“Llastimi” politik i Dodikëve nga Trump-ët, përkatësisht nga Junior, duket se është zinxhir i një çështjeje ku ndërthuren mjaft fije, interesa dhe relacione. Duke futur edhe peshën e mërgatës serbe në SHBA, e cila ka rezultuar e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale të viteve të fundit, në disa shtete kyçe, përkatësisht Wisconsin, Michigan dhe Ohio.
Ka bërë bujë në mediat rajonale vizita 24-orëshe në Banja Luka – kryeqendrën e Republikës Srpska në Bosnjë – e djalit të madh të Presidentit të SHBA, Donald Trump Junior.
Trump Junior, i shoqëruar nga partnerja e tij, ka marrë pjesë në një aktivitet politiko-biznesi në Banja Luka, që organizohej nga djali i Milorad Dodik, Igori. Ndërkaq, djali i kreut të Shtëpisë së Bardhë ka vizituar edhe pronën familjare të Dodikëve, në fshatin piktoresk të Baknices, në veri të Konfederatës së Bosnjës, në kufi me Kroacinë.
Në takimin e zhvilluar në një mjedis gala në Banja Luka, ku folësi kryesor ishte Igor Dodik, mori pjesë edhe babai i tij Milorad, që ndodhej në krah të presidentit të Republikës Srpska, Sinisha Karan, një kukull që lëvizet nga njeriu i fortë i Ballkanit.
Vizita ka marrë gjithë vëmendjen e mundshme nga mediat në gjuhën serbe, por edhe të vendeve të tjera të rajonit.
Kjo për disa arsye: Trump Junior nuk është vetëm djali i madh i Presidentit të SHBA, ai është një personazh i rëndësishëm politik i lëvizjes MAGA, përkatësisht republikanëve amerikanë.
Junior drejton pjesën më militante të MAGA dhe kujdeset për të ruajtur koherencën e asaj mase të madhe elektorati që ka qëndruar besnik ndaj Donald Trumpit të madh, qoftë në dy zgjedhjet presidenciale, por edhe në zgjedhjet e mesmandatit për rinovimin e Kongresit, ku pesha e Junior është mjaft e rëndësishme.
Përkatësisht për Dodikët, kjo vizitë është mjaft e rëndësishme, sidomos pasi qeveria e SHBA hoqi sanksionet ndaj ish-Presidentit të Republikës Srpska, familjes së tij, si dhe një sërë zyrtarësh të rëndësishëm serbë të Bosnjës.
Ndërkohë që Milorad Dodik ka dhënë dorëheqjen nga çdo angazhim politik, djali i tij Igor është drejtues i një partie politike, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur të Republikës Srpska.
Rasti i Dodikut dhe Dodikëve nuk do të ishte kaq “tërheqës” për mjedisin tonë politik, nëse nuk do të ishte pikërisht ky mjedis yni, i cili e ka përdorur këtë precedent si narrativë për të ilustruar apo analizuar precedentin “Berisha”.
Kur qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli në vitin 2021 Sali Berishën dhe familjen e tij “non grata”, mbështetësit mediatikë të doktorit tentuan ta relativizojnë situatën.
Ata i mëshonin argumentit se kur Sali Berisha të marrë drejtimin e PD-së dhe të votohet nga njerëzit, SHBA do të heqë barrierat ndaj tij.
Për këtë sollën rastin kur zyrtari i lartë i DASH, Gabriel Escobar, takoi Milorad Dodik, në atë kohë anëtar i Presidencës kolektive të Bosnjë-Hercegovinës.
Kanë kaluar 5 vjet nga atëherë, Milorad Dodik dhe familja e tij nuk janë më nën sanksione, ndërsa Sali Berisha vijon të jetë. Po si është situata, pse kemi dy qëndrime në dy raste të ndryshme?
Në realitet kemi të bëjmë me dy raste krejt të ndryshme në aspektin politik dhe juridik. Dodik, kur u ndëshkua nga qeveria amerikane, u vendos nën sanksione nga Departamenti i Thesarit në SHBA. Përkatësisht, i janë ngrirë pasuritë dhe i është ndaluar hyrja në SHBA, por në fund të vitit të shkuar këto sanksione u hoqën pas një hapi prapa të Dodikut.
I cili u largua nga politika, duke aktivizuar të birin Igor, jo në post drejtues, por në një funksion politik në vendin e tij.
Natyrisht që ky proces nuk ka ardhur kaq spontanisht, pasi ka brenda tij një lobim mjaft intensiv në disa plane. Së pari, Milorad Dodik pajtoi si avokat ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i cili ka qenë avokat edhe i Presidentit Donald Trump.
Ndërkaq, Trump Junior në fillim të vitit të shkuar ka hapur në Uashington një klub ekskluziv fondmbledhës dhe lobues, ku bëjnë pjesë emra të fuqishëm të financës, medias dhe politikës amerikane. Disa media të ndryshme në SHBA shkruan në atë kohë se vetëm anëtarësimi në atë klub kap shifra të ekzagjeruara edhe për standardin uashingtonian, ku flitej për një dysheme prej 300 milionë dollarësh.
Disa media e panë këtë hap edhe si një shtrim rruge për një karrierë të ardhshme të Trump Juniorit në një kandidaturë për Shtëpinë e Bardhë.
Pra, është e qartë se kemi të bëjmë qoftë me lobim klasik, qoftë me lobim politik. Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë, që është i afërt me Trump-ët, është edhe një aleat i afërt me Milorad Dodik.
Në përfundim, rasti Dodik ka padyshim një marrëdhënie intensive lobimi, negociate e interesa të ndërthurura. Por në thelb ka një hap pas nga plaku Milorad, që duket se është një pikë e rëndësishme e zhvillimit të gjërave në fund të vitit të shkuar.
“Llastimi” politik i Dodikëve nga Trump-ët, përkatësisht nga Junior, duket se është zinxhir i një çështjeje ku ndërthuren mjaft fije, interesa dhe relacione. Duke futur edhe peshën e mërgatës serbe në SHBA, e cila ka rezultuar e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale të viteve të fundit, në disa shtete kyçe, përkatësisht Wisconsin, Michigan dhe Ohio.
Nga ana tjetër, te rasti ynë kemi gjithashtu lobim, madje jo të vogël, dhe në lojë kanë hyrë shifra marramendëse. Por deri tani nuk ka asnjë shenjë që sanksionet ndaj kreut të PD-së dhe familjes së tij do të hiqen nga qeveria amerikane.
Kjo duket se ka disa arsye. Së pari, ndëshkimi për Sali Berishën është i një forme dhe klasi tjetër krahasuar me Dodikun.
Ai është dhënë sipas ligjit 7031/C për korrupsion madhor, pengim të drejtësisë dhe minimin e demokracisë. Deri tani asnjë sanksion i dhënë sipas këtij ligji nuk është revokuar, edhe pse ka një numër të madh zyrtarësh botërorë që kanë marrë këtë “medalje”.
Ndërkaq, Sali Berisha nuk ka pranuar të bëjë një hap pas, ndryshe nga Dodik, i cili gjithashtu është nën një proces penal në Bosnjë-Hercegovinë.
Do të thotë, nuk ka dhënë sinjal për një largim nga politika si shenjë e zgjidhjes me një marrëveshje të çështjes ndaj familjes së tij. Nga ana tjetër, edhe pse duket jo aq relevante, “verdikti” është djegur nga vetë Sali Berisha kur fitoi Donald Trump në 2024 dhe u pajtua Chris LaCivita në 2025, duke mbushur opinionin në Shqipëri se “non grata” ka rënë. Me një fjalë, panelet mediatike dhe politike të Tiranës folën përpara pallateve të pushtetit në Uashington.
Megjithatë, ka një gjë të përbashkët që ende vijon të ngjasojë rastin Berisha me rastin Dodik. Të dy vijojnë të jenë nën sanksione nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, siç është përcaktuar në mënyrë “permanente”.
Lini një Përgjigje