TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Mars 2026, 10:36

Lufta me Iranin: Interesat e Amerikës nuk janë më tonat, ç’duhet të bëjë Evropa?

Shkruar nga Paolo Rossetti

Lufta me Iranin: Interesat e Amerikës nuk janë më tonat,

Ky konflikt rrezikon të paralizojë ekonominë evropiane, përmes rritjes drastike të kostove të energjisë dhe destabilizimit të furnizimit. Është koha që kontinenti ynë të rishikojë aleancat strategjike dhe të mbrojë interesat e veta, përpara se të përballet me një shkatërrim industrial.

Lufta me Iranin parashikon një rritje të ndjeshme të kostove të energjisë në Evropë. Por askush nuk thotë asgjë. Ne mbetemi aleatë të atyre që na kanë dëmtuar prej kohësh. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë përsëri një nismë që e dëmton Evropën, duke nisur një luftë në zonën më të rëndësishme të energjisë për kontinentin.

Gianandrea Gaiani, drejtor i “Analisi Difesa”, thotë se edhe pse janë të pakënaqur me atë që ndodhi në Ukrainë, apo edhe më parë në Libi dhe gjatë “Pranverës Arabe”, evropianët e konsiderojnë ende veten aleatë të një partneri që ndjek vetëm interesat e veta dhe as nuk paralajmëron se është gati të sulmojë Iranin.

Lufta me Iranin: Interesat e Amerikës nuk janë më tonat,

Një luftë tjetër në Lindjen e Mesme duhet të përcaktojë përfundimisht divergjencën e interesave midis dy anëve të Atlantikut, dhe t’i shtyjë vendet evropiane të kultivojnë interesat e tyre, pa qenë domosdoshmërisht në anën e Uashingtonit.

Si mund të shpjegohet vendimi amerikan (dhe ai izraelit) për të sulmuar Iranin?

Sulmi izraelit dhe amerikan ndaj Iranit nuk i përgjigjet asnjë nevoje mbrojtëse. Ai paraqitet si një sulm parandalues, por kundër kujt? Si CIA, ashtu edhe Pentagoni kanë mohuar se kishte ndonjë shenjë për një sulm të afërt iranian ndaj bazave amerikane, dhe Irani gjithmonë ka thënë se nuk kishte ndërmend të sulmonte, por do të mbrohej nëse do të shënjestrohej.

Gjithsesi Trump pretendon se Teherani do ta kishte bombën bërthamore brenda disa javësh, edhe pse Netanyahu ka thënë të njëjtën gjë prej 25 vjetësh. Në realitet, të gjitha raportet e OKB-së thonë se kjo nuk është e vërtetë. Për më tepër, presidenti amerikan tha në qershor të vitit të kaluar se vendet bërthamore të Teheranit ishin shkatërruar. Tani ose gënjeu atëherë, ose po gënjen tani. Kjo është një situatë që më kujton “tubin e provës” të Poëell-it për të justifikuar sulmin e vitit 2003 ndaj Irakut.

Cilat janë pasojat e lufte për Evropën?

Ne vazhdojmë t’i lejojmë aleatët tanë amerikanë të destabilizojnë fushat e energjisë që na nevojiten si buka e përditshme. E lejuam Obamën të mbështeste Pranverën Arabe në vitin 2011, morëm pjesë në luftën në Libi, pastaj i lejuam amerikanët të destabilizonin Ukrainën në vitin 2014, gjë që solli pamundësinë tonë për të blerë gazin rus.

Sot, jemi ende aleatë të SHBA-së, e cila sulmon Iranin, shkakton kaos dhe madje mbyll Ngushticën e Hormuzit, pa na paralajmëruar paraprakisht. Në fakt, ata organizuan një diversion, me Rubion që supozohej se shkoi në Lindjen e Mesme për të vazhduar dialogun me Teheranin.

Katari ka njoftuar se infrastruktura e tij është goditur nga dronët iranianë, duke pezulluar prodhimin e LNG-së. Cilat do të jenë pasojat e sulmit për tregun e energjisë dhe për Evropën në veçanti?

Analistët thonë se konflikti i Gjirit mund të rrisë çmimet e gazit në Evropë me 130 për qind, por ne vazhdojmë ta konsiderojmë veten aleatë të atyre që na kanë çuar në katastrofë për 15 vjet dhe po bëjnë gjithçka që munden për t’i vënë evropianët në vështirësi.

E kuptoj që Netanyahu duhet të vazhdojë të zhvillojë luftëra për të qëndruar në pushtet, por ka hapur 6 fronte dhe nuk ka mbyllur asnjë. Strategjia e tij mund të jetë një luftë e përhershme për të shmangur gjyqet për korrupsion dhe për të mbetur në pushtet.

Kjo është e kuptueshme, por cila është strategjia jonë? Ajo s’ka të bëjë me faktin nëse jemi apo jo pro-Ajatollahut, por thjesht me ndjekjen e interesave tona.

Dhe cili është interesi ynë?

Stabiliteti në zonat e energjisë dhe një furnizim më i madh me energji janë thelbësorë, sepse kjo ul çmimet. Dhe ne si blerës, kemi nevojë për këtë, përndryshe shkojmë drejt shkatërrimit industrial të Evropës. Ne sapo hoqëm dorë nga gazi rus për fajin tonë, dhe tani amerikanët po na imponojnë një ndalim të energjisë nga Lindja e Mesme dhe mbylljen e Gjirit. Interesat amerikane nuk përkojnë më me tonat.

Pse?

Sepse rritja e çmimeve të naftës dhe gazit do të favorizojë naftën amerikane, që nuk është më fitimprurës nën vlerën 62 dollarë për fuçi. Mendoj se nisma amerikane rrezikon të jetë vetëvrasëse, sepse fitorja nuk është e sigurt. A e mbani mend si përfundoi në qershor 2025? Në një moment të caktuar, Trump u detyrua të ndërhynte duke bombarduar centralet bërthamore sepse Izraelit i kishin mbaruar armët antiraketë. Edhe në luftën kundër Huthëve, Trump dhe amerikanët u detyruan të bënin një marrëveshje sepse u kishin mbaruar armët antiraketë në anijet e tyre. Pyetja këtu është: a do të mbarojnë të parat raketat anti-raketë apo 2.500-3.000 raketat balistike të Iranit?

Por a nuk janë iranianët inferiorë në këtë drejtim?

Le të mos harrojmë se kinezët dhe rusët po i ndihmojnë ata në heshtje, dhe se iranianët kanë goditur radarët amerikanë në vendet e Gjirit dhe në Izrael, pikërisht ato vende që gjurmojnë ngritjen e raketave balistike. Irani nuk është Venezuela; është një “arrë e fortë” për t’u thyer. Duke vrarë Khamenein, amerikanët dhe izraelitët kanë harruar gjithashtu se ai është udhëheqësi i shiitëve, dhe se ky episod jo vetëm që do të rrisë urrejtjen ndaj Izraelit dhe Amerikës, por në çdo rrethanë tjetër të ngjashme do ta quanim këtë një akt terrorist.

Përtej kësaj, me çfarë rreziqesh përballen amerikanët?

Unë mendoj se kjo luftë rrezikon ta çojë botën arabe drejt refuzimit të bazave amerikane. Është e vërtetë që monarkitë e Gjirit, që sigurisht nuk janë demokraci të pastra, po e mbështesin indirekt këtë operacion. Por nëse raketat iraniane mbërrijnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt apo Bahrein, opinioni publik nuk do të jetë aspak i lumtur.

Megjithatë, Teherani konsiderohet si një regjim ekstremist islamik që ka synuar rtë destabilizojë rajonin. A nuk mjafton kjo për të justifikuar sulmin?

Pasdaranët, të cilët evropianët i kanë etiketuar si terroristë, janë shiitë iranianë që vetëm me 3 regjimente endalën ISIS-in në portat e Bagdadit në vitin 2014. Iraku Verior u çlirua nga ISIS-i prej milicive shiite të udhëhequra nga Pasdaranët. Ne shënjestruam islamikët e gabuar, sepse xhihadistët janë sunitë dhe armiq të Iranit.

Si evropianë, ne duhet të kujdesemi edhe për interesat tona. Ne e kemi përcaktuar Mesdheun e Gjerë, i cili shtrihet deri në Gjirin Persik, si zonën tonë kryesore të interesit. A nuk kemi asgjë për t'u thënë aleatëve që destabilizojnë atë zonë? Për më tepër, dronët kanë zbarkuar në bazat britanike në Qipro, vendi që mban presidencën 6-mujore të BE-së.

Inspektorët e IAEA-s paralajmërojnë një ndotje të mundshme nga sulmet në centralet bërthamore. A jemi edhe ne në rrezik?

Do të ishte më mirë nëse inspektorët e IAEA-s, meqë nuk kanë qenë kurrë atje, të vizitonin Izraelin, i cili është një fuqi bërthamore që nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht një gjë të tillë, por më e rëndësishmja, s’ka pranuar kurrë asnjë inspektim. Nuk është e qartë se përse, nëse Irani i ndalon inspektorët, konsiderohet një vend kriminel, ndërsa nëse Izraeli ka një arsenal sekret prej 150 kokash bërthamore, çdo gjë konsiderohet në rregull.

Me çfarë skenari përballemi tani?

Unë besoj se lufta do të vazhdojë. Amerikanët folën për një javë, ndoshta sepse deri atëherë do t’u mbarojnë raketat dhe armët antiraketë. Por më pas Trump eklaroi se kjo mund të zgjasë 4 javë. Por me një muaj luftë në shkallë të plotë në Lindjen e Mesme, ekziston rreziku që situata të dalë jashtë kontrollit. Dhe është e vështirë të bësh parashikime kur destabilizohet një zonë kaq e ndjeshme./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

interesat e amerikës evropa lufta me iranin

4 Komente

  1. H
    Hari

    Po gjithmone kjo ka ndodhur me evropen,ndaj edhe Amerika Ben si t'i doje qejfi!evropa eshte kot per SE koti,nuk Jane te zotet per veten e tyre,pasurohet Amerika ne kurriz te evropianeve dhe vendeve qe Kane interes per te,SE n.q.s nuk ka interesa nuk nderhyn fare,dhe evropianet e ndjekin nga mbrapa si ai qeni me gjuhen jashte SE mo's I hedhi ndonje kocke amerika

    1. T
      Thana.

      Irani ka synuar që të bëhet fuqi bërthamore. Realizimi i këtij synimi do të ishte një rrezik për mbarë botën. Prandaj shkatërrimi i këtij synimi është një fitore e cila, pavarësisht nga kostoja e tanishme, duhet mbështetur sepse do të sjellë përmirësime e suguri në të ardhmen.

      1. N
        Nastradini

        Po nqse Irani do realizonte planet e tij per paisjen me arme nukleare cfare pasojash afatshkurtra dhe afatgjata do kishte kontinenti yne?! Regjimi islamist fondamentalist i ayatollaheve eshte suportuesi kryesor i organizatave terroriste me orientim anti perendimor keshtu qe pervec kercenimit terrorist shteteror nga ayatollahet, mendoni cfare mund te ndodhte ne se nuklearja te binte ne duart e ketyre organizatave… Eshte kollaj te thuash si Nastradini “larg nga shtepia ime” po pastaj kur i erdhi tek dera e shtepise nuk bente pune me as “larg nga bytha ime”…

        1. D
          Donald Trubolja

          America ???????? Europe ????????

          Lini një Përgjigje