Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare pohon se administrata Trump ka injoruar vendet aleate dhe nuk ka përgatitur as Kongresin e as opozitën e brendshme iraniane për këtë përplasje. Sipas tij, mungesa e një strategjie të qartë për ndryshimin e regjimit po krijon një vakuum të rrezikshëm, ndërkohë që presidenti po përgatit terrenin për t’ua shkarkuar fajin e një dështimi të mundshëm bashkëpunëtorëve të tij...
John Bolton kritikon ashpër fushatën ushtarake të SHBA-së në Iran, duke e cilësuar atë si një operacion pa objektiv përfundimtar të qartë dhe të dëmtuar nga gabime taktike që në zanafillë.
Ai argumenton se dështimi për të pasur si prioritet Ngushticën e Hormuzit dhe nënvlerësimi i qëndrueshmërisë së Gardës Revolucionare kanë minuar pretendimet e Trumpit për një fitore të shpejtë, duke lënë pas një regjim ende funksional dhe të rrezikshëm.
Në rrafshin politik, Bolton evidenton mungesën e koordinimit me aleatët dhe opozitën iraniane, si dhe dështimin për të përgatitur opinionin publik dhe Kongresin për pasojat ekonomike të konfliktit. Sipas tij, kjo qasje kaotike po detyron administratën të “ngrejë stekën” pa një plan daljeje, ndërsa presidenti po projekton strategjinë e tij të radhës: gjetjen e një fajtori të jashtëm për të shmangur përgjegjësinë e një dështimi të mundshëm.
Cili mendoni se ishte objektivi përfundimtar në fillim të luftës?
Atë nuk e di dhe Trump nuk ka bërë asgjë për ta zbuluar. Objektivi i duhur duhej të ishte ndryshimi i regjimit.
Në fazat e para të konfliktit, presidenti foli hapur për këtë…
Po, në fillim dukej kështu, por pastaj nuk më duket se është ndjekur ajo rrugë. Dhe ishte një gabim.
Pse?
Sepse nëse e lë në këmbë një regjim, ndonëse shumë të dëmtuar, ai do të rikthehet në skenë edhe më i fortë dhe më i keq, si në frontin bërthamor, ashtu edhe në atë të terrorizmit.
A mendoni se kapacitetet raketore dhe ushtarake iraniane janë asgjësuar realisht?
Jo, nuk janë asgjësuar më shumë sesa gjatë 12 ditëve të operacioneve verën e kaluar. Besoj se SHBA-të i kanë shkaktuar dëme të rënda Iranit, por po flasim për një diktaturë ushtarake që qëndron në këmbë prej 47 vitesh, ku Gardianët e Revolucionit kanë më shumë kontroll se kleri shiit dhe ky pushtet vetëm sa do të rritet teksa po eliminohen njëri pas tjetrit Udhëheqësit Supremë.
Duke mos pasur, siç thoni ju, një objektiv përfundimtar të qartë, sa mendoni se mund të zgjasë konflikti?
Trump që në fillim ka folur për 4-6 javë. Aktualisht jemi vetëm në të tretën. Por vlerësimi më duket optimist, sepse ka ende shumë për të bërë.
Për shembull?
Për sa kohë që Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur, nuk do të ketë një deklaratë për një fitore të mundshme.
A besoni se SHBA-të e kanë nënvlerësuar atë që mund të ndodhte në atë zonë?
Po, ishte gabim që nga fillimi të mos konsiderohej si prioritet Ngushtica e Hormuzit. Vetëm në fund të javës së kaluar pati një rritje të operacioneve, me shkatërrimin e anijeve iraniane që vendosnin mina dhe raketave të lëshuara kundër njësive detare. Por Irani ka ende anije të vogla shumë të shpejta dhe të afta për të goditur naftëmbajtëset dhe anijet ushtarake. Jam shumë i surprizuar që ky skenar i Hormuzit nuk është konsideruar që nga fillimi.
Trump kritikon NATO-n dhe kërkon ndihmën e evropianëve, por jo para se të thotë që Amerika “mund t’ia dalë vetë”…
Janë fjalë kontradiktore. E çfarë rrugëdalje mund të ketë? E tija është një qasje që pasqyron një sërë gabimesh të bëra para shpërthimit të konfliktit dhe që sot i bën gjërat edhe më të ndërlikuara.
Cilët janë gabimet kryesore?
Trump nuk i ka përgatitur amerikanët për konfliktin, nuk ka shpjeguar arsyet pse një ndryshim regjimi ishte i nevojshëm për shkak të rrezikut bërthamor dhe terrorizmit. Shpërfilli Kongresin, pastaj aleatët. Po ashtu, nuk ka përgatitur opozitën në Iran që do të duhej të kishte një rol kyç në ndryshimin e qeverisë; nuk e ka pyetur opozitën se çfarë ishin në gjendje të bënin apo çfarë mbështetjeje u duhej. Nuk ka menduar për asgjë nga këto dhe tani nxiton pas ngjarjeve dhe nuk po u paraprin atyre.
Dhe pastaj është nafta. Në fillim të konfliktit, Sekretari i Energjisë, Chris Wright, foli për rritjen e çmimeve si diçka që nuk duhej pasur frikë. Ndaj askush nuk ka reflektuar mjaftueshëm mbi Hormuzin dhe mbi pasojat. Sot liderët janë të zënë duke kërkuar zgjidhje për të qetësuar tregjet. Dhe pastaj është një rast flagrant.
Cili?
Të hënën Trump tha se ishte i surprizuar nga sulmet iraniane kundër vendeve arabe. Epo, është njeriu i vetëm në botë që është i habitur. Sepse ato jo vetëm që ishin të parashikueshme, por edhe të pashmangshme.
Sipas jush, çfarë ka në mendje tani Trump, meqë keni qenë pranë tij për shumë muaj?
Ai e di që ka një problem. Por Trump nuk e pranon kurrë se gabon në diçka, prandaj përgjegjësia do të shkarkohet mbi dikë që nuk i ka thënë mjaftueshëm apo gjëra të tilla. Ai po përgatit terrenin për të shkarkuar mbi të tjerët fajin e një dështimi të mundshëm.
Në fillim folët për ndryshimin e regjimit. Inteligjenca amerikane mendon se në ditën e 17-të të luftës regjimi është më solid dhe kompakt ndonëse ka humbur lidershipin…
Unë besoj se situata është më komplekse se kaq, dhe prova është vrasja e Ali Larijanit. Regjimi nuk e ka konsoliduar pushtetin. Përkundrazi, ka dokumente të tjera që zbulojnë se si Pasdaran-ët kanë deleguar pushtetin nga qendra - ku janë nën sulm - në periferi. Është një protokoll në veprim: nëse zemra humbet komandën dhe kontrollin, i takon njësive periferike të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Pra regjimi është në vështirësi reale, pushteti ka mbërritur në nivelet e ulëta të rrethit dhe aktualisht nuk mund të mbrohet për një kohë të gjatë. Dhe ky është momenti kur njerëzit fillojnë të thonë “Unë nuk dua të përfundoj keq duke ndjekur këta” dhe opozita mund të gjejë hapësira.
Duhen trupa në terren për t’i dhënë goditjen e fundit?
Trump nuk do t'i dërgojë, sepse ka bërë fushatë duke thënë se nuk do të niste luftëra të pafundme. As planifikuesit në Pentagon nuk kanë menduar kurrë për zbarkim trupash brenda Iranit. Nuk është Iraku i vitit 2003, por administrata mund të mendojë për operacione për të siguruar Hormuzin, ishullin e Kharg ose materialin bërthamor iranian./Pamfleti nga “La Stampa”
ORE ZOTNI QE TE DUKET VETJA I ZGJUT CFARE PUNE KA USA SI XHANDAR I BOTES IRANI, VENEZUELE, KINA ETJ DO KENE UDHEHEQJEN QE DUAN DHE PASURITE E TYRE DO TI PERDORIN VETE DHE KU DUAN ATA DUHET TE BSHPORRET USA NGA LINDJA E MESME DHE GJIRI PO VDESIN NJEREZ DHE USA NUK NDIEN ASJGJE POR EKSPORTO GABIMET E SAJ DHE MEGALOMANINE TA MUINDE KINEN ME EKONOMI JO ME LUFTE E ME INAT TURP TURP TUPP USA DO BEHET E URRYER