TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Dhjetor 2025, 11:02

Mendja mbi teknologjinë!

Shkruar nga Irena Beqiraj

Mendja mbi teknologjinë!

Por të gjitha këto teknologji, automatizuan njohuri të nivelit të ulët. Sot të rinjtë janë përdorues të teknologjive që automatizojnë të menduarit e nivelit të lartë...

Në  vitin 1989, në një bisedë gati 20 mintueshe, MGonz shkëmbeu fyerje me një student të Univeristetit të Iowa. MGonz ishte një chatbot i thjeshtë i programuar nga studenti i universitetit të Dublinit, Mark Humphrys, i cili e la atë hapur në internet ndërsa shkoi në një party. Të nesërmen, Humphrys rishikoi regjistrat e bisedave me habi. Chatbot-i i tij MGonz kishte kaluar detyrën më të vështirë të programimit të Chatbot-ve: transformimin e një Chatbot-i në një bisedues interesant.

Sipas Humphrys, shumë shpejt dilemat e njerëzimit do të ishin dy: ose medja e njeriut do të sofistikohej dora dorës me sofistikimit e chatbot-eve ose, chatbotet do të zvogëlonin sofistikimit të njeriut".

Sa herë më duhet të komentoj mbi teknologjinë, përfitimet edhe dëmet që vijnë prej saj, më vijnë në mend dy alternativat e Humphrys: do të tentojmë përmirësimin e chatbot-eve duke sofistikuar më shumë mendjet tona apo chatbot-et do të zvogëlojnë sofistikimin tonë?

Kur unë mbarova studimet universitare Google sapo ishte prezantuar.  Megjithëse përdorimi i tij kërkonte në çdo hap ushtrimin e gjykimit, sërisht përdorimi në masë i këtij motorri kërkimi në 25 vitet e fundit, krijoi iluzionin se aftësia për të gjetur informacion është e njëjtë me njohurinë, duke anashkaluar faktin e rëndësishëm se aftësitë janë enë boshe, ndërsa njohuria është përbërësi që i mbush ato.

Krijimi i dijes arrihet vetëm nëpërmjet proçesit të mësuarit, i cili është një luftë produktive" ose "vështirësi e dëshirueshme". Renditja, krahasimi, riformulimi, përpjekja për t'i dhënë kuptim asaj që lexon, dëgjon, janë elementë të këtij proçesi. Edhe për fatin tonë të keq, teknologjia nuk ka një vend të përcaktuar nderi në proçesin e të mësuarit. Ajo mund të ulet lehtësisht qoftë në karriken e përfocuesit por edhe në atë të shkatërruesit të tij.

Kujtoj që nga viti 2005 doli kontrolluesi i parë i drejtshkrimit në gjuhën shqipe. Një aplikacion gati pirat i cili për një vajzë nga Vlora, që shumë fjalë i shkruante në dialekt, dukej si një shpëtim.

Por sot me bindje them se përdorimi i tij më bëri mua një njohëse edhe më të këqe të gjuhës shqipe. Po ashtu makinat llogaritëse na e mpinë aftësinë për të bërë llogaritjet  matematikore me mend.

Por të gjitha këto teknologji, automatizuan njohuri të nivelit të ulët. Sot të rinjtë janë përdorues të teknologjive që automatizojnë të menduarit e nivelit të lartë .

Kur AI përdoret si zëvendësues i njohurive ajo krijon iluzionin e dijes!

Nëse një student mbështetet vetëm në AI për të shkruar një ese ose për të zgjidhur një problem, puna që do të paraqesë mund  të jetë mbresëlënëse, por  mendja e tij do të mbetet e palëvizshme. Në pamje të parë kjo mund të mos tingëllojë katastrofike por, ky është një problem i madh. Kur AI përdoret si zëvendësues i njohurive ajo krijon iluzionin e dijes.

Të shkruarit nuk është vetëm një mjet për të shprehur mendimet tona pasi akti i të shkruarit shoqërohet me aktin e formëzimit të mendimit. Të ulesh të gjesh fjalët e duhura, të mendosh se si funksionon argumenti, cilat metafora janë të përshtatshme, cili është përfundimi që dëshiron të arrish, do të thotë të  krijosh pikëpamjen tënde mbi çështjen që po shqyrton.

Një studente e vitit të dytë që i kërkon ChatGPT-së, Gemini-t ose Claude-it të shkruajë një kritikë të eutanazisë nuk po zhvillon idetë e saj rreth eutanazisë, por thjesht po ndërton ngrehinën e iluzionit të njohurive.

Duke ja lëmë detyrën e të menduarit makinës  truri i saj paguan çmimin. Studentët mund të marrin përgjigje të sakta, por nuk  zhvillojnë rrjedhshmërinë e të menduarit që mundëson mendimin e vërtetë kritik.

AI është vërtet e dobishme kur shërben si multiplikator i njohurive. Një student i motivuar për dije mund ta përdorë atë për të davaritur konfuzionin ose për të praktikuar aftësi që janë  në zhvillim e sipër. Një chatbot duhet të shërbejë si një partner sokratik për studentët, për të paraqitur kundërargumente ose për të zvogëluar qartësitë.

Por në të gjitha rastet  përdoruesi duhet të zotërojë njohuritë dhe gjykimin për të dalluar kur chatbot-i mund të jetë gabim.

Duhen njohuri për të krijuar njohuri

Një nga parimet më të rëndësishme të krijimit të njohurisë është se njohuria ndërtohet mbi njohurinë.  Sa më shumë të dish, aq më lehtë mund të mësosh diçka të re, sepse ke shumë më tepër analogji dhe pika kontakti për të lidhur njohurinë e re me atë që di tashmë.

Kur teknologjia pëdoret si ofrues i dijes së gatshme edhe njerëzit reduktohen vetëm në konsumatorë efikasë të informacionit apo arsyetimeve të prodhuar prej saj,  brenda kafkës së tyre do të ketë mendje më pak të afta për të peshuar provat, për të zbuluar paragjykimet dhe për të dalluar koherencën, gënjeshtrën ose absurditetin kur e ndeshin atë.

Kur AI përdoret si rruga më shkurtër, apo efektive për të arritur qëllimin sidomos gjatë proçesit të mësimit ajo do të nxisë  pasivitetin intelektual, dhe efekti nuk do të jetë iluminizëm, por anestezi.

Po ashtu “Defiçiti i njohurive”,  dobëson jo vetëm studentët individualë, por edhe vetë kulturën. Sa më shumë që mbështetemi tek AI për të përmbledhur, parafrazuar ose interpretuar botën, aq më pak të aftë bëhemi për t'i dhënë kuptim vetë botës. Kur njerëzve u mungon njohuria bazë për t’i dhënë kuptim botës, ata bëhen pre e lehtë për demagogët dhe sharlatanët.

Kur automatizimi zëvendëson proçesin tradicional të të mësuarit, ndodh që ato pak të ditur bëhen më të fuqishëm,  ndërsa të paditurit bëhen më të varur.

Pa mundësinë për të mësuar gjëra të reja nuk krijojmë dot gjëra të reja

Supozoni se do të ekzistonte "një makinë përvoje" që do t'ju jepte mundësinë të përjetonit çdo përvojë që dëshironit. Parafytyroni që neuropsikologët mund të stimulonin trurin tuaj në mënyrë që të mendonit dhe të ndjenit se po shkruanit një roman të shkëlqyer, ose po lexonit një libër interesant, apo ishit në shoqërinë e miqve të dashurit/dashurës që do të dëshironit të kishit. Gjithçka që dëshironi ! A do të ishit të gatshëm  ta jetonit gjithë jetën tuaj  të lidhur me një makinë të tillë , dhe  gjitha përvojat tuaja reale ti shkëmbenit me iluzione të paraprogramuara? 

Shpesh të rinjtë sidomos djemtë përgjigjen: Po! Sa më shpejt të jetë e mundur!

Unë me shaka shpesh them së kam akoma 20 vite cilësore për të jetuar por ka dy arsye kryesore pse unë nuk e gjej tërheqëse që ti kaloj ato e lidhur me një makineri të tillë. Së pari, ne njerëzit duam të bëjnë gjëra në jetën tonë, të arrijmë diçka. 

Thënë këtë ne nuk dëshirojmë thjesht ndjenjën artificiale të arritjes, por faktet reale të saj. Është më mirë ta shkruash një roman më të mirë se romanet e  Kadaresë  sesa thjesht të kesh bindjen e rreme se e ke shkruar një të tillë; është më mirë të të duan dhe të kesh miqësi të vërteta sesa të jetosh iluzionin që ofron  makina.

Së dyti, lidhja me një makinë të tillë jo vetëm do të më hiqte lidhjen me arritjet e vërteta, por do të më pengonte të isha një person autentik.

E lidhur me makinën do të isha në anestezi, në gjendje vegjetative mendore ose ndryshe një enë  grumulluese ndjesish iluzive të këndshme, pa mundësinë për të mësuar edhe krijuar gjëra të reja .

Pra nëse AI do të jetë një bekim apo mallkim nuk varet nga nga natyra e teknologjisë, nga niveli i saj i sofistikimit por, nga mënyra sesi ne njerëzit e përdorin atë.

Ndaj sot e vetmja këshillë që kam për çdo student  është  ta përdorni AI-në ashtu siç përdorim çdo mjet të fuqishëm, me kujdes, kuriozitet dhe një ndjenjë të qartë qëllimi.  Përpiquni t'i rezistoni zëvendësimit të punës së ngadaltë dhe të pazëvendësueshme të të mësuarit me efikasitetin dhe shpejtësinë e IA-së .

Qëllimi i arsimimit nuk është diploma, madje edhe CV pak vlerë do të ketë në të ardhmen  krijimi i mendjeve më të sofistikuara se teknologjia duhet të jetë qëllimi i arsimit.

Përndryshe asgjë nuk do shpëtojë njërëzimin nga alternativa e dytë e Humphrys: "zvogëlimi i sofistikimit të njeriut" .

2 Komente

  1. G
    GjMA

    Përshëndetje, Jeni shumë e saktë!

    1. 0
      007/2

      Gjysma e nxënësve në shkollat e mesme të Tiranës, nuk dinë tabelën e shumëzimit. 7X7= 42 , si Basha kur nuk e ka mëndjen.

      Lini një Përgjigje