
Vetëm nga shkarkimet e paligjshme nga puna deri tani dëmi llogaritet 1.8 milionë euro, faturë që pritet të rritet në muajt në vazhdim...
Ditët e fundit në mediat online po gëlon lajmi se Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) është në prag të greminës. Media publike, prona jonë e përbashkët, është rrënuar për shkak të borxheve të akumuluara nga keqmenaxhimi dhe plaçkitja e vazhdueshme e drejtuesve, të cilët e kanë parë këtë institucion si mjet për pasurim të shpejtë personal.
Në fakt, rrënimi i RTSH-së ka nisur gradualisht dhe është thelluar në vitet e fundit, por goditjen fatale ia dha Alfred Peza. Unë, së bashku me gazetaren Denisa Plaka, jemi ndër të parët që kemi paditur në SPAK abuzimet e rënda në RTSH dhe kemi paralajmëruar rrënimin që sot konstaton drejtoresha aktuale Eni Vasili dhe Këshilli Drejtues i RTSH-së.
Vetëm nga shkarkimet e paligjshme nga puna deri tani dëmi llogaritet 1.8 milionë euro, faturë që pritet të rritet në muajt në vazhdim. Ndërkohë, faturat e papaguara që prej vitit 2023 rëndojnë edhe më shumë situatën, duke rrezikuar madje pjesëmarrjen e RTSH-së në Eurovizion.
Kjo krizë nuk është rastësore. Një palë akuzon drejtoreshën aktuale se nuk i ka paguar për punën e tyre prej 5 muajsh, ndërsa pala tjetër pretendon se akuzuesit kanë fryrë faturat e projekteve të emisioneve me tendencë për të vjedhur fondet e RTSH-së dhe thelluar rrënimin e medias publike.
Ne kemi qenë ndër të parët që i jemi përgjigjur shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit në pasurinë publike të RTSH-së me padi në SPAK. Por rrënjët e kësaj “krize” janë më të thella se sa duken. Qëllimisht po e lënë RTSH-në të degradojë për ta amortizuar dhe falimentuar dhe për ti grabitur truallin aq të lakmuar, për ti dhënë jetë projektit të ndërtimit të kullave që prej vitesh fle në sirtarët e oligarkëve.
Cili shtet nuk paguan pagat e punonjësve, nuk respekton kontratat dhe nuk ndjek ligjërisht hajdutët? RTSH-ja nuk është pronë private e politikanëve apo oligarkëve është trashëgimi e kombit shqiptar. Mos të lejojmë që ta kthejnë në gërmadha për interesa të pista!
Lini një Përgjigje