
Në një interpretim të këtillë do të dalë se M.Radoiçiç dhe tridhjetë pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti ishin një lloj të dërguarish që me përdorimin legjitim të armëve do të krijonin një proces të ri negociator.
Në 12 muajt e fundit apo mbase në 12 vitet e fundit Serbia ka përligjur pothuajse detyrimin që BE-ja (dhe në masë jo të vogël SHBA-ja) t’i adaptohen politikës së vet e jo që ajo t’u adaptohet BE-së e SHBA-së. Mbase Banjska mund të jetë moment për kthesë.
Kur të jetë i botuar ky tekst, në Serbi do të jetë ditë zie për shkak të “tragjedisë në Banjskë”. Kështu do të përvidhet një shpjegim pranueshmërie veprimit të njësitit paraushtarak në Banjskë, i cilësuar si veprim terrorist nga ana e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe. Ky veprim me të cilin u vra një polic kosovar e në të cilin humbën pastaj jetën katër sulmues do të quhet tragjedi, siç mund të quhet tragjedi një rrëshqitje dheu që merr disa shtëpi, një aksident i një autobusi në autostradë apo një tërmet i intensitetit mesatar që shkakton rrënim shtëpish e humbje jetësh.
Përzgjedhja e fjalës “tragjedi” ka të bëjë me një veprim të peshuar e të vendosur në një ligjërim të përpiktë politik. Sulmi i grupit paraushtarak ishte “tragjik” për shkak të pasojave të tij, humbjes së jetëve të njerëzve, por mbase me gjasë edhe nga mosarritja e objektivit. Në deklarimin e presidentit të Serbisë dhe ministrit të tij të Jashtëm, veprimi i grupit paraushtarak ishte legjitim sepse i kundërvihet “terrorit të Kurtit” dhe në vend se të shuhet nëpërmjet veprimit të Policisë së Kosovës, është dashur të vendoset armëpushim dhe të zhvillohen negociata me të.
Në një interpretim të këtillë do të dalë se M.Radoiçiç dhe tridhjetë pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti ishin një lloj të dërguarish që me përdorimin legjitim të armëve do të krijonin një proces të ri negociator.
Dhe, me një interpretim të këtillë, pushteti në Beograd shpreson, jo pa të drejtë e mbështetur në përvojën e kaluar, se ligjërimi i tij do të fitojë, se Perëndimi do të mbajë pakënaqësi 24-orëshe me këtë veprim dhe do të kalojë në “business as usual”.
Legjitimimi i përdorimit të forcës në Kosovë nga ana e pushtetit të Serbisë përbën edhe një përshkallëzim të ri në rrugën e gjatë të një procesi mbi dhjetëvjeçar të quajtur “normalizimi” (që me këtë emërtim ka bartur kundërthënie të brendshme). Por, ky veprim i Serbisë është krejtësisht i logjikshëm dhe i kuptueshëm nga racionaliteti i saj. Gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar Serbia ka shënuar tri fitore të rëndësishme për logjikën e vet.
E para që kur Gjermania dhe Franca nëpërmjet autoritetit të liderëve të tyre u ofruan Kosovës dhe Serbisë Marrëveshjen bazike me parimin “merre ose lëre”. Serbia arriti që të mos e bëj asnjërën, as ta lërë, as ta marrë, por ta konsiderojë si një dokument pune të mëtejme.
E dyta që kur ajo që u quajt Marrëveshje u ofrua të nënshkruhej nga Kosova, u refuzua nga Serbia dhe u shpall si fitore e arritur nga BE-ja; sot e kësaj dite BE-ja konsideron se ekziston një marrëveshje ndonëse atë e pranon Kosova, por jo Serbia.
E treta që kur në formë të suksesshme refuzoi të akordonte politikën e vet të jashtme me atë të BE-së duke sanksionuar Rusinë për agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Në dymbëdhjetë muajt e fundit Serbia ka përligjur pothuajse detyrimin që BE-ja (dhe në masë jo të vogël SHBA-ja) t’i adaptohen politikës së vet e jo që ajo t’i adaptohet BE-së e SHBA-së.
Lini një Përgjigje