, dhe kishin filluar të sulmonin zonat gjermanishtfolëse të Çekosllovakisë, të njohura si Sudetenland.

Ata e bënë këtë me pretekstin e mbrojtjes së pakicave gjermane. Asnjë çekosllovak nuk ishte i ftuar në takim. Ai takim, shihet ende shihet nga shumë njerëz si “Tradhtia e Mynihut”, si shembulli klasik i zbutjes së qëndrimeve ndaj një fuqie luftarake, me shpresën e rreme të shmangies së luftës.

5. Konferenca e Evianit

Në vitin 1938, përfaqësues të 32 vendeve të botës u takuan në Évian-les-Bains, Francë, për të vendosur se si të silleshin me refugjatët hebrenj që po i iknin persekutimit në Gjermaninë naziste. Përpara se të fillonte konferenca, Britania dhe SHBA kishin rënë dakord të mos ushtronin presion mbi njëra-tjetrën për të hequr kuotën e hebrenjve që do të pranonin.

Ndërsa Golda Meir (udhëheqësja e ardhshme izraelite) mori pjesë në konferencë si vëzhguese, as ajo dhe as ndonjë përfaqësues tjetër i popullit hebre, nuk u lejua të merrte pjesë në negociata. Pjesëmarrësit nuk arritën ndonjë marrëveshje për pranimin e refugjatëve hebrenj, me përjashtim të Republikës Domenikane. Dhe shumica e hebrenjve në Gjermani, nuk ishin në gjendje të largoheshin përpara se nazizmi të arrinte kulmin e tij gjenocidist me Holokaustin.

6. Pakti Molotov-Ribbentrop

Ndërsa Hitleri po planifikonte pushtimin e Evropës Lindore, u bë e qartë se pengesa kryesore ishte Bashkimi Sovjetik. Përgjigja e tij ishte nënshkrimi i një traktati jo të sinqertë mossulmimi me BRSS. Traktati, i quajtur sipas ministrave të jashtëm të 2 vendeve Vyacheslav Molotov dhe Joachim von Ribbentrop, bëri që Moska të mos reagonte kur Hitleri pushtoi Poloninë.

Ajo e ndau Evropën në sfera ndikimi naziste dhe sovjetike. I lejoi sovjetikët të zgjeroheshin në Rumani dhe shtetet baltike, të sulmonin Finlandën dhe të merrnin pjesën e vet të territorit polak. Jo pak njerëz në Evropën Lindore i shohin bisedimet aktuale SHBA-Rusi për të ardhmen e Ukrainës, si një ringjallje të asaj diplomacie sekrete që i ndau kombet më të vogla të Evropës midis fuqive të mëdha në Luftën e Dytë Botërore.

7. Konferenca e Jaltës

Me humbjen e afërt të Gjermanisë naziste, kryeministri britanik Winston Churchill, diktatori sovjetik Josef Stalin dhe presidenti i SHBA-së Franklin D.Roosevelt u takuan në vitin 1945 për të vendosur mbi fatin e Evropës së pasluftës.

Ky takim u bë i njohur si Konferenca e Jaltës. Krahas Konferencës së Potsdamit disa muaj më vonë, Jalta krijoi arkitekturën politike që do të çonte në ndarjen e Evropës në Luftën e Ftohtë. Në Jaltë, “tre të mëdhenjtë” vendosën mbi ndarjen e Gjermanisë, ndërsa Stalinit iu ofrua një sferë ndikimi në Evropën Lindore.

Ajo mori formën e një sërë shtetesh të kontrolluara politikisht në Evropën Lindore, një model që disa besojnë se Putini synon që ta imitojë sot në Evropën Lindore dhe Juglindore.

Shënim: Matt Fitzpatrick, profesor i historisë ndërkombëtare në Universiteti Flinders, Australi.

rijad takimi ukraina të mëdhenjtë vendosin

Lini një Përgjigje