
Bledi Çuçi admironte Mamicën që kaq afër i afrohej rrezikut në emër të Babos! Deri më sot, askush nga mazhoranca s’e ka pasur këtë shans të vërë jetën në diskutim dhe ky fakt është shenjë e lartë përzgjedhjeje!
Ndarja me Mamicën qe e përmallshme!
Kudo kishte gugatje e shfrime lotësh! Para ikjes së saj për të vendosur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë, u poqëm në mbledhje kryetarësh!
Kur Gaz Bardhi, i cili shquhet për ndjeshmërinë e tij të thellë, ndali ngashërimin, e mora fjalën edhe unë me shumë vuajtje!
Jorushi i Tabakëve, me një dorë në zemër e tjetrën me kompresa, rrinte hazër për të ndalur dalldinë! Ajo nuk i duron dot tragjeditë!
Frymëmarrja mu ngadalësua, një qetësi varri pllakosi! Piva pak ujë e njoma fytin e tharë!
Ngadalë, si një mekanizëm i ndryshkur, fjalët bënin krrak krrak! Ashtu, më në fund kapa ritmin! Ju drejtova:
“Zonja Kryetare, në djall parlamenti ynë që mbyllet, ti po bën një akt sublim duke udhëtuar drejt Ukrainës në kohë qameti, duke sakrifikuar në vend të Babos, e gatshme për të rënë shahid për të, nëse ndonjë dron të kap në emrin e tij. E dyta, mendo sa do mërziten motrani dhe shoqeni, që nuk e duan fare karrigen tënde, as u hyn në sy përballë sigurisë e shëndetit tënd! Ata i luten Zotit qe ti të kthehesh me fitore! Tani, meqenëse po shkon, bëji bashkë Putinin e Zelenskin, rriju rëndë qafirave, qortoji, nëse është e nevojshme futu edhe nga një laper pas koke, duke i bërë që të firmosin paqen se trazuan dynjanë! Merre atë letër në dorë dhe kthehu sa do gëzohet Bora! Të tjerët më shumë!
Mimi di Puçini, me një shikim të hijeshuar dhe tundje të lehta koke, shprehte solidaritetin e saj!
Bledi Çuçi admironte Mamicën që kaq afër i afrohej rrezikut në emër të Babos! Deri më sot, askush nga mazhoranca s’e ka pasur këtë shans të vërë jetën në diskutim dhe ky fakt është shenjë e lartë përzgjedhjeje!
Dilo Nasufi pyeste veten: “Po unë ç’të bëj, të dal në Roshnik e të hidhem për të dëftyer që nuk më dhimbset jeta?”
Nasipi ia dëgjoi zërin e brendshëm e këshilloi që të mos e bënte vullnetarisht, por vetëm nëse i kërkohej kur të tjerët shfaqin frikë! Fatmir Xhafa e puthi në ballë si dikur partizanet duke i kënduar “si të lashë e më s’të pashë moj e bukura Mamicë”! Kohët e mëdha arbërore po përsëriteshin!
Në fund u falëm dhe u profolitem si ata që historinë e shohin me ata që e bëjnë atë!
Mamica, te pragu, na mbante me gajret teksa ne thyheshim e jepeshim nga dhimbja! Zheni Bebi Gjergjit desh i ra të fikët!
Në korridor, Kosta i Gramozit, Linditës, që deri dje ishte 35% i Mamicës, ndihej tashmë 100% i saj! Si pasardhës i Akilit dhe Hektorit, jepte urdhra beteje:
“Shpejt, shpejt! Porosisni 12 helmeta, po aq jelekë antiplumb, kallashë, bumje, autoblinda”
Morëm vesh që një aeroplan i Natos do t’i çonte deri në Moldavi!
Atje, Kostaqi që ishte betuar se jetën e jep, por Mamicën s’e lë kishte refuzuar kërkesën e forcave të sigurisë ukrainase për t’i futur nëpër baule dhe sipër t’i mbulonin me bar të thatë!
Pasi kishte pajisur Mamicën me armët e duhura dhe e kishte siguruar në një autoblindë, vetë, me helmetë në kokë dhe gjoksin zbërthyer, i kishte prirë autokolonës me mitraloz në dorë, duke e bërë rrugën zjarr e flakë deri në Odesë! Atje populli i drobitur nga lufta priti heronjtë si shembull frymëzimi! Pale kur të flasë Mamica buçima e topave do duket pesë me hiç! Tani lutemi që të kthehen shëndoshë e mirë me paqe të bërë dhe Zot sillna Mamicën siç jua dhamë!
Lini një Përgjigje