Forum12 Shkurt 2024, 22:18

Mungesa e narrativës së besueshme në kronikën e zezë!

Shkruar nga Dom Gjergj Meta

Mungesa e narrativës së besueshme në kronikën e zezë!

Jo çdo foto e shkrepur në një vendngjarje, jo çdo filmim apo çdo llafe e thënë, ka vlerën e së vërtetës. E vërteta është një puzzle ku pjesët duhet të pranëvendosen harmonishëm dhe në përkim me njëra-tjetrën.

Çdo ditë mediat tradicionale dhe portalet na servirin ngjarje të kronikës së zezë. Nga më të shumëllojshmet. Shumë portale janë bërë si një morg ku tashmë ekzistenca e kufomave nuk bën më përshtypje. Madje disa vendosin edhe fotot jashtë mureve si për të tërhequr sytë e kalimtarëve. Mësohemi me to. Të paktën në dukje, pasi shtresat që krijohen në nënvetëdijen tonë, nga përmbajtja toksike e tyre, janë aty e herët a vonë do të dalin në sipërfaqe me pasoja të paparishikueshme.

Ajo që unë vë re me shumë trishtim është mungesa e një narrative (ose e narrativave) që çon drejt të vërtetës së një ngjarjeje. Shumë zëra nuk janë gjithmonë garantë të një vështrimi shumëpërmasor, por shpesh janë burim pështjellimi e madje nxitës të ndjenjave të përziera ndaj ngjarjes dhe njerëzve të përfshirë.

Pjesa më e madhe njerëzve nuk kanë në disponim filtra leximi apo kuptimi të asaj që thuhet, sidomos një farë moshe e rritur që janë viktima të çdolloj gjëje që shkruhet apo vendoset në një video me zë e figurë në rrjetet sociale që si rrjeta u kanë rënë mbi krye. Të rinjtë? E vërteta e tyre është se nuk janë të interesuar, por kjo është një çështje tjetër.

Profesioni i gazetarit është në krizë të thellë më shumë se kurrë. Lajmsi, sepse ky është gazetari, është e vërtetë që nuk hyn në gjak, por ka detyrën e përcjelljes së saktë të asaj për çka është lajms. Kjo sepse ngjarja dhe lajmi për të nuk janë pronë e tija. Ai duhet vetëm ta përcjellë. Por si mund ta bëjë këtë nëse nuk e ka strukturën e duhur profesionale për ta bërë?

Jo çdo foto e shkrepur në një vendngjarje, jo çdo filmim apo çdo llafe e thënë, ka vlerën e së vërtetës. E vërteta është një puzzle ku pjesët duhet të pranëvendosen harmonishëm dhe në përkim me njëra-tjetrën. Ja pse shumë lajme dhe ngjarje janë një "mozaik" mediatik i ndërtuar keq, i pashikueshëm dhe madje të lë një shije të hidhur.

Ka shumë ngjarje që kanë bërë bujë e sidomos ngjarjet me karakter familjar apo histori të mëtuara si rozë që më shumë nxisin një lloj epshi thashethemi se sa dëshirën për të vërtetën dhe nxitjen për të reaguar. Agjencitë mediatike janë të interesuara më shumë për algoritmin e klikimeve, për shikueshmërinë, sesa për të vërtetën objektive të informimit. Mjafton të shohësh ndotjen që vjen nga komentet në një çfarëdolloj ngjarjeje.

Nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me kufomat dhe jetët e shkatërruara. Ato janë jetë që dikur lëviznin në rrugët e lagjet tona. E dikur mund të jemi edhe ne të tillë. Kontributi për një jetë cilësore dhe të mbrojtur është detyrë dhe e drejtë e çdokujt.

Duhet një narrativë e jetës dhe e bukurisë së saj në mënyrë që t'i çirret maska të keqes e të mos mësohemi me të.