TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Qershor 2026, 09:08

Kur tranzicioni bëhet sistem

Shkruar nga Pamfleti
Kur tranzicioni bëhet sistem
Agred Tafaj/

Pas më shumë se tre dekadash, tranzicioni në Shqipëri nuk ka përfunduar por është kthyer në një sistem hibrid që riprodhon veten, ku pushteti mbetet më i fortë se ligji. Protestat aktuale nuk janë vetëm kundër projekteve të veçanta, por kundër vetë idesë së një tranzicioni të pafund që justifikon dështimin për të ndërtuar institucione të pavarura dhe shtet ligjor.

Shkruan: Agred Tafaj, avokat në Londër (ish student protestues i protestës studentore 2018)

Për më shumë se tre dekada, pothuajse çdo problem i Shqipërisë është justifikuar me të njëjtën
shprehje: jemi ende në tranzicion. Në teori, tranzicioni ishte menduar si një periudhë kalimtare,
një etapë e domosdoshme për ta nxjerrë vendin nga sistemi i vjetër dhe për ta çuar drejt një
demokracie funksionale. Por, pas më shumë se tridhjetë vitesh, pyetja që shtrohet natyrshëm
është: a jemi ende në tranzicion, apo tranzicioni është bërë vetë sistemi?

Një tranzicion nuk matet me kalimin e viteve, por me arritjen e objektivave të tij. Ai përfundon
kur shteti ndërtohet mbi ligjin dhe jo mbi individët, kur institucionet funksionojnë pavarësisht se
kush qeveris dhe kur qytetari ndihet i mbrojtur nga sistemi, jo i varur prej tij. Nga shprehja e
pakënaqësive të protestuesve sot, duket se ende, shumë prej objektivave mbeten ende të
parealizuara.

Sot, jetojmë në një sistem hibrid, ku ekonomikisht pretendojmë tregun e lirë, politikisht
pretendojmë demokracinë, por praktikisht vazhdojmë të përballemi me institucione të varura nga
drejtues politikë, drejtësi të kontestuar dhe një kulturë politike ku pushteti ka treguar se ka më
shumë forcë se ligji. Forma ka ndryshuar, por mekanizmat e kontrollit kanë mbetur të njëjtë.

Në komunizëm, kontrolli ushtrohej hapur përmes partisë, censurës dhe ekonomisë së
centralizuar. Në demokraci, pushteti duhet të kufizohet nga ligji, institucionet e pavarura dhe
konkurrenca e lirë. Shqipëria sot mbetet një sistem hibrid: zhvillojmë zgjedhje dhe kemi
ekonomi tregu, por ndikimi politik mbi administratën, punësimet publike, shpërndarjen e
fondeve dhe presioni ndaj institucioneve të varura e të pavarura tregojnë se pushteti vazhdon të
ketë më shumë forcë se rregullat që duhet ta kufizojnë atë. Nëse dikur dhuna ishte ideologjike,
sot ajo shfaqet në forma më të sofistikuara, si ajo psikologjike dhe ekonomike.

Në thelb, tranzicioni shqiptar nuk ka qenë vetëm një proces transformimi. Ai është kthyer në një
mekanizëm që riprodhon vazhdimisht vetveten. Çdo krizë politike, çdo valë emigrimi, çdo
protestë apo zhgënjim qytetar rikthen të njëjtën pyetje: pse ende nuk kemi arritur atë ku duhet të
kishim mbërritur prej kohësh? Ndoshta sepse një tranzicion i përfunduar do të nënkuptonte
institucione më të forta se individët, ligj më të fortë se pushteti dhe qytetarë më të lirë nga
varësitë politike. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: sa më gjatë zgjat tranzicioni, aq më
shumë përfitojnë ata që e menaxhojnë atë.

Prandaj, sfida jonë sot nuk është të reformojë tranzicionin, por ta mbyllim atë. Dita e 6 e
protestës po tregon se ne nuk po dalim në protestë vetëm për Projektin e Zvërnecit apo Ndërtimet
e Rriollit, apo paketën e maleve. Ne po dalim për gjithçka që nuk ka ndryshuar prej vitesh. Po
dalim sepse pas më shumë se tre dekadash tranzicion, shumë prej nesh ende ndihen të pambrojtur përballë shtetit, të papërfaqësuar nga politika dhe të zhgënjyer nga institucionet. Protesta është
zëri i një pakënaqësie që është mbledhur ndër vite. Është reagimi i atyre që besojnë se
tranzicioni, i cili duhej të sillte demokraci funksionale dhe shtet ligjor, është kthyer në një
gjendje të përhershme ku premtimet përsëriten, por problemet mbeten të njëjta.

Dhe ndërsa ngremë zërin kundër kësaj gjendjeje, a jemi gati të kërkojmë jo vetëm fundin e një
padrejtësie, por fundin e vetë tranzicionit që e ka prodhuar atë? Sepse asnjë shoqëri nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke jetuar pafundësisht në një gjendje kalimtare. Një komb nuk mund të
ecë përpara kur çdo brez rritet me premtimin se ndryshimi i vërtetë do të vijë nesër.

Dhe nëse pas më shumë se tridhjetë vitesh vazhdojmë të jetojmë ende në tranzicion, a nuk
është koha të pyesim nëse ai ka dështuar të përfundojë, apo është mbajtur qëllimisht i
papërfunduar?

Lini një Përgjigje

Forum