Mijëra fëmijë të vrarë ose të gjymtuar, pesë milionë nën moshën dhjetë vjeç të detyruar të zhvendosen drejt asgjësë, një çdo dhjetë sekonda...
Ndërkohë që të gjitha luftërat në zhvillim, nga Ukraina te Irani, nuk japin shenja përfundimi, mes atyre që nuk kanë lidhje e megjithatë vdesin, përveç civilëve, janë edhe fëmijët. Dhjetëra mijëra fëmijë. Më shumë se 20 mijë vetëm në Gaza, dhe 107 të tjerë në frontin e ri të hapur nga Netanyahu në Liban. Më shumë se një mijë, në sulmin dhe kundërsulmin e regjimit të Teheranit, në më pak se një muaj: një tjetër masakër e të pafajshmëve që L’Osservatore Romano, gazeta e Papës, e ka vendosur në faqen e parë me foton e një hapësire me çarçafë të bardhë të përgjakur.
Në katër vitet e rezistencës ndaj Putinit, sipas vlerësimeve të Kievit, do të ishin mbi 3 mijë fëmijë të plagosur ose të vrarë, përveç atyre të rrëmbyer nga qytetet e tyre dhe “rusifikuar”. Moska e mohon. Tel Avivi e mohon. Palët ndërluftuese në Gjirin Persik aktualisht nuk japin të dhëna.
Mungesa jonë e vëmendjes rritet me rritjen e distancave. Që nga viti 2023, në Sudan ka ferr, katastrofa më e madhe humanitare në botë sipas OKB-së. Mijëra fëmijë të vrarë ose të gjymtuar, pesë milionë nën moshën dhjetë vjeç të detyruar të zhvendosen drejt asgjësë, një çdo dhjetë sekonda.
Kundërshtimi: dëme anësore të çdo konflikti në çdo kohë. E vërtetë pjesërisht. Është e lejueshme të vërehet, së bashku me një rritje të shpërfilljes, edhe një rritje e vdekjeve të fëmijëve. Që në vitin 2024, Kombet e Bashkuara theksonin se 4.676 fëmijët e vrarë në fronte të ndryshme, plus 7.291 të plagosur rëndë, përbënin numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Sot kemi ecur shumë përpara. Dhe në totalin e marsit 2026 nuk përfshihen të vegjlit e gomoneve: Mesdheu konfirmohet si rruga migratore më vdekjeprurëse në botë për të miturit, një varr masiv me 3.500 të zhdukur ose të mbytur, ekuivalenti i 140 klasave shkollore, mes viteve 2014 dhe 2024. Por edhe përmes detit, këto shifra tashmë janë tejkaluar. Pak ditë më parë, një anije u mbyt pranë Lampedusës: u shpëtuan 64 persona, përfshirë nënën e njërit prej të mbyturve, me moshë të vlerësuar mes dy dhe tre vjeç.
Kundërshtimi: por kjo nuk është luftë, nëse do të qëndronin në vendin e tyre etj. Problemi është se lufta shpesh është pikërisht në vendin e tyre dhe ata largohen për këtë arsye; dhe kur i kapin përsëri, nëse nuk vdesin në det, përfundojnë në kampe si ato libiane, që ngjajnë me kampe të tjera, me të gjitha kampet që njerëzimi i degjeneruar ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë. Por për ndjeshmërinë tonë të verbuar, çështja zgjidhet duke fajësuar këdo: sikur fëmijët të mos kishin qenë në atë gomone, sikur të mos kishin lindur mbi tunelet e Hamasit, dhe pafund të tjera të ngjashme të mjerueshme.
Të vetmit që merren me fëmijët që mbijetojnë, me lodrat e tyre të mbushura të shndërruara në copa leckash si kujtimet e grisura ndoshta të një familjeje, një shtëpie, një vëllai të vogël, fëmijë jetimë në kuptimin më të plotë, janë organizatat humanitare, të cilave Trump u ka shkurtuar fondet duke kaluar nga një kontribut prej 72 miliardë dollarësh në një lëmoshë prej 12 mld. Në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, ka një që mbizotëron mbi të gjitha: e drejta për jetën. Pasi janë shuar në fakt e drejta për zhvillim, për arsimim, për mosdiskriminim, edhe ajo kryesore është kthyer në një letër të vdekur.
“Tani fëmijët flenë në shtratin e Sand Creek-ut”, i imagjinon De André në një këngë kushtuar një episodi të gjenocidit të amerikanëve vendas nga të bardhët, të cilët më pas, me ndihmën e disa filmave propagandistikë, arritën t’i paraqesin “indianët” si të këqijtë.
Tani shumë fëmijë të tjerë, çdo ditë, flenë përgjithmonë. Por në kohën e Herodit, që na bën të pandjeshëm ndaj çdo mizorie të kryer kundër më të pambrojturve, harrojmë se nën çdo çarçaf të bardhë, ashtu si nën çdo det që përpin trupat e vegjël, ka një pjesë të vetes sonë të mohuar. Jepuni një përkëdhelje fëmijëve tuaj dhe tregojuni se atë përkëdhelje po ua mohojmë pjesës tjetër të vëllezërve të tyre, të lënë në mëshirë të luftërave, urisë dhe dallgëve./Përshtati "Pamfleti" nga "Corriere della Sera"
*Shënim: Herodi ishte një mbret mizor. Ai mbretëroi për afro tre dekada, mbi 2.000 vjet më parë. Mbretëria e tij e kishte qendrën në Jude dhe përfshinte disa nga zonat përreth. Herodi mbahet mend më tepër si një vrasës xheloz, që vrau jo vetëm disa familjarë të vet, por edhe djem të vegjël të pambrojtur. Njëherë, kur disa astrologë nga Lindja i thanë se kishte lindur mbreti i ardhshëm, Herodi u tha ta gjenin dhe më pas të ktheheshin tek ai. Por, kur Perëndia i paralajmëroi astrologët të mos ktheheshin, Herodi urdhëroi të vriteshin të gjithë djemtë nga mosha dy vjeç e poshtë që ndodheshin në Betlehem, qyteti ku astrologët kishin gjetur Jezuin, dhe në krahinat përreth. Sipas historisë, me urdhërin e Herodit u vranë rreth 14 mijë fëmijë.
Kjo pjesa e fundit eshte e supozuar. Nuk ka asnje fakt qe provon se Herodi urdheroi vrasjen e femijeve!