TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Korrik 2025, 19:45

Gargarë dhe faturë, manuali i mjekësisë shqiptare moderne

Shkruar nga Pamfleti

Gargarë dhe faturë, manuali i mjekësisë shqiptare moderne

Një sistem ku pacienti nuk pyetet, familjari nuk informohet, shpresa nuk jepet, por pagesa kërkohet me zell, saktësi dhe afat.

Një denoncim dhe reflektim

Në Shqipëri, nëse të ndodh një emergjencë shëndetësore, zgjidhjet janë dy:

1. Të shkosh te spitali shtetëror dhe të presësh me orë, me shpresë dhe me lot.

2. Të shkosh te spitali privat dhe… të presësh po njësoj, vetëm se me faturë në dorë.

Mjekësia shqiptare është kthyer në një sistem që nuk funksionon për njeriun, por për arkën. Makutëria, babëzia dhe mungesa totale e përgjegjshmërisë janë kthyer në standard. Nëse nuk paguan, nuk ekziston. Dhe nëse paguan, ekziston vetëm si burim të ardhurash, jo si qenie me dhimbje, frikë e pasiguri.

Shembull konkret? Ja ku e keni:

Vjehrra ime, një grua që ka kaluar një goditje të rëndë në tru – AVC me diseksion në arterie karotide.

Shkoi në spitalin privat pa infeksion, por e mori aty.

Më pas gjendja u komplikua me pneumoni aspirative dhe sepsis.

I dhanë qetësues të fortë, ra në gjendje të përgjumur, me ulje reagimi, pa kontakt verbal.

Në fillim reagonte, lëvizte disi, ishte e acaruar por e vetëdijshme. Pastaj, heshtje.

Askush nuk shpjegon. Askush nuk përgjigjet. Askush nuk komunikon.

Vetëm sektori i financave punon pa asnjë bllokim.

– Telefonata tri herë në ditë për pagesa.

– E-mail kujtues.

– Faturë me printer super efikas.

Për gjendjen e pacientes? Heshtje totale.

Ne nuk jemi pjesë e trajtimit. Jemi spektatorë pagues.

Por kjo nuk është vetëm historia e një familjeje.

Kjo është fytyra e vërtetë e sistemit tonë:

– Shtetërori është vendi ku njeriu lutet.

– Privati është vendi ku paguan dhe prapë lutet.

Nuk ka protokoll, nuk ka ndjekje, nuk ka njerëzillëk.

Ka vetëm një strukturë që duket moderne nga jashtë, por nga brenda funksionon si kioskë: sa e ke lëkurën, aq të japin vëmendje.

***

Kam një shok, 30 vjet më parë kishte dhimbje barku.

Shkoi te doktori.

Ky i tha: “Bëj gargarë”.

Tre ditë më vonë, doli që kishte apandesit akut.

Prej asaj dite, “gargare” u bë simbol i mjekësisë së këtij vendi:

Për çdo sëmundje – bëj gargare.

Për çdo dhimbje – pi një çaj.

Për çdo rrezik – bëj pagesën.

***

Çfarë sistemi kemi ngritur?

Një sistem ku:

– Pacienti nuk pyetet.

– Familjari nuk informohet.

– Shpresa nuk jepet.

– Por pagesa kërkohet me zell, saktësi dhe afat.

Privati në Shqipëri nuk është alternativë ndaj shtetit. Është versioni më i shtrenjtë i së njëjtës papërgjegjshmëri.

***

Koha për ta thënë troç: Mjekësia shqiptare nuk ka problem infrastrukture, ka problem karakteri. Nuk mungojnë makineritë. Mungojnë njerëzit që ta shpjegojnë, të të dëgjojnë, të mbajnë përgjegjësi.

Nuk ka humanizëm me faturë. Nuk ka mjekësi kur pacienti është klient dhe doktori është arkëtar. Nëse sot do të vdesësh nga sëmundja, e kupton. Por kur rrezikon të vdesësh nga neglizhenca, heshtja dhe makutëria, kjo është tragjedi me uniformë mjeku. Dhe tragjedia më e madhe është kjo: Nuk kemi ku të shkojmë. Sepse edhe kur paguajmë, nuk marrim shpëtim, marrim gargarë.

Lini një Përgjigje